LAJMI I FUNDIT:

PËRSE NA DUHET POEZIA

PËRSE NA DUHET POEZIA

Poezi: Joyce Lussu
Përktheu: Maksim Rakipaj

Po jap një shembëll,
Le të marrim një çift që shkon për bukuri,
10-15 vjet bashkëjetesë
shtëpi, fëmijë, interesa të përbashkëta,
çifti ama, duke mos qenë as shurdh, as i verbër,
me shqisat e tjera krejt në rregull,
natyrisht jo aq të paprekshëm,
sa të mos venë re se bota plot është me njerëz interesantë
të gjinisë tjetër
dhe ndonjë prej tyre, kur rasti e bën mbarë
nuk është kundra një takimi në shtrat.


Na del kështu një hall që ka tri zgjidhje:
E para është forca e zakoneve,
mos kurvëro, mos vidh gjënë e tjetrit,
kështu për bashkëshorti(e)n blihet një komo
Luigji XVI, a televizor me ngjyra,
apo çdo xhingël me vlerë,
që mirë s’është ta vjedhësh.

Zgjidhja e dytë – shkelja e kurorës,
po aq e zakonshme,
por na sjell një tok telashe
besnikëria (dhe…ta them apo jo ?)
lemeria e moteleve të rastit,
ngutja për të sajuar marifete maskimi,
që frikën nuk ta heqin
për sqarime të sikletshme.

Zgjidhja e tretë, padyshim më e volitshmja,
marrim turbullimet, ndjenjat
i përziejmë mirë me ç’na sajon mendja,
hedhim pak lëng fantazie
dhe na del një lloj poezie,
e mendojmë mirë dhe e fisnikërojmë
derisa e shkruajmë si duhet,
e më në fund e gëlltisim.
Trete mirë me ca barna
natyrale, pak të hidhur
e mos e vrit më mëndjen.