LAJMI I FUNDIT:

Përkujtohet rënia e Murit të Berlinit, Merkel: Ne nuk do t’i harrojmë ata

Përkujtohet rënia e Murit të Berlinit, Merkel: Ne nuk do t’i harrojmë ata

Në kryeqytetin gjerman përkujtohet sot rënia e Murit të Berlinit para 30 vjetësh. Në një ceremoni në memorialin e Murit mori pjesë presidenti gjerman, Steinmeier, kancelarja Merkel e krerë shtetesh nga vende të ndryshme.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti i Këshillit të Federatës, Dietmar Woidke (SPD), presidenti i Bundestagut,


Wolfgang Schauble (CDU) dhe krerë nga vende të ndryshme europianolindore morën pjesë të shtunën në një ceremoni në memorialin e Murit për të kujtuar rënien e tij në Berlin para 30 vjetësh.

Merkel para memorialit të qyteti të ndarë dhe viktimave të komunizmit

Kancelarja Merkel kujtoi në kishën e pajtimit, viktimat e murit dhe ato të diktaturës së regjimit komunist të SED-së. “Ne nuk do t’i harrojmë ata”, tha Merkel, dhe falënderoi të gjithë ata që dhanë kontribut në rrëzimin e Murit të Berlinit. Ajo përmendi shtetet fqinjë. “Revolucioni paqësor në RDGJ kishte shembuj të guximshëm”, tha Merkel duke kujtuar zhvillimet atë kohë në Poloni, Çeki, vendet balltike dhe Hungari.

Kancelarja gjerman e cilësoi 9 nëntorin si ditë vendimtare për gjermanët. Tek ajo reflektohen si momentet më të lumtura edhe ato të tmerrshme të historisë gjermane. 9 nëntori i vitit 1938 me pogromat e drejtuar kundër hebrenjve na mëson që t’i dalim ballë të vendosur urrejtjes, racizmit dhe antisemitizmit. Vlerat, në të cilat bazohet Europa nuk janë aspak të vetëkuptueshme, “ato duhet gjithmonë të rigjallërohen dhe të mbrohen”, tha kancelarja Merkel. Këtu kërkohet kontributi i secilit.

Steinmeier vlerëson kontributin e vendeve të Vishegradit për bashkimin gjerman

Merkel më parë bashkë me presidentin, Steinmeier, politikanë të rëndësishëm gjermanë dhe krerët e shteteve të Polonisë, Sllovakisë, Çekisë dhe Hungarisë mori pjesë në një ceremoni përkujtimore në memorialin e Murit, ku u futën për simbolikë trëndafila në mur. Presidenti gjerman inaguroi të shtunën edhe një memorial kujtese si kontribut të vendeve të Vishegradit për rënien e Murit. “Pa guximin dhe vullnetin për liri të polakëve, hungarezëve, çekëve dhe sllovakëve revolucionet paqësore në Europën Lindore dhe as bashkimi gjerman nuk do ishin bërë të mundur”, tha presidenti gjerman.

“Ky vend dhe kjo ditë kujton një arritje të madhe historike”, tha presidenti gjerman. „Ato na kujtojnë, se ne sot për fatin tonë jemi të gjithë të bashkuar në Europë.”

Festimet vazhdojnë të shtunën në mbrëmje me një koncert madhështor në Portën e Brandenburgut. /DW/