Pep Guardiola i ka treguar Man Cityt kush duhet ta zëvendësojë atë në rast largimi

Pep Guardiola thuhet se tashmë i ka bërë të ditur Manchester Cityt se dëshiron që një trajner nga një klub tjetër elitar ta zëvendësojë atë, pavarësisht se kohët e fundit kanë qarkulluar zëra për një lidhje me trajnerin e Chelseat, Enzo Maresca.
E ardhmja e Guardiolës është sërish e paqartë, edhe pse trajneri i Cityt nënshkroi një kontratë dyvjeçare në nëntor të vitit 2024 për të zgjatur qëndrimin e tij në klub.
Spanjolli është në krye të Manchester Cityt që nga viti 2016 dhe ka fituar gjashtë tituj të Ligës Premier, një Ligë Kampionësh, si dhe disa trofe të tjerë madhorë.
Megjithatë, sipas David Ornstein të The Athletic, City tashmë po shqyrton mundësitë për një pasardhës të mundshëm të Guardiolës, në rast se ai vendos të largohet në fund të sezonit aktual.
Në këtë kontekst, trajneri aktual i Chelseat, Enzo Maresca, thuhet se vlerësohet nga hierarkia e klubit, pasi ka punuar dy herë te Manchester City: fillimisht si trajner i akademisë në sezonin 2020/21 dhe më pas si ndihmës trajner i ekipit të parë gjatë sezonit historik 2022/23, kur City fitoi tripletën.

Ndërkohë, vetë Guardiola ka sugjeruar më herët se trajneri aktual i Bayern Munichut dhe ish-kapiteni i Cityt, Vincent Kompany, një ditë do të rikthehet në Etihad si trajner i klubit.
“Fati i tij për t’u bërë trajner i Cityt është tashmë i shkruar në yje. Do të ndodhë. Nuk e di kur, por do të ndodhë”, është shprehur Guardiola.
Në atë kohë, Kompany ishte trajner i Burnleyt, por që atëherë ai është transferuar te gjashtë herë kampionët e Europës, Bayern Munich, me të cilët fitoi titullin e Bundesligës 2024/25.
Kompany zhvilloi 360 paraqitje për Manchester Cityn mes viteve 2008 dhe 2019, një periudhë gjatë së cilës ndihmoi klubin të fitonte 12 trofe madhorë, përfshirë katër tituj të Ligës Premier./Telegrafi/












































