LAJMI I FUNDIT:

Përfundon zgjerimi i rrugës Prishtinë-Veternik

Përfundon zgjerimi i rrugës Prishtinë-Veternik

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka njoftuar se kanë përfunduar punimet në zgjerimin e rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës nga ana e Veternikut.​

Abrashi tha se kjo rrugë është e rëndësishme për Prishtinën, pasi rregullimi i saj dhe zgjerimi do ta ndihmojë funksionimin më të mirë të komunikacionit.

“Ky projekt ku brenda ditës kalojnë dhjetëra mijëra vetura, tani po e merr dhe formën pas një investimi të madh dhe tejet të rëndësishëm për Prishtinën. Sot po e hapim për qarkullim këtë pjesë të rëndësishme të rrugës së Veternikut, në mënyrë që t’iu ofrojmë kushte më të mira për qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Prishtinës, pas një periudhe të gjatë të punimeve. Ne do të ndërhyjmë edhe në pjesën tjetër, që kjo rrugë me katër korsi do të merr dhe një shtresë të re të asfaltit”, tha Abrashi.

Ministri tha se kjo rrugë do të jetë arterie e kryesore për kryeqytetin.

“Pas një periudhe shumë të gjatë dhe pas disa vite pritje që të kryhen disa pjesë teknike, do të marrë formë të shkëlqyer. Do të ndërhyjmë edhe në pjesët tjera për asfaltim në dy korsitë tjera. Inxhinierët e ministrisë janë duke punuar për ndërtimin e një ure e cila do ta lidh lagjen Kalabria me lagjen e Spitalit, por që janë projekte afatmesme e që kemi filluar t’i projektojmë”, tha ministri.

Ky projekt që është përfunduar e ka edhe trotuarin dhe shtegun për çiklistët.

Kujtojmë se ish-ministri Pal Lekaj kishte deklaruar se projekti do të përfundon për 155 ditë pune dhe kostoja e përgjithshme e kësaj kontrate është 2,504,150.82 euro. /Telegrafi/