LAJMI I FUNDIT:

Përse nuk mund ta ‘njihni’ veten tuaj disa ditë përpara menstruacioneve

Përse nuk mund ta ‘njihni’ veten tuaj disa ditë përpara menstruacioneve

Sindroma premenstruale përfshin një varg simptomash si çrregullimi i disponimit, tendosja e gjinjve, nevoja për të ngrënë më shumë se zakonisht, plogështia, shqetësimi i shtuar dhe depresioni.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Mendohet se vetëm një nga katër gra nuk përjetojnë të paktën njërën nga ankesat e mësipërme.


Këto simptoma mund të parandjehen dhe të parashikohen nga gruaja, por ndryshimet fizike dhe emocionale të PMS mund të jenë nga më të lehtat e deri shumë të shprehura.

Vlerësohet se së paku 85% e grave kanë së paku një simptomë të PMS gjatë ciklit menstrual. Tek shumica e këtyre grave simptomat janë të lehta dhe të përballueshme dhe rrjedhimisht nuk kanë nevojë për ndonjë mjekim, por të tjerat (3-8%) kanë shenja shumë më të theksuara të PMS që quhet edhe PMDD (çrregullim disforik premenstrual).

PMS shfaqet më shpesh tek gratë:
• 25 deri 45 vjeç
• Të cilat kanë së paku një fëmijë
• Kanë në anamnezë familjare të afërm me depresion
• Kanë pasur më parë gjatë jetës çrregullim të humorist ose gjakderdhje pas lindjes

Mos lejoni që këto probleme ta dirigjojnë jetën tuaj! Ka mjekime dhe ndryshime të mënyrës së të jetuarit të cilat ju ndihmojnë që t’i menaxhoni shenjat dhe simptomat e PMS.

Është e natyrshme që një grua e cila vuan nga sindroma premenstruale të bëjë këto pyetje:
• Çfarë mund të bëj që të minimizoj ose t’i zhduk shenjat e PMS?
• A ka gjasa që shenjat e PMS të zhduken vetvetiu?
• Këto ankesa që i kam mos ndoshta janë paralajmërim për ndonjë gjendje shëndetësore shumë më serioze?
• A rekomandohet që të marr trajtim për PMS? Cilat barna mund t’i marr?

Shenjat dhe simptomat
Lista e shenjave dhe simptomave të PMS është e gjatë, por shumica e grave i kanë vetëm disa prej tyre si:
• Ndryshimet emocionale
• Ankth dhe shqetësim
• Depresion
• Mërzitje e shtuar që shoqërohet edhe me të qara
• Ndryshime të disponimit, irritabilitet ose nervozizëm
• Ndryshime të oreksit dhe nevoja për të ngrënë vazhdimisht diçka
• Probleme me të fjeturit
• Mungesë e disponimit për t’u shoqëruar me njerëz
• Përqendrim i ulur

Ndryshimet fizike
• Dhimbje të nyjeve dhe të muskujve
• Kokëdhimbje
• Plogështi
• Shtime në peshë që lidhet me grumbullimin e lëngjeve në trup
• Fryrje e barkut
• Tendosje e gjinjve
• Paraqitja e akneve (puçrrave në fytyrë)
• Kapsllëk ose barkqitje

Tek disa gra shqetësimi fizik dhe emocional që shkakton PMS është aq i madh saqë ndikon në aktivitetet e përditshme. Pa marrë parasysh se sa të shprehura mund të jenë këto shqetësime, ato zhduken brenda 3-4 ditëve të para pas fillimit të menstruacioneve.

Disa gra kanë shqetësime aq të shprehura të cilat paraqiten rregullisht çdo muaj dhe kjo formë e PMS quhet çrregullimi disforike premenstrual (premenstrual dysphoric disorder PMDD).

Nëse këto ankesa ndikojnë në mbarëvajtjen e aktiviteteve të përditshme dhe nëse nuk mund t’i menaxhoni atëherë kërkoni ndihmën e mjekut.

Shkaktarët
Se çfarë e shkakton saktësisht sindromën premenstruale nuk dihet, por dihet se disa faktorë ndihmojnë në shfaqjen e PMS:
• Ndryshimet ciklike hormonale – Është e njohur se shenjat dhe simptomat e PMS zhduken gjatë shtatzënisë dhe në menopauzë (pra në periudhat kur një grua nuk ka prodhimi ciklit të hormoneve)
• Ndryshimet kimike në tru – Disponimi varet nga një hormone i cili quhet serotoninë. Nëse nuk prodhohet serotoninë në sasi të mjaftueshme atëherë favorizohet shfaqja e depresionit premenstrual, plogështisë, nevojës për të ngrënë më shumë dhe problemet me gjumin.
• Depresioni – Disa gra me PMS kanë depresion të padiagnostikuar, ndonëse depresioni nuk e shkakton PMS.

