LAJMI I FUNDIT:

Përkthyesi i EULEX-it merr azil politik në Suedi, përndiqej nga SHIK-u

Përkthyesi i EULEX-it merr azil politik në Suedi, përndiqej nga SHIK-u

Driton Dragusha, nga Gjilani është larguar nga Kosova në fund të vitit 2014. Së bashku me familje, ka shkuar në Suedi. Atje ka thënë se ai dhe familja e tij e kanë jetën në rrezik për shkak se “është zbuluar nga Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) se ka qenë informator i gazetarit Vehbi Kajtazi”.

Sipas komunikimeve të brendshme të EULEX-it dhe ish-prokurores Maria Bamieh, Dragusha ka thënë se dokumentet për aferën e korrupsionit në EULEX ia ka dhënë gazetarit Kajtazi, i cili kishte raportuar për këtë në gazetën “Koha Ditore” në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit të vitit 2014.


Insajderi ka zbuluar zanafillën e kësaj çështje pasi ka siguruar mbi 70 faqe material konfidencial të komunikimeve të zyrtarëve të EULEX-it gjatë hetimeve për rrjedhjen e informacioneve nga EULEX-i.

Insajderi ka kontaktuar me Dragushën, i cili ka thënë se gjithçka që thuhet në ato e-maile janë gënjeshtra. Kur i janë dërguar pyetje specifike për këtë rast, ai nuk ka pranuar të përgjigjet më.

EULEX-it nuk ka dashur të flas me arsyetimin se rasti është nën hetim. Përgjigje nuk ka dhënë as Suedia.

Dragusha ka punuar si përkthyes së fundi në Task Forcën e Pavarur, (ITF) që po hetonte dyshimet për korrupsion kundër ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesco Florit. Në fund të vitit 2014 kishte humbur punën në EULEX.

Hetuesi i EULEX-it, Berndt Thran, ka hetuar historinë e largimit të Dragushës nga Kosova. Por, në dokumentet që ka Insajderi nuk jepet rezultati i këtyre hetimeve.

Për ta bërë tregimin e tij më të fortë se ai ishte autor i nxjerrjes së dokumenteve të rastin Bamieh dhe të rastit të të akuzuarve të një numri policësh të rajonit të Ferizajt, për shpërthimin në lokalin “Sekiraça” në Prishtinë, Deragusha ka thënë se po ndiqet nga SHIK-u.

Policët e akuzuar janë të afërm të Ilmi Reçicës, ish-zëvendësdrejtor i Shërbimit Informativ të Kosovës.

Dragusha i ka bërë një kërkesë ish-prokurores Maria Bamieh që ajo ta shkruajë një letër për të për ta përdorur për azil. Por, kur Bamieh i kishte kërkuar sqarime se nga kush po rrezikohej, ai i ka thënë se “nuk po e di se për çfarë bëhet fjalë”.

Ish-prokurorja Bamieh i ka treguar Insajderit për kontaktet me Driton Dragushën. Ajo ka treguar se Dragusha i kishte thënë se SHIK-u e ka kërcënuar për shkak të rastit të shpërthimit në lokalin “Sekiraça”, që njihet si rasti “Fantazma”.

Bamieh ishte kontaktuar nëpërmjet koleges së saj, Reeva Bell.

“Reeva më ka thënë se SHIK-u e ka kërcënur sepse ata mendonin se ai i ka dhënë informata gazetarit Vehbi Kajtazi. Kur unë e kam pyetur, ai më ka thënë se nuk e dinte se për çfarë po flisja”, ka thënë Bamieh. “Unë e kam pranuar një thirrje nga kolegia ime Reeva Bell. Ajo me ka treguar se Dritoni duhej te ikte nga Kosova për shkak të rastit ‘fantazma’. Ajo më kërkoi të flisja me të sepse i duhej një letër nga unë për punën e tij në rastin ‘fantazma’, për t’ju pranuar azili në Suedi”.

