LAJMI I FUNDIT:

​PDK kërkon debat parlamentar për “tiketat ngjitëse”

​PDK kërkon debat parlamentar për “tiketat ngjitëse”

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kërkuar debat parlamentar për “tiketat ngjitëse” për regjistrimin e automjeteve.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri pas mbledhjes së kryesisë tha se një debat i tillë është i pamundur nëse ministri i Infrastrukturës nuk do të marrë pjesë në debat.

Tahiri potencon se Qeveria Kurti e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit vendimin e parë e mori duke rënduar barrën financiare të qytetarëve të vendit.


“Si PDK propozuam debat parlamentar me ‘tiketën ngjitëse’ që tashmë ministria e Infrastrukturës dhe ambienti ka nënshkruar me një kompani me procedura jashtëzakonisht të dyshimta dhe besojmë në kundërshtim me ligjin. Kërkuam debat parlamentar i cili do t’i paraprinte anulimit të kësaj takse. Pra mund ta imagjinoni që qeveria që doli nga 14 shkurti vendimin e parë që i prekë qytetarët e Kosovës nuk është vendim që ndihmon në mirëqenien e tyre, nuk është vendim që ndihmon ata ekonomikisht, nuk është vendim që lehtëson jetën e tyre. Mirëpo vendimi i parë i Qeverisë Kurti është rëndimi i barrës financiare të qytetarëve. Kjo qeveri nuk është një qeveri që zhvillon por që varfëron”, tha Tahiri.

Mos prezenca e ministrit kur të diskutohet për “tiketën ngjitëse” sipas Tahirit do të ishte një tregues se qeveria është e papërgjegjshme për të udhëhequr.

“Fatkeqësisht u pamundësua mbajtja e këtij debati për seancën e ardhshme sepse kërkesa që kishim në raport me ministrin e Infrastrukturës nuk u përgjigj fare në kërkesën e Kuvendit të a mundet me qenë në seancë apo jo. Pra nuk morën përgjigje fare dhe kjo tregon që pas këtij angazhimi korruptive kanë të vështirë që të ballafaqohen me qytetarët e Kosovës[…]mos prezenca e ministrit na pamundëson me mbajt një debat të tillë ministri nuk na u përgjigj fare dhe kjo tregon më së miri se çfarë qeverie e papërgjegjshme është duke udhëhequr”, tha ai.

Ndërsa shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se të enjten do të ketë seanca të rregullt e ku do të jetë edhe debati parlamentar i kërkuar nga PDK.