LAJMI I FUNDIT:

Për suksesin, si stil i detyruar i jetës moderne …

Për suksesin, si stil i detyruar i jetës moderne …
Ilustrim

Nga: Gëzim Tushi

Megjithëse kanë kaluar tri dekada të jetës në liri, përsëri niveli i përshtatjes me paradigmën moderne liberale, individualiste të vlerësimit prioritar të suksesit si arritje personale, akoma këtë paradigmë “detyruese” nuk e kemi bërë “limfë të natyrshme” të jetës, instrument nxitës, kusht thelbësor për të realizuar qëllimet dhe objektivat e “Projektit Personal”.

Për të qenë objektiv dhe analog me të vërtetën historike të shoqërisë shqiptare, duhet pranuar se nga e kaluara jonë është krijuar tabuja ideologjike, sipas së cilës, shumica ka gjithnjë të drejtë, se opinioni publik është vendimtar dhe për pasojë njeriu në jetë duhet të orientohet dhe të përshtatet sipas kërkesave të tij, se kolektivi ka gjithnjë epërsi mbi individin etj. A është e vërtetë se këto paradigma të orientimit të jetës sociale janë utilitare e ndihmuese për të arritur suksesin në jetë? A nuk është realiteti që sjell fakte, se për shkak të këtij mentaliteti regresiv në jo pak raste individi është i detyruar të përballet dhe shpesh të konformohet me mediokritetin kolektiv që në thelb jo vetëm është cinik, por dhe kundër idesë se suksesi në kohën e sotme, së pari është personal dhe i personalizuar?

Konceptimet naive, deterministe, sociologjizantë që mbivlerësojnë në çdo rast automatikisht “kolektivin apo masën” mbi fuqinë e individit të talentuar janë mjete frenuese që deformon ecjen, pengon progresin. Në kohën moderne shumë veprime dhe funksione sociale kanë prirje të individualizohen. Koha po tregon se suksesi dhe dështimi është individual, ndërsa veprimet kolektive kanë prirje që të reduktohen si sjellje jo shumë të natyrshme për kohën moderne.

Pa dyshim të ndodhur në këtë situatë kalimtare, është e natyrshme përballja ideologjike, sociale e psikologjike me një situatë të zgjeruar kakofonike individual-kolektiviste ende të pastabilizuar e kristalizuar, e cila natyrshëm që shfaqet me oscilacione, herë pragmatiste e herë komunitariste, herë sociale dhe pastaj me prirje e tendencë të personalizuar. Një gjendje kaotike paqartësie e “tranzicioni”, e cila akoma e ka të mbështjellë me ambalazhe diverse superliberale e ndonjëherë edhe populiste “ontologjinë dhe fenomenologjinë” e vërtetë të modeleve të suksesit. Nuk mund të jemi nihilistë, nuk mund të mohojmë hapat që janë bërë përpara, në përcaktimin e identitetit, rrugët që duhet të ndjekë njeriu sot për arritjen e suksesit në shoqërinë shqiptare.

E cila është larguar (jo aq sa duhet) nga substrati dhe ideologjia e deformuar konceptuale kolektiviste e supersociale e suksesit si veprimtari “kolektive”, si vepër e përbashkët e “masave punonjëse”. Është tejet pozitiv fakti që tani shoqëria shqiptare po kultivon një tjetër “ideologji” për suksesin, meritën, arritjen, garën, konkurrencën, performancën. Të gjitha këto instrumente tashmë kanë marrë përgjithësisht rrugën e duhur, atë të orientimit drejt vlerësimit objektiv të individualizmit dhe personalizmit, duke kultivuar masivisht idenë se suksesi në kohën e sotme, më së shumti është prirje e arritje individuale e njeriut që ka objektiva të përcaktuara, vullnetin e duhur, këmbënguljen, rezistencën dhe që në këtë rrugë ecën i bindur dhe i papenguar nga të tjerët, por që në të njëjtën kohë nuk duhet të pengojë të tjerët në rrugën e tyre të suksesit.

