Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24-vjeçare me 48.9 për qind.

Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), në tremujorin e tretë 2019 fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.1 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 77.8 për qind, krahasuar me meshkujt 38.6 për qind. Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të janë tregtia me 17.5 për qind, ndërtimtaria me 13.5 për qind, prodhimi me 12.5 për qind, si dhe arsimi me 8.9 për qind. Ndërsa sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Kurse të dhënat nga tregtia e jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 12.7 për qind në muajin dhjetor 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Sa i përket varfërisë, rreth 25 mijë familje në tërë Kosovën konsiderohet se jetojnë vetëm me asistencë sociale. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Kosova kishte filluar vitin e pavarësisë më 2008 me një rritje ekonomike mbi 5 për qind, por më pas këtë shkallë të rritjes ekonomike nuk e kishte arritur më.

Lidhur me këtë, Safet Gërxhaliu, sekretar i përgjithshëm në Forumin Investiv të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, ka thënë se, me gjithë sfidat, janë arritur rezultate të mira të fushës së ekonomisë por, sipas tij, ende mbetet për t’u dëshiruar sa i përket rritjes ekonomike, tërheqjes së investimeve të huaja, punësimit dhe raporteve me institucionet ndërkombëtare e që, sipas tij, fatura për të gjitha dështimet iu përket politikëbërësve të cilët neglizhuan agjendën ekonomike.

“Dymbëdhjetë vjet shtet është periudhë kohore mjaft e gjatë, por besoj se janë arritur rezultate të konsiderueshme në fushat e ndryshme. Por, ajo që duhet të jetë brengë për qytetarët e Kosovës, është zhvillimi ekonomik, por meqë kishim politikanë që janë marrë me populizëm dhe folklorizëm sesa me zhvillim ekonomik, jemi këtu ku jemi. Kemi tri vjet të humbura me demarkacion, dy vjet e gjysmë me taksë, që është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës. Në këtë drejtim nuk pritet të kemi investime pasi sundimi i rendit dhe ligjit ka qenë pika më e dobët. Rënia e investimeve të huaja është më shqetësuese derisa vendet e rajonit bëjnë gara dhe seleksionime për investime të huaja, Kosova ka mbetur larg në këtë aspekt. Po ashtu, është shqetësuese prishja e raportove me miqtë ndërkombëtarë. Në një shtet ku definitivisht administrata publike ka qenë krijuese e vendeve të reja të punës, dëshmon mjerimin e ekonomisë. Është për t’u shqetësuar niveli i ulët i eksportit, ku pjesa dërrmuese përbën mbeturinat metalike. Besoj dhe jam i vetëdijshëm se është koha e fundit ku të gjithë duhet të mobilizohemi që për ekonominë të bëjmë më tepër. Interesi i shtetit duhet të jetë mbi interesat e partive politike”, ka thënë Gërxhaliu për Epoka e re.

Gërxhaliu ka theksuar se duhet të kuptohet që vetëm me zhvillim ekonomik të bazuar në rend dhe ligj Kosova do ta arrijë stabilitetin politik, social dhe do t’i përshpejtojë proceset integruese dhe, sipas tij, mbi të gjitha, do ta përmirësojë imazhin e vet që është në pikën më kritike falë gabimeve të politikëbërësve. Ai ka shtuar se në të kaluarën ishte për t’u duartrokitur raporti me FMN-në, Bankën Botërore, partneriteti me ShBA-në dhe vendet evropiane. Sipas tij, tërë kjo është venitur kur në Kosovë erdhi një klasë politike që shumë më shumë humbte kohë për ta ndryshuar të kaluarën sesa për të ndërtuar të ardhmen.

“Jo vetëm që janë zhgënjyer qytetarët me ikjen masive nga Kosova, por i kemi zhgënjyer edhe ndërkombëtarët që ishin sponsorizuesit më të fuqishëm të Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka theksuar se Kosova është shndërruar në një shoqëri që varet nga importi.

