Përkthimi i vonuar, zvarrit procedurat gjyqësore
Në sallat e drejtësisë, fjala ka peshë, por vetëm nëse kuptohet. Në një sistem ku gjyqet zhvillohen në disa gjuhë zyrtare, mungesa e një përkthimi cilësor nuk është vetëm një pengesë teknike, por është një pengesë drejt drejtësisë.
Ka seanca që dështojnë të mbahen për shkak të mungesës se përkthyesit apo vonesës në përkthimin e shkresave të lëndës. Kjo bën që rastet të zvarriten dhe gjykata mos të jetë efikase në procedimin e mëtutjeshëm të lëndës.
Ky problem, i cili në thelb duket të jetë teknik, në fakt shkel të drejtat e palëve në procedurë.
Avokati Negovan Sharanoviq, thotë se në praktikën e tij si avokat, është ndeshur me shumë raste ku për shkak të përkthimit të vonuar, përkatësisht dërgimit të vonuar të dokumenteve të përkthyera, ka ardhur deri të zvarritja e panevojshme e procedurës.
“Kjo te palët shkakton pakënaqësi dhe në fund të fundit u cenohet e drejta për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm, e cila është e paraparë edhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut”, ka thënë ai.
Arrita Reznqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor dhe njeh gjuhën shqipe dhe serbe si gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet e administratës dhe gjyqësorit.
“Përkthimi i saktë dhe në kohë i shkresave të lëndës dhe procedurave gjyqësore është thelbësor për garantimin e të drejtave themelore të qytetarëve. Në anën tjetër, cilësia jo e mirë e përkthimeve të shkresave gjyqësore mund të sjell pasoja konkrete ligjore dhe procedurale”, ka thënë ajo.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi, më 4 qershor 2025, ka publikuar raportin “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor”. Ky raport, vë në pah problemet me të cilat përballen gjykatat me numrin e vogël të përkthyesve dhe cilësinë e përkthimit.
Magdalena Dimitrijeviq, monitoruese në IKD, thotë se kanë monitoruar në mënyrë sistematike dhe po vazhdojnë ende monitorimin e seancave gjyqësore, ku risi është monitorimi sistematik në Degën e Graçanicës, krahas seancave që gjithherë janë monitoruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas saj, në rastin konkret, fokus të veçantë kanë pasur rastet ku palë të përfshirja janë palët nga komunitetet joshumicë, në veçanti pjesëtarët serbë të përfshirë në procese gjyqësore në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Graçanicë.
“Kësisoj, janë monitoruar gjithsej 226 seanca gjyqësore gjatë një periudhe shtatmujore, duke mundësuar që të identifikohen praktikat procedurale që janë ndjekur në këto raste dhe sfidat që ndikojnë në efikasitetin e procedurave gjyqësore”, ka thënë ajo.
Monitoruesja e IKD-së thotë se nga monitorimi në Departamentin Special dhe Degën në Graçanicë, del se arsyet më të shpeshta të shtyrjes së seancave janë për shkak të mungesës ose vonesave në përkthim.
“Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë gjatë periudhës së monitoruar, në total u monitoruan 97 seanca gjyqësore në raste të ndryshme. Nga këto seanca, rreth 16.5% të numrit të përgjithshëm të rasteve të monitoruara janë shtyrë”, thotë ajo.
Sipas saj, arsye të tjera të shtyrjes së seancave përfshijnë mungesën e avokatëve mbrojtës, kurse arsye të tjera ishin për shkak të mungesës së palëve të dëmtuara.
“Përgjatë monitorimit disamujor në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë, në total janë monitoruar 129 seanca gjyqësore në Departamentin e Përgjithshëm, nga të cilat rreth 14% të numrit total të seancave janë shtyrë. Në Divizionin Penal, arsyeja më e shpeshtë për shtyrje ishte dorëzimi jo i rregullt i ftesave të palëve. Përveç kësaj, arsye tjera përfshijnë vonesat e prokurorisë në dorëzimin e dosjeve, pra mospajisja me shkresa të lëndës, ndërsa në raste të tjera, arsyeja ishte mungesa e të pandehurve”, ka thënë Dimitrijeviq.
Kurse, në Divizionin Civil, arsyet e shtyrjes, monitoruesja thotë se ishin më të larmishme ku përfshijnë raste të mungesës së përkthyesit, apo edhe mungesës së ekspertit në një tjetër rast, kurse në një rast ishte shkak mungesa e provave. Përderisa, rastin më të shpeshtë të shtyrjes në këto seanca e përbënin arsye të ndryshme të lidhura me çështjen e ekspertizave.
Sinisha Borisavljeviq, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Dega në Graçanicë, në tryezën e IKD-së, ka thënë se angazhohen në vazhdimësi për ruajtjen dhe ngritjen e besimit të qytetarëve.
“Kushdo që punon në gjykatë apo pranë gjykatës, e di sa përgjegjësi madje do të thoja edhe sa e vështirë është puna e gjyqtarëve dhe e përfaqësuesve të gjykatës në përgjithësi. Transparenca dhe llogaridhënia janë padyshim themeli i një sistemi gjyqësor demokratik. Ato nuk janë vetëm parime të përgjithshme të drejtësisë, transparenca është parim universal, por janë gjithashtu të domosdoshme për të ruajtur besimin në funksionimin e gjykatave, sidomos kur flasim për Kosovën, ku ka shumë komunitete dhe gjithashtu njerëz që, në një mënyrë apo tjetër, nuk besojnë në punën e sistemit të drejtësisë”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai tha në se me ndihmën e IKD-së dhe e Këshillit Gjyqësor, mundohen ta arsyetojmë këtë besim në mënyrë që sistemi të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Borisavljeviq, thotë se gjithmonë do të ketë njerëz të pakënaqur, por drejtësia ndodhet diku në mes, teksa shton se Gjykata në Graçanicë është më specifike.
“Puna e Gjykatës në Graçanicë është pak më specifike. Me ndihmën e kryetares së gjykatës dhe kolegëve nga Prishtina, si dhe njerëzve nga Këshilli Gjyqësor, dega sipas mendimit tim dhe shpresoj që edhe sipas raportit funksionon me shumë sukses. Ne përpiqemi të jetë më mirë, gjithmonë ka hapësirë për përmirësim. Përbërja është e përzier, Komuna e Graçanicës përfshin edhe pjesë ku jeton popullata me shumicë shqiptarë, por ka edhe komunitete pakicë, dhe për rrjedhojë ka raste specifike. Në një mjedis të tillë, njeriu duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm dhe i përkushtuar, prandaj shpresoj që këta të rinj të mund të binden për atë që ne bëjmë”, është shprehur ai.
Përparim Zeka, gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka thënë se përkthimi është e drejtë themelore.
“Të drejtën për përkthim dhe interpretim, të drejtën pra për t’u kuptuar dhe për të kuptuar në gjykatë. Kjo e drejtë është e garantuar më Kushtetutë, ligjet procedurale dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nuk është thjesht një formalitet administrativ. Ajo është një garanci substanciale, për një proces të drejtë, për përfaqësim të barabartë dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, është shprehur ai.
Sipas gjyqtarit Zeka, mungesa e përkthimit dhe vonesa në përkthim, ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe legjitimitetin e procesit.
“Nëse një palë nuk e kupton se çfarë po ndodhë në gjykatë apo nuk i ka dokumentet në gjuhën që e flet, atëherë nuk mund të flasim për një proces të drejtë”, ka shtuar ai.






























