LAJMI I FUNDIT:

Për të mos harruar …

Për të mos harruar …
Ilustrim

Para ca vitesh, prokurori i shtetit për krime lufte në Serbi, Vladimir Vukçeviq, deklaroi diçka te pakëndshme! Prandaj, opinioni dhe mediat serbe u bënë shurdhër dhe heshtën. Fjala është për vrasjen e vëllezërve Bytyqi nga shteti i Serbisë. Heshtën të gjitha mediat, jo nga turpi, gjë që dyshoj, por këtu në Serbi askush nuk turpërohet për asgjë, shkruan gazetari serb Millosh Vasiq, në portalin “Peshçanik”.

Vukçeviq deklaroi se ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Vllajko Stojilkoviq, në vitin 1999 ka urdhëruar vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi.


Këto janë me peshë të madhe, madje edhe në një vend si Serbia ku dy ministra të Punëve të Brendshme, njëri pas tjetrit (Sokolloviq dhe Stojilkoviq), ia kanë shkrepur vetes plumbin në kokë.

Për këtë fakt nuk flet askush, e do të duhej të kishte folur, por ata që duhet të flasin dëshirojnë që gjithë kjo të harrohet.

Njerëzve duhet t’ua përkujtojmë se tre vëllezërit Bytyqi – Agron (23), Mehmet (21) dhe Ylli (25) – shtetas të ShBA-së, kanë ardhur në Kosovë me qellim që t’i bashkohen UÇK-së. Policia serbe i arreston në momentin kur ishin duke e ndihmuar një familje rome që të gjente strehim në Serbi. Duke mos e njohur terrenin, kalojnë në anën tjetër të kufirit. I arreston policia kufitare serbe dhe i dorëzon në gjyqin për kundërvajtje në Prokuple, ngase “nuk kishin viza”. Aty, me procedurë të shkurtër i dënojnë me nga 15 ditë burg dhe me dëbim nga shteti serb, sipas ligjit. Këtu fillon rrëfimi për vrasjen e tyre tragjike.

Stoilkoviq ka bërë vetëvrasje, por prokurori Vukçeviq përmend me emra konkret Roxha Gjorgjeviqin dhe Goran Radosavleviqin, që janë gjallë, si dhe disa që ishin të pranishëm në Petrovo Sello kur janë ekzekutuar të tre vëllezërit Bytyqi. Prokuroria duhet të hetojë dhe vërtetojë se kush i arrestoi vëllezërit Bytyqi pasi u liruan nga burgu dhe kush i dërgoi deri në Petrovo Sello, ku i ekzekutuan me plumba në kokë (trupat e pajetë të vëllezërve Bytyqi u gjetën në poligonin e policës serbe).

Kur u miratua ligji për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës më 11 prill 2002, Stojilkoviqi ia shkrepi vetes plumbin në kokë, në hyrje të Kuvendit federativ, ku ishte deputet i Partisë Socialiste. I kishte lënë disa faqe letre lamtumire, të cilat në Kuvendin serb i lexoi Aleksandër Vuçiq, asokohe sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale serbe.

Nuk e dimë pse dy ministra të Punëve të Brendshme të Serbisë bënë vetëvrasje, dhe me dëshirë nuk do të paragjykonim, thotë gazetari serb Vasiq. Asokohe kishin ndodhur edhe vrasje tjera, si ajo në Magjistralen e Ibrit (tentimi për ta vrarë Vuk Drashkoviqin), tjetra në rrugën “Lola Ribar” nr. 35 dhe e treta në Frushka Gora (vrasja e Ivan Stambolliqit) dhe të gjitha sikur i lidhi edhe përfundimi tragjik i tre vëllezërve Bytyqi.

Serbia duhet të hetojë se kush dha urdhër për vrasjen e tyre, kush i ekzekutoi dhe kush i fshehu dëshmitë për këtë vepër të rëndë kriminale, duke ndihmuar urdhërdhënësit dhe urdhërzbatuesit. Për fund, nuk duhet të harrojmë se ShBA-ja nuk pajtohet lehtë kur shtetasit e saj vriten me gjakftohtësi, pa kurrfarë gjykimi, ashtu siç ka bërë pushteti serb.