Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, Drejtoresha Ekzekutive e Institutit të Bazelit për Qeverisje në Zvicër (IBQ), Elizabeth Andersen, dhe Drejtori i Qendrës Ndërkombëtare për Rikthimin e Pasurive (QNRP - ICAR), Iker Lekuona, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Në njoftim bëhet e ditur se marrëveshja synon të çojë përpara përpjekjet për rikthimin dhe riatdhesimin e pasurive që janë fituar në mënyrë të paligjshme përmes korrupsionit ose formave të tjera të abuzimit me pushtetin, të cilat gjenden jashtë vendit dhe i përkasin ligjërisht Republikës së Kosovës.


“Për më tepër, kjo marrëveshje bashkëpunimi synon të mbështesë lehtësimin e një bashkëpunimi më efektiv me autoritetet e shteteve të tjera në lidhje me gjurmimin, identifikimin dhe ndjekjen penale të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftimin e korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu, përmes këtij bashkëpunimi, Instituti i Bazelit për Qeverisje, nëpërmjet këshillave strategjike, udhëzimeve praktike dhe ndihmës, do ta mbështesë Prokurorin e Shtetit në çështjet e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të paligjshme, sipas standardeve dhe praktikave më të larta të bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/