LAJMI I FUNDIT:

“Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit

“Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit

Bujar M. Hoxha

“Me një ushtri nga njerëz gjysmë të mësuar që dinë shkrim dhe këndim, flasin gjuhë të huaj dhe që veshin kollaro dhe kravata, nuk bëjmë gjë tjetër, veçse të rritëm togje-togje parasitësh arrogantë, që humbasin bazën e qënies së tyre, therorizojnë bon sens-in, trubullohen dhe korruptohen, hem si karakter, hem si intelekt, dhe kur na dalin nëpër rrugët e jetës bien të hutuar aty për aty karshi realitetit të hidhur që paraqet sot mundësia e ngushtë dhe e shtrënguar nga të gjitha anët, e kompleksitetit lëndor dhe shpirtëror i strukturës s’onë kombëtare. Na duhet një cultivation i persepsionit, intelektit, emocionit, karakterit dhe i vullnetit.”


Lexohej kjo në faqen 46 të numrit të parë të revistës “Përpjekja shqiptare”, në tetor të vitit 1936. Artikulli “Qëllimi i Revistës s’onë” përmblidhte vizionin dhe objektivin e themeluesve, më të parit prej tyre, Branko Merxhanit.

Kishin kaluar njëzet e katër vite prej pavarësimit të vendit, dhe, mirë apo keq, çështja e kufijve dhe e integritetit territorial ishte zgjidhur. Në plan të parë kishin dalë të tjera gjëra, midis tyre dëshira dhe synimi për t’u oksidentalizuar.

Zelli për oksidentalizim nuk ishte posaçërisht shqiptar; shqiptarët po kopjonin vende të pushtuara nga ky zell i ngulmët. Modeli ataturkist i pati kaluar kufijtë e Turqisë së re, me ndikim në shumë territore ish-osmane. Në mendjen e Branko Merxhanit përkundej portreti i idealizuar i Ataturkut, për vdekjen e të cilit do të shkruante në numrin e dhjetorit të 1938-s: “Atatürku nuk ësht më i gjallë. Por shpirti i Atatürku-t do të jetë kurdoherë i gjallë brenda prehërit të përjetësis së kujtimit historik. Por kujtimi historik ësht Historia vetë. Kombet ngrihen në këmbë dhe mbahen në këmbë vetëm për hir të të vdekurve të tyre të mëdhenjë. Të gjallët vetëm i përbëjnë kombet. Ata që i bëjnë, që i shtyjnë përpara, që u japin frymë, erë e gjak, janë të vdekurit e nderuar e të vajtuar si një Atatürk!”

“Përpjekja shqiptare” për kulturim përbënte gati një ndarje me publicistikën pararendëse, duke e vënë theksin te karakteri laik dhe fryma filozofike. Drejtuesit e pohonin vetë këtë kur shkruanin për produktin e tyre intelektual si një, “revistë kulturale me parime laike” (dhjetor 1938, nr. 18-24). Megjithatë, ata e bënin të qartë që, “Jemi laicist, por laicizmi nuk domethënë – siç pandehin disa – luftë kundra feve” (po aty, “Dy fjalë këndonjësvet”).

Idetë e krijuesve të revistës ishin të qarta; ata po kërkonin të hapnin një shteg të ri për përparimin e vendit.

“Problematiciteti i jetës s’onë kombëtare i është besuar fuqis së mendimit dhe të veprimit t’intelektualëve t’onë. Kjo ka qënë dhe ësht’ edhe sot bindja e jonë e patundëshme…. Puna e jonë është një punë studimi dhe gjyrmimi, një punë formimi mendor. Punë-ide, punë-mision…. Na duhen revista që do të kenë si porosi të parë të vënë në lëvizje trutë t’ona dhe të shtjerijnë dritë në gërmadhën e shpirtit t’onë duke zhvilluar me një sistem adaptimi mendor dhe mejtimi pozitiv-radikal, një përpjekje krijonjëse dhe syntetizonjëse” (“Qëllimi i revistës s’onë”).

Politikës u prirën t’i qëndrojnë larg, me moton, “Politikë s’ka! Vetëm kulturë!” Revista ishte vazhdim i një pune të nisur më herët, me ide dhe ideale kombëtare. Jo më kot Branko Merxhani kujton në krye të numrit të parë formimin e doktrinës nacionaliste-demokrate shqiptare, të “Neoshqiptarizmës”, dhe thotë: “… filluam të ecim me çapa të ngadalëshme brënda në natën e errët të Fatit t’onë. Kërkonim të gjënim shtigjet që do të na shpinin një or’ e më parë, por me siguri më të plotë, drejt përpjekjes s’agimit t’ëndërruar.”

Fryma filozofike e revistës

Nuk ka dyshim se revista dallonte shumë (dhe, besoj, dallon ende) për nga niveli i gjuhës dhe i përmbajtjes. Aspekti i saj filozofik përligjej me nevojën për të patur një filozofi të gjallë e reflektive për gjetjen e udhës së përshtatshme drejt një jete kombëtare me vlerë njerëzore dhe kuptim historik. Për ideuesit e revistës, filozofia shihej si faktor kryesor ndryshimi e përparimi në çdo fushë të aktivitetit intelektual të shoqërisë njerëzore. “Që të marrim një qëndrim të sgjuar kundrejt problemeve të mëdha shoqërore të jetës s’onë kombëtare, duhet të kemi marrë pikë së pari një edukatë filosofike të shëndoshë,” shkruhej në poshtëshënimin e artikullit “Ç’është filosofia?”, në numrin e parë.

Përpos shumë artikujve mbi filozofinë dhe filozofikë, revista ia kushton numrat nëntë dhe dhjetë, në gusht të 1937-s, një personaliteti si Dekarti. Shkruar në shqip dhe frëngjisht, këto numra kanë dhe një përkthim të Vangjel Koçës, “Fjalimi i Metodës”, për të cilin Branko Merxhani shkruan: “Descartes-i shkroi të parën librë filosofike në gjuhën frënge. Vangjeli mbushi faqen e parë të librës filosofike në gjuhën shqipe.” Ndërkaq, vetë përkthyesi i kushton dhe këto fjalë punës së tij: “Ky përkthim është pema e rastit, siç është e rastit edhe gjithë puna mendore shqiptare gjer sot dhe kush e di se gjer kur.”

Sociologjia në revistë, një skicë sociologjike e Perandorisë Osmane

Krahas filozofisë, një fushë së cilës iu la hapësirë e gjerë te “Përpjekja shqiptare” qe sociologjia. Me interes e kam parë të ndalem veç te një artikull i revistës, i numrit të parë, “Roli historik i Perandoris s’Osmanllive në Ballkan dhe burime historike t’idesë nacionaliste shqiptare.”

Ndalem këtu duke cituar disa paragrafe, pa komentuar, për të mos u hequr asgjë koncepteve të autorit, Branko Merxhanit. Është një vështrim ku ia vlen të ndalohet, për t’u lexuar me vëmendje.

“Perandoria e Osmanllive në fazën e parë të ndërtimit të saj paraqitet si një vepër e përbashkët, për ngrehjen e së cilës u munduan, pozitivisht ose negativisht, për veç osmanllive (tyrkëve) vet, dhe të gjithë popujt e pushtuar t’Asisë së Vogël dhe të Ballkanit, pa marrë parasysh as ndarjen e fesë, as të racës, as edhe të gjuhës. Kjo është cilësia e veçantë sociologjike që karakterizon çdo fenomen perandorak, kudo në çdo fazë t’historisë së përbotëshme. Perandorizma (imperializma) nuk mbështetet mbi themelin e Kombësisë. Bazat e sajë janë fetare dhe politike. Por përmbi të gjitha është ndjenja fetare që sundon.”

“Dhe mund të themi se në qoftë se Fetë do të kishin mbajtur fuqit e tyre deri në fund, po me atë rregull dhe disiplinë që kishin mbajtur në fazat e para të periodës perandoriake, kurrë nuk do të shpërndaheshin ose kurrë nuk do të çfuqizoheshin këta grupëzime të bazuara në idealin e fesë, dhe atëhere si vazhdim dhe përfundim i kësaj gjendjeje, kurrë nuk do të kishin lindur lëvizjet nacionaliste, jo vetëm të popujve të pushtuara, por as edhe vet të popullit sundonjës tyrk.”

“Osmanllit erdhën dhe themeluan autoritetin e tyre në Ballkan ku futën, për herën e parë në gjithë historin e këtyre viseve, rrymën e t’ashtuquajturit ‘Urbanismë oriental’ (‘Kasaba’-ja, qyteti ballkanik, është një krijim i Osmanllivet)…. Ndarja e punës shoqërore nëpër këta qytete dha shkak për formimin e një grupëzimi sociologjik të një lloj tjetër: Pranë grupeve fetare filluan të formohen grupe profesioniste. Dhe kështu ndërgjegja kolektive fetare që kish munduar si fuqi e vetme në grupëzimet e mëparëshme, mysylmane ose kristjane, filloi të prapset dhe të humbas pak nga pak tokën. Feja nuk është më qëllim. Përdoret vetëm si një mjet. Dobësimi i ndërgjegjes kolektive fetare ose siç do të thoshte një Theodor Reik, (‘die Entkroenung der Religion’), përfundon në dekompozimin e lidhjeve të solidaritetit mbi të cilat bazoheshin gjer tani grupëzimet e vjetra. Pranë kishave hapën shkolla. Shtypi, në fillim me libra dhe revista, pastaj edhe me fletore, filloi të zhvillohej. Popujt e Ballkanit hyjnë në një periodë të re sociologjike të jetës së tyre kolektive. Jemi në prakun e krijimit të historive kombëtare. Vëndin e Perëndisë e zuri gjuha. Gjuha e grupëzimit fetar, gjuha e shënjtë e pakuptuarshme, lihet mënjanë dhe në vëndin e sajë vihet gjuha e shoqërisë, d.m.th. gjuha e gjallë e popullit…”

“Pse nuk jam marksist?”

