Pasqyra e një politikani

Politikani: Të kam thënë që në krye të herës, unë nuk jam politikan.
Pasqyra: Po, kjo është e vërtetë, e ke thënë. E vërtetë jo vetëm që e ke thënë por edhe që nuk je politikan. Megjithëse ti ke një dëshirë të brendëshme për tu bërë i tillë dhe kot mundohesh ta fshehësh. Po tek e fundit ç’të keqe ka?!
Politikani: Po, ke të drejtë, tashmë e kanë kuptuar të gjithë. Unë dua të bëhem politikan. Prandaj erdha të të takoj e të bisedojmë pak për këtë. Kush është më i mirë, më i fortë apo suksesshëm, unë apo ai?
Pasqyra: Kush?
Politikani: Ai, mos bëj sikur s’e di; ai që më mundi; dhe meqë ra fjala, a e meritoja ta humbisja atë betejë?
Pasqyra: Sigurisht që nuk e meritoje ta humbisje. Ti ishe më i miri, i pakrahasueshëm me të tjerët; ti ishe si Obama.
Politikani: Si Obama?!
Pasqyra: Po po, si Obama. Ti mbaje fjalime pa të ngecur goja, luaje me fjalën si mjeshtërit e mëdhenj të letrave. Ti dilje shumë mirë para publikut, popullit, turmës. Visheshe bukur, klas, shik, si artis; e nganjëherë thjeshtë, lirshëm, si populli. Ata të duartrokisnin, brohorisnin, madje të dashuronin. Prandaj të them që ti e meritoje ta fitoje atë betejë. Madje e fitove ate.
Politikani: E fitova?!
Pasqyra: Po po, e fitove, ishte fitore morale, ishte fitore e madhe. Meqë ra fjala, ti i more edhe votat e popullit, turmës, shumicës. Por, ata t’i vodhën, grabitën, manipuluan.
Politikani: Pse, edhe ti e beson këtë?!
Pasqyra: Sigurisht, absolutisht, domosdoshmërisht, po; s’ka si të jetë ndryshe. Ti ishe e ardhmja, e përtejmja, epoka e re.
Politikani: Pse?
Pasqyra: Nuk kishte si të fitonte ai; enveristi, komunisti, arkaiku, i korruptuari, ai i 97-ës, ai i Gërdecit, i qeverisë së pykave. Ai i të gjitha të zezave të këtij vendi.
Politikani: Tani po flet si unë. Tani s’të besoj as ty, po dyshoj. Thua t’jetë e vërtetë?! Tashmë kam ngelur vetë.
Pasqyra: Jo, më ke edhe mua. Pse ti paske mashtruar?! Unë të kam besuar. Edhe për kutitë?! Nuk do hedhim dritë?!
Politikani: Tani po meditoj, s’dua të gaboj.
Pasqyra: Mos u shqetëso, mua më beso. Ndoshta je penduar por, populli s’të ka harruar. Ngrihu e guxo, deri në fund lufto. Se do vijë dita, t’i mundim ata banditë. Çohu, dalim, te sheshi. Se na ndihmon dhe kriza, papunësia, varfëria.
Politikani: Sa peshë do ketë kriza, ai do u heqë vizat?!
Pasqyra: E ç’ndryshim do të sjellë, ku do shkojnë shqiptarët e mjerë. Ata janë të frustruar, shumë fatura për t’paguar. Të gjithë duan ndryshimin që kanë ëndërruar.
Politikani: Edhe keq s’e ke, le ti ftojmë me ne. Me datë 30-të te sheshi. Na pret revolucioni, dëgjoni a s’dëgjoni. Të gjithë si n’Kirkizstan se dhe k’tu është han.
Pasqyra: Mos harro tunelin, akoma është i mbyllur, Fazlliçin, Taçin, centralin nuklear, dhe tokat që janë përmbytur.
Politikani: S’di sa do na besojnë, se na ka dal pak boja, duhe t’jemi bindes, jo duke bërë gjoja.
Pasqyra: Kanë për t’na besuar, janë të hutuar. Kanë dëgjuar dhe analistë, politik e ekonomistë. Punë do bëjë dhe sheshi, që me ta na ndeshi. Po na ndërhynë në kompetenca. Këto s’janë pretenca.
Politikani: Po tjetër ç’do u themi, ç’zgjidhje do ju shtrojmë?! Apo qeverinë të rrëzojmë?! Po ç’do thotë bota?!
Pasqyra: Përpjekje të kota. Por, le ta provojmë, ja dolëm s’ja dolëm, ditët do të shkojnë. Se edhe këta tanët, po formojnë klane, s’i kemi mirë planet.
Politikani: Po zgjedhjet vijnë shpejt, të provojmë dhe një herë. Mbase do jenë më “fer” (fair). Po ç’sistem do zgjedhim, që prapë të mos na e hedhin. Ata na kanë ftuar, po ne s’kemi pranuar. Pa hapur këto kuti, s’kthehemi në shtëpi.
Pasqyra: T’a mbrojmë kauzën tonë, për demokraci, transparencë. Do bëjmë rezistencë.
Politikani: Po ata janë zotuar, kush rregullat t’i thyejë, me ligj do e ndëshkojnë. Madje po na sfidojnë; edhe ata te sheshi, na bëjnë karshillëk.
Pasqyra: Ata le t’bëjnë festë, ne kemi protestë. S’ka kohë për valle. Ne kemi shumë halle. Po na mbarojnë dhe paret. Ç’peshë do kenë fjalët?!
Politikani: Paret?! Fjalët?! Jo, kurrë s’na mbarojnë. Kauzën do ta mbrojmë. Jemi të vendosur. Nuk ka kthim mbrapa. Këtu ndahet koha, e tyrja dhe e jona.
Pasqyra: Unë tashmë dyshoj. Dua të meditoj. Kjo rrugë është e gabuar, askund s’ka për t’na çuar. Tashmë po humb durimin, bindjen dhe besimin. Pushteti s’merret me dhunë, ai kërkon shumë punë. Kërkon shumë strategji, union e koherencë. Kjo nuk është pretencë. S’kanë për të na dëgjuar, e jo më të na besojnë. Prapë në shtëpi do shkojnë. S’dinë ku është e vërteta. Do na braktisin. Do ngelim me dy-tri veta.
Politikani: Shumë po m’acaron, dëgjon a s’dëgjon. Unë jam i vendosur, gjerë sa s’ka të sosur. Dy apo tri veta, me mua është e vërteta. Unë jam misionari, i vetmi dhe i pari. Nuk them se jam mesia. Do flasë vetë historia. Kjo është një mënxyrë, tashmë s’kam as pasqyrë. Dëgjo moj e uruar, kam nje lajm te mirë; dhe më fal që thashë mynxyrë. Së fundi po bëhem politikan, kam thirrur dhe avokanë. Ai të bën hatanë. Por ai nuk është i vetmi, është Nardi edhe Preçi. Ushtrinë po e zgjeroj, betejën do ta fitoj. Ja unë e ja ai. Është luftë për demokraci.
Pasqyra: Tani është vonë more i mjerë. Luftën e fituan të tjerë. E fitoi ai, me te tija. Humbe ti, jo Shqipëria.





