Gjatë vizitës mjekësore, mjeku do të bëjë disa pyetje (kjo quhet anamneza) si për shembull: sa janë të theksuara simptomat, në cilat ditë të ciklit menstrual këto ankesa janë më të theksuara, a ka ndonjë ditë gjatë ciklit menstrual kur ju nuk keni fare ankesa, a e parandieni se këto ankesa do t’ju shfaqen ditën në vijim, a ka diçka që këto shenja i bën më të theksuara ose i lehtëson ato, kur i keni këto shenja a jeni aq keq saqë nuk mund të shkoni në shkollë/fakultet/punë dhe t’i kryeni aktivitetet e përditshme, a e ndjeni veten të pashpresë dhe në depresion, a është dikush në familjen tuaj që është diagnostikuar me ndonjë problem psikiatrik, a keni përdorë ndonjë mjekim për këtë problem.

Mjeku mund të bëjë edhe disa analiza dhe mund të kërkojë nga ju që të shënoni në kalendar ditët kur ju i keni këto ankesa dhe kur ato zhduken, në raport me ciklin menstrual; këtë “ditar” duhet ta mbani së paku për dy cikle menstruale radhazi.

Simptomat dhe shenjat e PMS mund të zvogëlohen nëse ndryshoni mënyrën e të jetuarit:
• Hani më shpesh dhe në sasi më të vogla për ta ulur ndjenjën e të fryrit.
• Mos përdorni kripë dhe ushqime të njelmëta në mënyrë që të ulni sasinë e ujit në organizëm.
• Hani më shumë fruta, perime dhe cereal.
• Hani ushqime që kanë shumë kalcium (mund të merrni edhe suplemente të kalciumit).
• Mos pini shumë kafe dhe mos pini alkool.
• Mos pini duhan!
• Ecni së paku 30 minuta në ditë. Përveç ecjes mund të ngisni biçikletën, mund të notoni ose të merreni me aerobi. Ushtrimet e rregullta fizike e përmirësojnë shëndetin e përgjithshëm dhe i largojnë simptomat e PMS (si për shembull depresioni dhe plogështia).
• Flini mjaftueshëm.
• Provoni ushtrimet e frymëmarrjes dhe relaksimin e muskujve për të ulur kokëdhimbjen, ankthin dhe pagjumësinë.
• Për të ulur stresin provoni joga dhe masazh.
• Mos harroni që të mbani shënim se cilat situate e përkeqësojnë problemin dhe kur shenjat e PMS shfaqen ose zhduken!

Për të lehtësuar simptomat e PMS mund të ndihmojë:
• Kalciumi – Nëse merrni 1200 miligram kalcium në ditë, mund të zvogëlohen shenjat e PMS.
• Magnezi – Nëse merrni 360 mg suplement magnezi për çdo ditë, ulet sasia e lëngjeve në organizëm, zvogëlohet tendosja e gjinjve, ulet ngarkesa psikologjike dhe ndjenja e të fryrit.
• Vitamina E – ul prodhimin e prostaglandinave të cilat shkaktojnë ngërqet dhe tendosjen e gjinjve, prandaj rekomandohet që të merren 400 UI vitaminë E në ditë.
• Akupunktura – Gratë të cilat kanë provuar akupunkturën theksojnë se simptomat e PMS i kanë pasur më të lehta.

Nëse ndryshimi i mënyrës së të jetuarit nuk ndihmon, atëherë varësisht se sa të theksuara janë shenjat dhe simptomat e PMS mjeku mund t’ju jep edhe barna. Efikasiteti i këtyre barnave dallon nga një grua në tjetrën.

Barnat të cilat përshkruhen më së shpeshti janë:
• Antidepresantët jepen tek rastet e rënda të PMS. Këto barna mund të përdoren për një periudhë dyjavore përpara menstruacioneve.
• Antiinflamatorët josteroidë si për shembull brufeni ose naprokseni mund të merren përpara se të vijnë menstruacionet. Zvogëlojnë ngërçet dhe tendosjen e gjinjve.
• Diuretikët jepen nëse kufizimi i kripës dhe ushqimeve të njelmëta nuk ka pasur efekt.
• Kontraceptivët hormonal e pengojnë ovulacionin që si rrjedhojë lehtëson simptomat e PMS. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori