LAJMI I FUNDIT:

Përmutja e hetuesve në shkurret e Zezës

Përmutja e hetuesve në shkurret e Zezës
Ilustrim

Një libër me mijëra faqe nuk do të zinte vetëm emrat e të dyshuarve, të hetuesve, të prokurorëve, të gjykatësve, të avokatëve, të administratorëve, të përshkruesve të lëndëve, të përkthyesve të panumërt, të dëshmitarëve, por edhe të rapsodëve që i kishin thurë edhe këngë Mulziut të gjorë, i cili që vrarë e zhdukur pa gjurmë, para një shekulli. Çdo hetues i autorizuar për ndriçimin e rastit, së pari kërkonte ta shoh dosjen. Nuk kishte zijosh që nuk pohon se ekziston ajo dosje, por nuk mund te gjendej edhe një prej tyre, që do të dëshmonte se e ka parë një herë me sy. Hetuesi i ri që arriti në Zezë, posa kishte dëgjuar për dosjen, kishte fërkuar duart, jo për të gjetur vrasësin, por arkën me para e cila qe zhdukur bashkë me Mulziun. Pasi vrasja kishte ndodhur moti, dëshmitar të gjallë nuk kishte. Konstruktimi i ngjarjes dukej i pamundur. Hetuesit, në fillim po shënonin çdo deklaratë të zijoshëve.

Megjithëse, dosja e vrasjes enigmatike të Mulziut ishte shkruar para një shekulli, asnjë hetues i huaj që erdhi në Zezë, nuk mbeti pa kërkuar atë. Kuptuan së çdo fjalë e dëgjuar për dosjen s është vetëm fiksim. Megjithëkëtë, hetuesit nuk po e largonin dosjen nga mendja. Ata filluan të mendojnë, edhe të kërkojnë përkthyes për atë dosje, për të cilën nuk dihej as në cilën gjuhë mund të ishte e shkruar. Nuk kaluan shumë ditë dhe shpallën konkurs për përkthyes, por nuk dinin se për cilën gjuhë iu duhet ai. Ky hap i hetuesve të ardhur i gëzoi pa masë zijoshët. Secili prej tyre pretendonte se njeh, jo një, por tri, katër e pesë gjuhë të huaja. Bile një përkthyes që konkurroi, shkruante se i njeh, hiq më pak se njëzet e katër gjuhë. Çka është më keq, nuk kishte kush i teston dhe për këtë duhej të shpallej konkurs edhe për testues. Administratorët vendosën të hapin edhe një degë studimesh për këtë gjuhë pa emër. U paraqiten shumë kandidat për këtë degë të re, për të cilën nuk kishte dëgjuar askush deri atëherë. Askujt nuk i ngutej. Kohë të mjaftueshme kishin të gjithë. Çka është me rëndësi, pagat e majme rridhnin lumë.


Pasi askush nuk kuptoi kurrë se çfarë shkruante në atë dosje të supozuar plot hieroglifë, zijoshët nuk besonin fare se hetuesit e rinj do të kuptojnë diçka. A ekzistonte me të vërtetë dosja nuk u mësua kurrë. Ajo, më shumë, ishte bërë fiksim i zijoshëve. Më shumë ishte ruajtur dosja, në memorien e zijoshëve, në thashethemet e tyre dhe në këngët e rapsodëve, sesa në letër. Kur hetuesit bisedonin me zijosh, asnjë fjalë e njërit nuk përputhej me deklaratën e tjetrit. Fitohej përshtypja se, hetuesit, pikërisht aty ku nuk përputheshin deklaratat, kërkonin vendndodhjen e arkës me para. Kështu vihej në dyshim çdo fjalë e çdo dëshmitari zijosh. Askush nuk po shpresonte që ai krim do të zbardhej ndonjëherë. Zijoshët, gjithmonë dyshojnë ndaj çdo njeriu. Kështu po silleshin edhe ndaj hetuesve te ardhur rishtazi. Siç e kanë traditë, ata përhapnin thashetheme se, hetuesit po shënojnë çdo fjalë që dëgjojnë dhe kështu dosja është trashur bukur shumë. Jo pas një shekulli, por as pas dy ditësh, nuk mund të gjeje edhe një zijosh të vetëm, që nuk i ndryshon fjalët. Çka është më keq, hetuesit shpeshherë ndërroheshin, dhe kështu, mundësia që njëri prej tyre t’i shkonte hetimeve deri në fund, ishte krejt utopi. Megjithatë, pak kush besonte se, hetuesit e ardhur janë duke shënuar diçka me vlerë, dhe kjo nuk u vërtetua kurrë.

Po, kush i ka parë ato dosje ndonjëherë?

Çdo piketim të vendit ku supozohej se mund të ketë varrezë, hetuesit e fillonin në shkurret e Zezës. Pasi mbeturinat e shumta të të gjitha llojeve, ua tërhiqnin vëmendjen hetuesve, edhe çdo hetim fillonte aty. Dosja e moçme për vrasjen e Mulziut ishte vetëm pretekst i gjurmimit, pasi të gjithë pëshpëritnin se hetuesit kanë në fokus gjetjen e arkës me para. Çdo hapje e re hetimesh ishte e mirëseardhur për zijosh, dhe ata vetëm fërkonin duart për ndonjë fitim pa djersë. Zakonisht, zijoshët i luten zotit që hetimet të mos kryhen kurrë. Ata lutën që në Zezë të mos zbardhet asgjë asnjëherë. Ata kënaqen me të zezat e tyre që nuk përfundojnë kurrë.

Gjurmimi në shkurre, nuk ishte ngjarje e re. Zijoshët ishin të bindur se hetuesit po gjurmojnë arkën, por për këtë nuk flisnin hapur. Në ato shkurre kryenin nevojat gjithë zijoshët dhe aty hidhnin mbeturina të të gjitha llojeve. Mbeturinat kishin përfshirë çdo pëllëmbë toke mes shkurreve. Aty ishte zhvilluar bimësi e dendur, dhe vende-vende, shurra kishte tharë gjelbërimin. Dimrit, sidokudo, kundërmimi i rënd përballohej disi, por verës, kur nxehej moti, dhe kur zijoshët qarkullonin më shumë, era e qelbur behej e padurueshme. Meqenëse Zeza shtrihej shumë afër qytetit, gjithë kalimtarët e rastit kthenin aty për të krye nevojën. Në vend të një parku të bukur për pushim, shkurret ishin shndërruar në një WC të madhe publike.

Aty , njeriu vështirë merrte fryme nga era e rëndë e mbeturinave të llojllojshme që ishin hedhur me vite. Jo vetëm zijoshët, por edhe kalimtarët tjerë të rastit, ishin mësuar të kryenin nevojat në shkurre. Nga shkurret, pak kush kishte dal i pa përmutur. Pasi shumë herë nuk shpëtonin pa përlyer opingat, ato i fshinin në barin e dendur që rritej aty. Në të shumtën e rasteve, zijoshët, andejpari, kalonin edhe zbathur, por pastaj, për të pastruar këmbët, duhej të shkonin deri të përroska e Zezës. Aty, hidheshin veshje të brendshme, rroba të vjetra e të reja, deri edhe jorganët e vjetër. Mund të gjeje aty këmisha, mitanë e jelek të kalbur. Mund të gjeje aty tirq apo guna(herrka) të leckosura apo të qepura me njëmijë harrna..

Hetuesi i ardhur, pasi mori përsipër dosjen e Mulziut, vizitoi shkurret e Zezës. Që në fillim, ai mbylli hundët nga kutërbimi, por djegien e syve nga era e shurrës nuk e largonte dot. Me shpresë se shumë shpejt do mund të gjente ndonjë gjurmë të arkës me para, për të cilën ishte folur aq shumë, të gjitha këto po i përballonte pa folur asnjë fjalë. Se a do të mund të gjente gjurmë varri aty, as që behej fjalë! Në atë rrëmujë mbeturinash ishte problem të gjendej një pëllëmbë toke e pastër për të bërë qoftë edhe një hap njeriu.

Hetuesi i rastit hasi skelete të ndryshme kafshësh të ngordhura, që i kishin hedhur aty zijoshët. Në shumë raste, ai preku me dorë kocka qenesh të ngordhur, që nuk ishin tretur akoma. Sa herë shihte ndonjë grumbull dheu, ai përvilte duart për gërmim. Sa më shumë që po vazhdonte qëndrimin në shkurre, nisi të urrente çdo gjë rreth vetit. Mallkoi edhe veten pse pranoi të shkojë atje për hetime, në një vend që më shumë i ngjante një grope septike, se një terreni të gjelbëruar me shkurre natyrore. Nuk kishte pandehur i gjori se, atje ku rriten kinlat, hithrat, shtogu, thanat e qenit dhe shurrëpelat, zakonisht ka shumë mbeturina dhe ku njerëzit kryejnë nevojën e tyre fiziologjike. Kishte aty rroba të përgjakura, por që ishin vjetruar apo dëmtuar nga shiu e bora dhe nuk i dalloje dot se çka janë. Hetuesi, tashme i ngjante një pule të lagur që shkapuritë çdo gjë që has përpara. Shikoi rrotull, dhe kur nuk po shihte askund hetuesin vendas, të cilin e mallkoi sa mundi, vendosi të braktisë gjithçka, dhe të ikë sa më parë prej andej. Mendoi edhe për largimin e vet nga puna, pa përmbushur detyrën. (sic.)