LAJMI I FUNDIT:

Përfundon procesi i gërmimit në tunelin e Llogarasë, Rama: Shpresojmë të mbarojë plotësisht më 1 qershor 2024

Përfundon procesi i gërmimit në tunelin e Llogarasë, Rama: Shpresojmë të mbarojë plotësisht më 1 qershor 2024

Tuneli i Llogarasë, një ndër veprat më të mëdha publike, i pozicionuar në jug-perëndim të vendit, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në gjithë ekonominë e vendit, po jetësohet me ritme të shpejta në terren.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë, së bashku me zëvendëkryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku për të parë nga afër ecurinë e deritanishme të punimeve, kur tashmë ka përfunduar procesi i gërmimit në tunelin kryesor prej 5.99 kilometrash.


Në një postim në Facebook, Rama u shpreh se ka “përfunduar me një moment emocionues për të gjithë skuadrat e angazhuara, gërmimet e tunelit të Llogarasë, i cili tanimë është i hapur në krejt gjatësinë e vet, falë përmbylljes së procesit më të vështirë për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, që do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt Jonit, duke rritur njëkohësisht standardet e sigurisë rrugore.”

“Një punë e bërë në kohë rekord që do të pasohet tani me proceset e tjera, deri në përfundimin e plotë të të gjithë veprës, shpresojmë në 1 qershor të vitit të ardhshëm”, shkuan Rama, ndërkohë që ka shpërndarë edhe pamjet nga tuneli.

Rama shprehu falënderimet ndaj punonjësve të cilët kanë punuar për përfundimin e gërmimeve të tunelit.

“Shumë respekte, punë e shkëlqyer e me të gjitha standardet e me shpejtësi. Shumë respekte. Bravo“, tha kryeministri gjatë inspektimit.

Ndërkohë, Balluku theksoi se vepra mund të përfundojë deri në 1 qershor të vitit 2024.

“Synimi ynë është që në sezonin e 2024, pra 1 qershorin e 2024 e gjithë vepra, pra 7. 4 km sepse 6 km është tuneli dhe 1. 4 janë rrugët ndihmëse dhe lidhëse, urat që do të lidhen direkt me pjesën e Palasës të jenë gati në 1 qershor dhe operative për qytetarët. Ky është synimi i gjithë grupit. Unë falënderoj të gjithë skuadrat që kanë qenë të angazhuara këtu, kanë mbajtur fjalën dhe e kanë mbyllur hapur tunelin para planit që ishte në kontratë”, tha Balluki.

“Dua të falënderoj të gjithë supervizorët, kompaninë Hill e cila punon këtu prej kohësh dhe siç e kemi thënë, këtu kem skuadrat e kompanive turke, skuadrat e kompanive shqiptare dhe supervizionin grek të cilët po bëjnë një punë të shkëlqyer. duket si një forcë ballkanike që po ndërton një tunel që quhet Long Range, pra këto 6 km dhe ndërkohë dua të falënderoj të gjithë ekipet e ARSH-së që kanë qenë gjithë kohën këtu në mbështetje dhe kanë mbikëqyrur punimet për të arritur në këtë moment”, shtoi Balluku.

Krahas tunelit prej 5.99 kilometrash do të jetë edhe një tunel emergjence me gjatësi 6.04 km.

Tuneli kryesor do të jetë i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.

Gjithashtu tuneli është i pajisur në secilën anë me trotuare 1.17 m të gjerë.

Tuneli kryesor është 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, si dhe i pajisur me sistem ajrimi, si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore. Përgjatë tunelit të trafikut ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, 5 janë për mjetet dhe 6 për këmbësorët. /Telegrafi/