Naime Hoxha nga Instituti ‘Atomi’ ka thënë se për rreth 10 vjet sa vepron kjo organizatë ka arritur që të identifikojë rreth 360 fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme.

Hoxha ka thënë se ‘Atomi’ merret pikërisht me përkrahjen e fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente.

“Deri më tash, gjatë punës tonë  10-vjeçare, ne kemi organizuar 5 cikle të identifikimit. Aktualisht jemi në ciklin e 6-të dhe kemi 286 atomistë të identifikuar, të cilët në kohën e identifikimit kanë vijuar klasët 8 deri në 12. Jashtë ciklit të rregullt kemi identifiku prej rreth 200 testimeve, atomistë që ne i quajmë atomistë junior, që janë nxënës të moshës 6 deri në 12-vjeç. Po presim që të shtohen edhe rreth pesëdhjetë e diçka atomistë, që në total për 10 vjet do të bëhen rreth 360 atomistë”, tha Hoxha.

Ajo ka thënë se zakonisht identifikimi i këtyre fëmijëve bëhet përmes ciklit të rregullt, ndërsa ka të tillë që referohen edhe nga prindërit, shkolla apo shoqëria, ndërsa tha se kemi të bëjmë me një grup shumë të rrallë në shoqëri.

“Ne kemi dy procedura të identifikimit. Nëse flasim për ciklin e rregullt, Instituti “Atomi” bën thirrje të përvjetshme, ose një vit po – një vit jo, varësisht prej donacioneve, për të aplikuar nxënënsit në klasën e 10 deri në 12, që mendojnë se kanë inteligjencë të jashtëzakonshme ose janë nominuar nga prindërit, shkolla, mësimdhënësit apo shokët/shoqet e tyre. Grupi që ne po e targetojmë janë bukur i rrallë në popullatën e përgjithshme, po flasim për 0.01% të popullatës”, tha Hoxha.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ po transmetohet debati për fëmijët intelegjentë në Kosovë.

Pjesë e debatit janë Naime Hoxha, drejtoreshë e ‘Atomit’, Olta Olluni, atomiste, Visar Sadiku, psikolog i fëmijëve, Blerim Saqipi, dekan i Fakultetit të Edukimit në UP dhe Dafina Ukallo, prind i një atomisti./Kallxo