Bamieh ka thënë se kishte dyshime se ai kishte rrjedhur informata dhe se i duhej ta dinte se pse është kërcënuar. Por, Dragusha kishte refuzuar të jepte sqarime. Pas kësaj, Bamieh e kishte informuar EULEX-in.

“EULEX-i ishte aq i përkushtuar të më dënonte mua për rrjedhje të informatave, qe unë nuk e kisha bërë, dhe refuzuan të hetonin njerëzit tjerë dhe rrjedhje të informatave tjera. Edhe rrjedhjet nga Brukseli për Florin”, ka thënë ajo.

Mats Mattsson, shefi i Divizionit të Ekzekutivit (SHDE) në EULEX, i kishte shkruar hetuesit Berndt Thran një email me subjekt:“Të lutem lexo mesazhin e fundit të Maria Bamieh”. Mattsson shprehte dyshime se Driton Dragusha ishte larguar pasi nuk kishte kaluar testet në konkurrencën e brendshme për të vazhduar punën në misionin e EULEX-it.

Brend ia kthen e-mailin Mattssonit duke i thënë se do ta hetojë deri në fund këtë çështje.
PicMonkey-Collage-710x441

Më 18 nëntor 2014, ish-prokurorja Maria Bamieh i kishte shkruar zyrtarëve të EULEX-it: Danny Jensen, Sarah Hopëood, Gabriele Meucci, Ian Clif, Louise Taylor dhe Sivliu Sandriu. Ajo thoshte se Britania e Madhe e kishte këshilluar që të mos vinte në Kosovë për shkak se ishte e rrezikuar. Pretendonte po ashtu se SHIK-u e ishte infiltruar në EULEX.

“Dirton Agushi, që ka punuar në ekipin ‘Fantazmë’, ka pasur kërcënime nga SHIK-u të cilët kanë shkuar në shtëpinë e tij dhe e kanë kërcënuar atë e familjen e tij. Ai është larguar nga Kosova nga frika dhe ka kërkuar azil diku”, shkruante ajo bazuar në informatat që i kishin dhënë. “Pra, dyshimet ndaj Florit, Novotnas, dhe Ratelit, janë vetëm sipërfaqja e problemit. Unë e kam hapur një ‘kuti me krimba’. Unë nuk po behëm paranojake. Unë besoj që Dritoni mund të ketë qenë burimi i artikujve meqë u largua nga EULEX-i. Unë nuk kam qenë burim i artikujve por EULEX nuk po sheh më gjerë sesa tek unë. Tani të gjithë po rrezikohen”.

Më 19 nëntor, Mats Mattsson i shkruante Bernd Thranit dhe Jarmo Helppikangasit.

“Dritoni është nga Gjilani. Ai ka punuar në mision si asistent i gjuhës. Ai ka qenë me detyrë tek ITF. Ajo çfarë thuhet në e-mail duket të jetë e pa ndonjë rëndësie të madhe dhe ne nuk mund të konfirmojmë në asnjë mënyrë”, shkruan Mattsson. “Ne e dimë që ai është jashtë Kosovës (siç duket me gjithë familjen e tij). Prej sa kohësh? Ne këtë ende nuk e dimë. Arsyet për këtë janë ende të paditura deri më tani, por SHIK nuk përmendet këtu. E dimë se Maria Bamieh ka provuar të lidhet me të përmes personave të ndryshëm, dhe nuk e dimë nëse ka pasur sukses apo jo. Ne nuk kemi asnjë informacion që thotë se Dritoni ka rrjedhur informacione tek mediet më herët apo tani”.

Insajderi ka kontaktuar me Dragushën. Ai nuk ka folur për vendndodhjen e tij e as për motivin e largimit nga Kosova.

“Këto janë shpifje. Emrin tuaj as qe ka qenë i njohur për mua deri sot. Ju kërkoj sinqerisht të mos shkruani për mua se ato çfarë i keni lexuar nga EULEX-i, janë gënjeshtra”, ka shkruar Dragusha në një sqarim nëpërmjet postës elektronike. /Insajderi.com/