Ne kemi nevojë të ndërrojmë optikën, me të cilën e vlerësojmë suksesin dhe njeriun e suksesshëm. Kjo do të thotë të largohemi sa më shpejt të jetë e mundur, nga paradigmat e deformuara, shoqërisht paralizuese. Kjo do të thotë që të edukohemi me botëkuptimin e vërtetë, sipas të cilit, njeriu që e synon suksesin në rrugën e tij dhe përpiqet të ecë, nuk është egoist. Sepse akoma ka në qarkullim ide, por kemi dhe njerëz me mentalitet retrograd për suksesin individual apo që ngrenë “kurthe sociale”, që i kundërvihen brutalisht me cinizëm njeriut të suksesshëm, duke e goditur me sloganet e supersocialitetit të “turmës” apo me paradigmat e zgjeruara të mbivlerësimit të “suksesit komunitarist”. Të dyja format e suksesit individual dhe komunitarist kanë vendin e tyre, të përcaktuar, por pa u përzierë, ca më pak duke penguar njëri tjetrin. Koha ka treguar se në një shoqëri të mirë rregulluar, këto dy forma rrinë afër dhe bashkëjetojnë pa sforcim.

Nuk është e thënë që njeriu që arrin suksesin, që ka vlera individualist të njohura arritje publikisht të pranuara duhet të ndjekë i izoluar rrugën e tij, pa vlerësuar komunitetet apo shoqërinë në tërësi. Nuk është suksesi mjet për të qenë i ndarë, i veçuar nga njerëzit e tjerë apo shoqëria në tërësi.

Me të drejtë, filozofi John Stuart Mill mendonte, se “suksesi nxjerr në pah gabime dhe dobësi, të cilat dështimi nuk i vë në dukje”. Kjo është arsyeja pse tani ka filluar të flitet jo vetëm për “kohën e suksesit personal”, por në të njëjtën kohë edhe për “kohën e sukseseve të dështuara”. Në rrugën e bindjes individualiste si “rruga kryesore” për suksesin në shoqërinë tonë po shfaqen edhe deformacione sociale në jo pak raste. Është fjala për njerëzit që janë dhënë pas sukseseve të njëanshme, që shpesh mund të kthehen në “suksese të dështuara”. Tani janë të pranishëm shumë njerëz që të “droguar” nga puna dhe të obseduar pas suksesit në mënyrë të njëanshme, nuk janë në gjendje të ruajnë ekuilibrat socialë e të vendosin baraspeshat e duhura të “jetës biofilike”, që nuk kanë pozicione utilitare në qëllimet dhe misionet e tyre, në korrelacionet e duhura midis jetës, jetës profesionale, shëndetit, nevojës për miq, për komunitet, martesë, familje, fëmijë, etj.

Pa dyshim kjo situatë ka edhe shkaqet e veta. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se është në natyrën e shoqërisë moderne, që njerëzit janë të dhënë pas suksesit dhe shpesh ndihen të rrethuar vazhdimisht nga ndjenja e frikës së dështimit personal. Më së shumti jemi të frikësuar për të ardhmen tonë, ndihemi të dobët dhe vulnerabël, të frikësuar për vendin e punës. Shoqëria tani është në dilemën që shkaktohet nga lufta personale e njeriut për të qenë i suksesshëm, i pavarur, i përqendruar në sigurinë që duhet garantuar në segmentin e jetës personale. Ky është “karburanti” që ushqen në mënyrë eksentrike ndjenjën e suksesit individual e të personalizuar. Për pasojë në jo pak raste përballemi me njeriu e mbyllur në rrethin e ngushtë të interesave, që lëvizin brenda kornizës së ngushtë sociale nga “unë” te “mua” dhe jo te të “tjerët”.

Ndërkaq tërë gamën e nevojave dhe ndërvarësisë sociale për të pasur sa më shumë sukses, njeriu ka filluar t’i shikojë me optikën e ngushtë personale, duke u nisur nga parimi që pavarësisht tipologjisë së kohës dhe natyrës individualiste të njeriut, suksesi nuk është gjithnjë, në çdo rast i izoluar dhe vetëm i arritur personalisht.

