LAJMI I FUNDIT:

Përballja Kurti-Vuçiq në OKB, triumf i kryeministrit ndaj të vërtetës apo shpërfaqje se Kosova nuk qëndron mirë ndërkombëtarisht

Përballja Kurti-Vuçiq në OKB, triumf i kryeministrit ndaj të vërtetës apo shpërfaqje se Kosova nuk qëndron mirë ndërkombëtarisht

Paraqitja e kryeministrit Albin Kurti, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nga analistët në Kosovë po vlerësohet si triumf ndaj të vërtetës.

Kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në këtë mbledhje të mbajtur në Nju Jork të enjten mbrëma, hodhën akuza në drejtim të njëri-tjetrit. Vuçiq akuzoi Kurtin se Qeveria e tij po përndjekë serbët në Kosovë, ndërkohë kryeministri kosovar e akuzoi atë dhe Serbinë se vazhdimisht bëjnë përpjekje për të penguar sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.


Analisti politik, Gazmir Raci, në një prononcim për Telegrafin tha se Kurti me këtë paraqitje e ka demaskuar politikën gjenocidale të Serbisë ndaj Kosovës në çdo aspekt.

“Është betejë e humbur e Aleksandër Vuçiqit. Po ta dinte se do të ballafaqohej ashtu mbrëmë me kryeministrin, nuk besoj që do të shkonte në një takim të tillë. Mbrëmë ka triumfuar e vërteta për dhe rreth Kosovës”, u shpreh Raci.

Kurti në OKB: Nuk do të hakmerremi për vrasjen e 10 mijë qytetarëve tanë nga Serbia
Lexo po ashtu Kurti në OKB: Nuk do të hakmerremi për vrasjen e 10 mijë qytetarëve tanë nga Serbia

Ai tutje tha se kërkesa e ambasadorëve të shteteve mike që Serbia të nxjerrë para drejtësitë sa më shpejt autorët e sulmit të 24 shtatorit në veri, “është po ashtu kërkesa për të cilën po insiston Kosova vazhdimisht që Serbia duhet të ndëshkohet për sulmin që ka financuar, e ka ndihmuar dhe përkrahur”.

“Pranimi i Alexandër Vuçiqit mbrëmë në Këshill Sigurimi se ka taku terroristët disa ditë para sulmi në Basnjkë, përfundimisht e konfirmon involvimin e drejtpërdrejtë të shtetit serb në sulmin terrorist dhe agresionin që e ka bërë në shtator të vitit të kaluar në Kosovë”.

Analisti më tej përmendi pikat kryesore nga fjalimi i kreut të ekzekutivit kosovar, teksa shtoi se Kosova për herë të parë është përfaqësuar në mënyrën më dinjitoze në Këshillin e Sigurimit.

“Dhuna dhe represioni i bërë nga shteti serb gjatë viteve të 90-ta e deri në përfundim të luftës në Kosovë, ishte argumentim më i fuqishëm që u ritheksua karshi Serbisë. Burgosja e vetë kryeministrit Kurti nga shteti serb dhe mbajtja e tortura që ka përjetuar atje, vrasja e 10 mijë njerëzve të Kosovës të pafajshëm, dhunimi i 20 mijë grave të Kosovës, financimi i grupeve kriminale, shpëlarja e parasë serbe që është bërë dhe mbështetja e vazhdueshme e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, janë disa prej elementeve kryesore për të cilën tashmë ka edhe fakte që Serbia është fajtore”, tha Raci.

Gazmir Raci

Ai theksoi se “themelimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës ishte një argument i fuqishëm i kryeministrit për ta demaskuar gënjeshtrën se gjoja serbët e Kosovës po përndiqen etnikisht nga Kosova”.

“Po natyrisht, zotimi i kryeministrit që nuk do të jetë hakmarrje, ishte po ashtu zotim solemn që Kosova do të ecë drejt paqes, bashkëpunimit, stabilitetit e mirëkuptimit”, deklaroi njohësi i rrethanave politike.

Gjatë kësaj mbledhje nuk munguan kritikat e ndërkombëtarëve për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Lidhur me këtë, analisti tha se përdorimi i dinarit në Kosovë ka marrë fund dhe se këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë.

“Por, natyrisht që duhet një fazë tranzicioni për disa elemente që janë të ndjeshme për qytetarët që marrin ndihma sociale pensione nga Serbia  Tjetra, kryeministri edhe një herë e ritheksoi që në veri ka edhe katër degë tjera të bankave të Kosovës që funksionojnë pa asnjë problem. Janë edhe mbi 15 institucione financiare e mikrofinanciare që veprojnë në katër komunat në veri. Kështu që në veri nuk ka hendikep”.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës edhe një herë ka mbrojtur monedhën kryesore të Bashkimit Evropian.