“Kur dihet që proporcioni është 9/1 ose 90/10, në këtë mënyrë Kosova është shndërruar në një vend ku investitorët e huaj nuk janë të interesuar”, është shprehur ai.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik Kosovë – Shqipëri, Gërxhaliu ka thënë se është për keqardhje. Ai ka thënë se mungesën e gatishmërisë për bashkëpunim të Kosovës dhe Shqipërisë e kanë shfrytëzuar vendet e rajonit, Serbia, Maqedonia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Bosnja. “Ne duhet ta ndërtojmë një treg bazuar në interes dhe jo në emocione apo marketing politik”, ka thënë ai.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka thënë për Epoka e re se gjatë këtyre 12 vjetëve për nevojat e zhvillimit ekonomik, rritjen ekonomike na është dashur të kalojmë në norma mbi 7 për qind për të pasur ekonomi të qëndrueshme.

“Do t’i konsideroja më tepër si arritje, edhe pse kishim një rritje ekonomike me norma të ndryshme, por në shumicën e kohës deri në 4 për qind, rrallë ka kaluar në norma të larta. Për nevojat e zhvillimit ekonomik ne është dashur të kalojmë në norma mbi 7 për qind për të pasur ekonomi të qëndrueshme. Ne kemi rezultate në zhvillimin e infrastrukturës rrugore, edhe pse kostoja e tyre duket të jetë e lartë. Kanë mbetur shumë projekte zvarrë, kurse problem më i madh është investimi në burime njerëzore, edukim dhe shëndetësi”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se sukseset e tjera mund të thuhet se janë gjysmake.

“Nëse i shihni investimet në sektorin privat, ato janë modeste. Kemi eksport shërbimesh dhe blerjet e diasporës. Investimet publike dhe private duhet të jenë 700 milionë euro më të mëdha në mënyrë që të rritet punësimi dhe të rritet shpresa te qytetarët, duke përmirësuar kështu imazhin dhe duke bërë rregull në rend dhe ligj. Ne kemi zhvilluar një administratë publike të shtrenjtë dhe të madhe për nga numri dhe fatura e pagave që ka kjo administratë. Pra, edhe pa rritjet që janë në ligjin i cili ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, është tepër e madhe. Të gjitha këto janë pengesa”, u shpreh ai.

Mustafa ka folur edhe për marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë.

“Ne jemi sjell në mënyrë inferiore dhe kemi lejuar që eksportet e tyre në Kosovë të kenë shumë avantazhe”, ka thënë Mustafa.

Prodhuesi vendor nga fabrika Meka, Burim Piraj, ka folur për bashkëpunimin tregtar me Shqipërinë që. Sipas tij, edhe pse eksporti është në shifër simbolike, tanimë s’ka pengesa tregtare ndërmjet dy vendeve.

“Ne si kompani eksportojmë në Shqipëri, nuk është ndonjë eksport shumë i lartë dhe merr një përqindje më të vogël se 3 për qind të prodhimit dhe shitjeve të gjithëmbarshme. Vitin e fundit nuk kemi pasur pengesa dhe jemi të kënaqur me qasjen e autoriteteve kufitare të Shqipërisë dhe me trajtimin. Normalisht që prodhimet e mishit kërkojnë dokumentacion shtesë dhe kushte të transportit të rregullta, por ne i plotësojmë ato dhe nuk kemi pengesa”, ka thënë Piraj.

Ai ka folur edhe për kërkesat rreth prodhimit të tij që kishte më parë shteti serb, por që për shkaqe nacionale, sipas tij, nuk kishte bashkëpunim.

“Nga Serbia para shumë vitesh kemi pasur kërkesë për bashkëpunim, mirëpo për shkak të presionit publik dhe frikës, firmat serbe dhe ato shqiptare që veprojnë në Serbi hezitojnë të importojnë nga Kosova. Në Serbi ka një urrejtje shumë të madhe për çdo gjë që është shqiptare. Kush mendon se është ndryshe le të shkojë në Beograd dhe të flasë shqipe do ta shikojë se si e trajtojnë kamerierët, ndoshta edhe nuk i shërbejnë”, ka thënë Piraj, duke shtuar se derisa ne, në Kosovë, shumë elementeve pro serbe u japim edhe hapësirë në media atje, sipas tij, njerëzit e kanë gati të pamundur diçka “Made in Kosova” të nxjerrin në treg.