LAJMI I FUNDIT:

Për katër vjet rresht, “harrohet” restaurimi i Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë

Për katër vjet rresht, “harrohet” restaurimi i Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë
????????????????????????????????????

Restaurimi i Xhamisë së Çarshisë është paraparë të përfundonte në vitin 2013, por kjo nuk ka ndodhur. Që nga ndërprerja e punimeve në vitin 2013 restaurimi dhe konservimi i kësaj xhamie nuk ka rifilluar ende as në vitin 2017. Kjo situatë po kontribuon që objekti i Xhamisë së Çarshisë të degradohet.

“Xhamia e Çarshisë vijon të mbetet prioritet i Komunës së Prishtinës dhe në kuptim të kësaj është iniciuar bashkëpunimi me Organizatën Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim ‘TIKA’ për të mbështetur punimet në këtë objekt monumental të trashëgimisë kulturore, me qëllim të ofrimit të ekspertizës së tyre. Konservimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore, sipas ligjit, mbeten përgjegjësi e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës për KALLXO.com.


Bisedimet me organizatën turke “TIKA” që punimet të vazhdojnë në vitin 2017 i ka konfirmuar edhe Agim Gërguri, drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore(IMMK).

Në vitin 2011, Komuna dhe IMMK kishin nënshkruar një marrëveshje, sipas të cilës, komuna ofronte 562 mijë euro për katër fazat e punimeve që do t’i kryente IMMK-ja për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë. Kështu, për realizimin e fazës së parë të punimeve, Komuna ka ndarë 80 mijë euro; për realizimin e fazës së dytë 250 mijë; në fazën e tretë ka ndarë 100 mijë euro, ndërsa në fazën e katërt për përfundimin e tërësishëm të projektit Komuna kishte ndarë 132 mijë euro.

Gërguri thotë se buxheti i ndarë nga Komuna e Prishtinës nuk ka qenë i mjaftueshëm për përfundimin e punimeve në këtë xhami.

“Puna konservuese/restauruese është një punë që zgjat shumë, pasi që objekti në fjalë është i shekullit XV dhe është nën mbrojtje të shtetit, punët në xhami janë kryer 85 për qind. Në mungesë të buxhetit punët kanë ngelë pa u kry”, tregoi Gërguri.

Përveç kësaj, Komuna e Prishtinës ka thënë që në buxhetin e saj të projektuar për vitin 2017 janë ndarë mjete edhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Xhamia e Çarshisë ose Xhamia e Sulltan Muratit është ndërtuar në vitin 1393 nga Sulltan Bajaziti i I-rë për ta përkujtuar fitoren e forcave osmane dhe Sulltan Muratit në betejën e Kosovës të vitit 1393. Xhamia fillimisht gjendej përballë Çarshisë së Vjetër e cila u demolua në vitet e 60-ta, prandaj edhe sot mban emërtimin Xhamia e Çarshisë. Kjo është xhamia më e vjetër në qytet dhe mbetet një prej objekteve kryesore të trashegimisë kulturore në Prishtinë. /kallxo/