Branko Merxhani shpalos botëkuptimin e tij në këtë artikull gjysmë të kërkuar, në të cilin e thekson se jo vetëm nuk është ndjekës i parimeve doktrinare të shkollës marksiste, por se është dhe antikomunist.

Artikulli i botuar në mars të 1937-s ishte vënë në krye të përmbledhjes së numrave 4, 5 dhe 6, dhe veçohet në publicistikën e autorit.

Merxhani trajton aspekte ekonomike të teorisë marksiste, të hedhura poshtë lehtë prej tij. Cinizmi i tij është i jashtëzakonshëm kur shkruan për punëtorin e shndërruar në proletar: “Në qoftë se punëtori ndodhet me të vërtetë në një gjendje mizerable, atëhere vetëm një efekt mund të ketë kjo ndodhje: Mizerja do të bëhet Ideologji dhe rryma revolucjonare e proletariatit do të shkojë duke u shtuar. Mirë po një proletar mizerablë si do të jetë në gjendje të realizojë detyrat e larta që i ngarkon Marxi? Nga mizerja vetëm një gjë del: Mizerje!…”

Analiza e çon Brankon te përfundimi po aq cinik, “Nëse Marksistët pandehin se kanë zgjidhur problemin e ekuilibrit brënda në shtet ose në se predikojnë se paskan zbuluar çelsin e çuditshëm të parrajsit t’ardhshëm, mua më duket se këto trumbetime dhe paralajmërime s’janë tjatër veç se vjellja e injorancës së tyre.”

Tema dhe ide

Filozofi, sociologji, antropologji, histori, ekonomi kombëtare, demografi, pedagogji, psikologji, gjeografi, didaktikë, psikanalizë, shënime kritike gjuhësore, çështja e gjuhës, letërsi, studime letrare, muzikë, folklor, problemet e mëdha të epokës, bisedime akademike, muaji shqiptar, muaji ndërkombëtar, jeta dhe librat, politika dhe kultura, metafizika, probleme themelore, financat e Shqipërisë, paedologji, shënime kritike gjuhësore, arkeologji, përralla popullore, rilindja kombëtare, shkencat natyrale, ekonomi politike, kulturë fizike, gruaja shqiptare, zëri i të rinjve, gjendja mendore e kohës, literatura frënge, vjershësi frënge, edukata dhe shteti, arkivë kombëtare, vjershësi atdhetare, probleme shëndetësore, proza shqipe, shkenca dhe njeriu, pedagogji amerikane, kultura ballkanike…

Të gjithë këto zëra u trajtuan në tre vitet e botimit të revistës, nga 1936-ta në 1939-n, nga numri i parë në të njëzeteshtatin. Trajtesa të nivelit të lartë, kritika, polemika dhe përkthime, gjetën vend në faqet e revistës: “Ç’është filosofia”, “Dy antologjijat shqipe”, “Hitlerizma dhe ideologjia e saj”, “Për historin e Shqipërisë”, “Në udhën e nacionalismës”, “Descartes dhe ne”, “Njeriu, ky i panjohur”, “Zonja Marigo dhe flamuri kombëtar”, “Njeriu dhe kombi”, “Dilettantismi dhe zanati”, “Problemi demografik shqiptar”, “Fshati, qyteti, kryeqyteti”, “Feminismi dhe shoqëria e jonë”, “Poetika e Lasgush Poradeci-t”, “Origjina e popullit shqiptar”, “A asht poet Lasgush Poradeci?”, “Arti i Migjenit”, “Muzika në Shqipri”, “Bibliotheka e Myftis së Tabakëvet në Shkodër”, “Gjyqi i komunistëve”, “Papa Pio i XI, Papismi dhe orthodoksia”.

Botimi anastatik

Përpjekja e Fondacionit “ALSAR” për të rizbuluar një të shkuar mjaft të admirueshme të publicistikës shqiptare, veçanërisht të asaj me zë të fortë kombëtar, prej rilindjes e deri në marrjen formë të plotë të shtetit shqiptar, solli si botim anastatik tani revistën “Përpjekja shqiptare”.

Përzgjedhja i detyrohet gjithçkaje që thamë e përmendëm më sipër, një materiali cilësor e të vëllimshëm që do të ishte mëkat të dergjej në harresë e të mos sillej me një botim të ri, por në formën origjinale.

Botimet tona anastatike janë tashmë më shumë se numri i gishtave të të duarve, në ngjitje për të plotësuar dhjetëshen e dytë. E them pa lëkundje se “Përpjekja shqiptare” si botim anastatik do ta gjejë menjëherë vendin e vet në bibliotekën shqiptare.