Kupchan: Kurti dhe Vuçiq po e vështirësojnë zgjidhjen duke luajtur me karta nacionaliste
Lexo po ashtu Kupchan: Kurti dhe Vuçiq po e vështirësojnë zgjidhjen duke luajtur me karta nacionaliste

“E mbrojti euron karshi dinarit të Serbisë. Kemi ardhur në momentin kur Kosova e mbron fuqishëm përdorimin e parasë zyrtare të Bashkimit Evropian, që është euroja”, theksoi Raci.

Paraqitjen e Kurtit përball Vuçiqit në Këshillin e Sigurimit e vlerësoi pozitive edhe profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi.

Megjithatë sipas tij, kjo nuk e amniston nga gabimet politike që i ka bërë gjatë vendimmarrjes.

“Në raport me Serbinë ka dalë fitues sigurisht, sepse shumica e vendeve perëndimore e demokratike janë në anën e Kosovës, por kritikat që i kemi marrë nga aleatët, e sidomos nga SHBA-të, për herë të parë janë thënë në mënyrë publike në Këshillin e Sigurimit”, tha Arifi.

Ai shtoi se Kosova ka marrë kritika jashtëzakonisht shumë që çështja e dinarit nuk do të duhej fare të ishte temë diskutimi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

“Kemi marrë kritika shumë që dialogu do të duhej të vazhdonte me ndërmjetësimin e BE-së, se vendimi i BQK-së duhej të pezullohet menjëherë. Pra, ka pasur kritika të hapura dhe publike kundër Kosovës apo kundër mënyrës se si i ka marrë vendimet”.

Dritëro Arifi

Arifi tha se shpreson se kjo të jetë politikë e kthesës në mënyrë që kritikat e aleatëve perëndimorë të kthehen në politikë më proaktive dhe më të zgjuar.

“Shpresoj që Qeveria e Kosovës ta kuptojë se politika ndërkombëtare nuk është lojë fëmijësh. Pra, është shumë komplekse dhe e vështirë. Duhet shumë angazhim për të arritur deri te një konsensus, e Kurti nuk po ia lehtëson punën partnerëve ndërkombëtarë, kur po ata po kërkojnë koordinim, ne po tallemi me perëndimin”.

“Po besoj që nga takimi i mbrëmshëm e kanë kuptuar të gjithë udhëheqësit e politikës së Kosovës që në politikën ndërkombëtare duhet të jemi jashtëzakonisht shumë seriozë”, u shpreh tutje ai.

Kritika për këtë paraqitje të kryeministrit kosovar kanë shprehur edhe nga opozita. Nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku dhe deputeti i kësaj partie, Enver Hoxhaj, kanë thënë se është “mjerim dhe marrëzi që Qeveria jonë e solli punën në këtë pikë”, referuar kritikave për dinarin serb.

“Kuptojeni, në OKB rëndësi ka fjala jonë nëse e mbështesin aleatët. Dëgjojeni fjalimin e Ambasadores së SHBA-ve. Dhe aleatëve tanë. Mjerim dhe marrëzi që Qeveria jonë e solli punën në këtë pikë. Sa më pak që të flitet në KS të OKB për ne, aq më mirë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Ndërsa, Hoxhaj ka deklaruar se politika e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjitha fuqitë kryesore të OKB-së të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit, e kërkuar nga Serbia.

“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fuqitë kryesore perëndimore si SHBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen për asnjë temë ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë, Rusinë dhe Kinën, por një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjithë të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia, gjë që tregon se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës si një vend pa drejtim dhe pa orientim”, ka shkruar ai në Facebook.

Kritika për këtë ka pasur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se “është dëshmuar qartësisht se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën”.

“Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit. Kjo qasje e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet”, ka shkruar ai.

Ndërsa shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se përballja e kryeministrit Kurti me presidentin Vuçiq ishte ballafaqim i së vërtetës me propagandën serbe. Ajo ka theksuar se Serbia gjithherë ka qëllim që përmes propagandës të arrijë synimet.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan që Kosova dhe Serbia të përkushtohen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet, si dhe të përmbahen nga veprime të njëanshme që mund të rrisin tensionet. Serbisë po ashtu iu kërkua që të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Çfarë pyetje u bëhen qytetarëve në diasporë për regjistrim?

Çfarë pyetje u bëhen qytetarëve në diasporë për regjistrim?

Lajme
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, cilat janë vendet skeptike që duan fillimisht asociacionin?

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, cilat janë vendet skeptike që duan fillimisht asociacionin?

Lajme
Kurti merr kundërpërgjigje për kritikat ndaj Prokurorisë Speciale

Kurti merr kundërpërgjigje për kritikat ndaj Prokurorisë Speciale

Lajme
AGK-ja dënon intimidimin publik të deputetit Dimal Basha ndaj gazetares së RTK-së

AGK-ja dënon intimidimin publik të deputetit Dimal Basha ndaj gazetares së RTK-së

Lajme
Profesori i kriminalistikës: Bandat ruse porositën sulm në burgun e Reçit në Shkodër, ja si u planifikua

Profesori i kriminalistikës: Bandat ruse porositën sulm në burgun e Reçit në Shkodër, ja si u planifikua

Lajme
Kalo në kategori