LAJMI I FUNDIT:

“Përdhunimi i 11 vjeçares s’mund të tejkalohet me dy shkarkime”, të hënën protestohet sërish në Prishtinë

“Përdhunimi i 11 vjeçares s’mund të tejkalohet me dy shkarkime”, të hënën protestohet sërish në Prishtinë

Të hënën e 5 shtatorit do të vazhdojë në Prishtinë protesta e organizuar nga gjashtë organizata joqeveritare, lidhur me rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet duke filluar nga ora 12:00 para ndërtesës së Qeverisë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Femnist, YIHR KS, CEL, QIKA, QIPS dhe QKSGj kanë thënë se ky rast i përdhunimit dhe “dështimi institucional” nuk mund të tejkalohet me dy shkarkime.


“Dhuna ndaj vajzave dhe grave është në nivele pandemike, andaj dhe luftimi i saj duhet të jetë urgjencë kombëtare. Hulumtime të reja tregojnë që 11 vjeçarja ka qenë edhe më herët viktimë e përdhunimit dhe trafikimit. Për më tepër ajo ka qenë nën mbikëqyrjen e shtetit kur u përdhunua. Ajo u la nga shteti pa mbrojtje i cili u bë bashkëfajtor në përdhunimin e saj”.

“Viktima nuk ka faj”, “Burgim të përjetshëm” – gjithçka nga protesta e sotme kundër dhunës ndaj grave e vajzave
Lexo po ashtu “Viktima nuk ka faj”, “Burgim të përjetshëm” – gjithçka nga protesta e sotme kundër dhunës ndaj grave e vajzave

“E kjo jo si incident i izoluar por si sjellje e vazhdueshme e shtetit në raport me vajzat dhe gratë që përjetojnë dhunë me bazë gjinore në Kosovë. Shteti vazhdon ta ushqejë fenomenin e dhunës ndaj grave duke mos ndëshkuar mostrajtimin e duhur të rasteve të dhunës ndaj grave”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, thuhet se neglizhenca e shtetit është duke i rrezikuar dhe më tej vajzat dhe gratë në Kosovë, sidomos të miturat.

“85% të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 kanë qenë të mitura sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Tutje, raporte kanë treguar se gjykatat vendore kanë dhënë dënime nën minimumin e lejuar me ligj në më shumë se gjysmën e rasteve të dhunës seksuale”.

“Para kësaj braktisje shtetërore dhe pasigurie, ne zgjidhje të vetme e kemi protestën. Të hënën ne mblidhemi dhe i përgjigjemi me revoltë mos adresimin e duhur të kërkesave tona të së mërkurës nga Qeveria. Ne do ulemi dhe do e bllokojmë hyrjen e Qeverisë deri sa përgjigjet qeveritare të na garantojnë siguri”.

Kërkesat e protestuesve janë legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray), shkarkimin e zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin e përdhunimit të së miturës, krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici, siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla.

Për rastin e dhunimit të 11-vjeçares, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve kanë dhënë dorëheqje. Po ashtu, pati edhe dy shkarkime të zyrtarëve policorë të premten. /Telegrafi/