Me sa duket ka ardhur koha që në shoqërinë tonë duhet t’i shikojmë me shumë përgjegjësi sociale disa dukuri, që në thelbin e tyre nuk janë aq shumë të personalizuara sa duken. Sepse disa probleme për shkak të zgjerimit të ideologjisë së individualizmit dhe dëshirës frenetike të njeriut për “sukses personal”, kanë filluar të deformohen në shoqërinë tonë. Padyshim, koha moderne nuk ka sisteme të sigurta për vlerën dhe referencën e suksesit. Kjo është arsyeja që njeriu mendon se nuk është lehtë të arrish suksesin kur je në garë, apo ca më tepër nuk mund ta kapësh atë në rrugë të drejtë, kur sikurse duket, jetojmë në një shoqëri në të cilën gjërat, problemet, duke përfshirë edhe suksesin, janë ndryshe nga që janë të shfaqura jo në shoqërinë utopike të barazisë, por në kuadrin e një shoqërie që po bëhet gjithnjë e më shumë e “lakuar”.

Është koha kur në shoqërinë tonë ka marrë shumë përhapje, ka fituar terren social fakti që shumë njerëz suksesin e arrijnë me rrugë të tjera, që jo domosdoshmërisht dhe në të gjitha rastet është e lidhur me punën. Kjo është arsyeja pse shumë të rinj kanë perceptim të deformuar për suksesin, nga shikojnë se po bëhen të favorizuar një grup njerëzish që po mësohen me pasurinë, lavdinë dhe suksesin, që e kanë arritur, sikurse thotë intelektuali i shquar Zhak Atali në “Sinore të rreme”.

Duke analizuar situatën dhe vlerësuar thelbin, esencën dhe formën e rreme të shfaqjes së lavdisë, suksesit dhe parasë, të krijohet ideja se shoqëria jonë po adoptohet me këtë kundër kulturë të suksesit të pamerituar, pasurimit pa djersë. Dhe për fat të keq në shoqërinë tonë quhen të suksesshëm njerëz të tillë. Edhe ajo po e pranon njeriun me imazh social të rremë, me performancë publike të krijuar prej suksesit të pamerituar.

Kjo nuk është çështje e thjeshtë, as duhet parë si patologji e izoluar që lidhet me një apo disa individë, që janë të “aftë” për të kapur në “forma të rreme” dhe me mënyra të alambikuara paranë dhe suksesin personal. Në të vërtetë, ne kemi nevojë që të shqetësohemi për atë që është thelbësore, për deformimin e sistemit të vlerave, prishjen e mekanizmit të meritës të njeriut, bindjes së tij se i duhet punë, mund, arritje të vërteta për të qenë i suksesshëm, i famshëm, i pasur apo i lavdishëm. Sepse për të qenë i sinqertë deri në fund me veten si qytetar i këtij vendi, por dhe si sociolog, kam përshtypjen se e vërteta e shoqërisë sonë nganjëherë është përtej asaj që “shkëlqen” në mënyrë të rreme, asaj që gabimisht reflektohet si mirazh social i deformuar i njeriut të suksesshëm. Ne duhet të jemi të shqetësuar për faktin që shumë njerëz po ecin në rrugën e gabuar, të një shoqërie që nuk është në gjendje të rregullojë dhe të ndjekë “rregullat e suksesit”.

Megjithatë, pa qenë pesimist duhet pranuar, se nuk është e lehtë të kërkosh rregulla suksesi, sistem të qartë të vlerësimit të drejtë të arritjeve individuale të njeriut, kur tërë mekanizmat dhe sistemet e vlerave dhe qëndrimeve që veprojnë në shoqërinë shqiptare, kanë marrë një drejtim të vetëm duke ecur në rrugën e luftës tërësisht të individualizuar, duke u bazuar jo në vlera dhe parime, por duke penetruar pas “pelerinës sociale” të relativizmit moral.

Në fund të fundit, nuk ka sukses të njeriut në jetë pa gjetur “drejtimin e duhur” të jetës. Kjo është arsyeja më madhore e kohës. Filozofët e shquar Adorno dhe Hokhaimer shkruajnë se koha moderne është e tillë, kur njeriu është i detyruar të ketë besim te suksesi dhe vazhdon të jetë i lidhur pas tij si pas një feje …