LAJMI I FUNDIT:

Pasioni im është uniforma, politika është sakrificë!

Pasioni im është uniforma, politika është sakrificë!

Ai është bërë i njohur në kohën më të rënda të luftës në Kosovë. Ka marrë komandën e UÇK-së atëherë kur Kosova po zbrazej nga soldateska serbe. Në këto dhjetë vjetët e fundit ka pranuar dy herë dy përgjegjësi të mëdha. Gjatë luftës të bëhet shef i Shtabit të UÇK-së dhe pas luftës të bëhet kryeministër i Kosovës pa librezë partiake. I ka përballuar si fitues të dyja sfidat. Tash është krenar edhe për kohën e luftës edhe të paqes. Beson në liri, në Zot dhe në vetvete.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Duke lexuar këtë intervistë ju do të “bashkëbisedoni” me djaloshin nga Peja i cili që në moshën e re shkollore ëndërroi dhe synoi uniformën ushtarake, me strategun e artit luftarak i cili i fitoi dy luftëra kundër serbëve, njërën në Kroaci e tjetrën në Kosovë, me liderin politik që ka ndërruar uniformën por jo edhe devotshmërinë për atdheun, me bashkëfamiljarin që ndan dashurinë familjare prindërore në trekëndëshin Prishtinë-Zarë-Qyshk i Pejës, me Agimin që nuk është “nazeli” në ushqim, por që është koleksionues i mirë i verërave, me njeriun që nuk mban inat, që nuk nxehet dhe nuk bërtet…


Ky është gjeneral Agim Çeku, ky është politikani, kryetari i PSD-së, Agim Çeku.

Kur vendose t’i hyje karrierës dhe ç’do të bëje në mungesë të saj?

Karrierës sime prej ushtaraku kam vendosur t’i hyjë menjëherë pas përfundimit të shkollës fillore. Për atë kohë kushtet që ofronte ky lloj shkollimi, kanë qenë shumë të mira. Edhe puna dhe privilegjet që ofroheshin pas përfundimit të akademisë kanë qenë joshëse. Po të mos i hyja karrierës së ushtarakut kam pasur dëshirë të shkoja rrugës së babait dhe të bëhem mësues. E kam dashur shumë edhe këtë profesion. Ndoshta do të bëhesha edhe mjek sepse për këtë ka pasur dëshirë nëna ime e ndjerë.

Çfarë ke mësuar për herë të parë dhe kush ishte mësuesi yt i parë?

Unë kam pasur fatin që mësuesin timin të parë ta kemi babanë tim, Hasanin, prej të cilit kam mësuar edhe abetaren edhe edukatën, edhe mirësjelljen, por edhe njohuritë me të vlefshme për jetën. I jam shumë mirënjohës.

Çfarë ju ka mbetur peng nga jeta juaj rinore që nuk keni mundur ta realizoni, për vetë sistemin e asaj kohe?

Rinia ime ka qenë pak a shumë e ndryshme nga rinia e shumicë së bashkëmoshatarëve të mi. Unë menjëherë pas mbarimit të shkollës fillore jam regjistruar në gjimnazin ushtarak ku ka pasur disiplinë dhe regjim të rreptë. Është dashur të jetojmë me rregulla strikte dhe t’ju përmbahemi këtyre rregullave. Ne nuk kemi pasur mundësitë dhe lirinë që e kanë pasur të rinjtë tjerë.

Kush ju ka nxitur më shumë në jetë?

Me së shumti në jetë me kanë nxitur prindërit e mi sidomos babai të cilin e kam pasur edhe mësuesin tim të parë. Një nxitës dhe motivues tjetër në familje ka qenë edhe kushëriri im, tashmë dëshmori i kombit Skënder Çeku. Ai ka qenë lidhja ime më Kosovën dhe UCK-në. Ka qenë shembull dhe frymëzues për ne.

Si ushtarak profesionist, a keni shpresuar se një ditë do të bëheni lider në politikë?

Asnjëherë nuk kam pasur ambicie politike dhe nuk më ka shkuar në mendje se do të bëhem lider politikë. Unë kam ardhë në Kosovë për të shërbyer dhe për ta ndihmuar vendin tim aty ku mund të jem më i dobishëm. I kam shërbyer me ndershmëri edhe gjatë kohës sa kam qenë ushtarak, por edhe gjatë kohës sa kam qenë kryeministër. Dhe, për këtë jam krenar.

Në Kroaci çmoheni si hero i luftës, ndërkaq në Kosovës si shef i Shtabit të UÇK-së. Në cilën uniformë e keni ndjerë veten më krenar, në atë të ushtrisë kroate apo të UÇK-së?

Për kontributin tim në luftë për çlirimin e Kroacisë kam marrë shumë dekorata dhe mirënjohje të cilat ju jepen vetëm njerëzve me kontribute të veçanta. Unë jam krenar që jam radhitur në anën e një populli liridashës dhe kam dalë fitues. Por, edhe gjatë kohës sa kam qenë në Kroaci, mendja dhe zemra ime kanë qenë në Kosovë. E kam ditur se beteja dhe lufta ime e vërtetë është Kosova. Dita kur kam ardhur në Kosovë dhe kam hyrë në UÇK ka qenë dita më e lumtur e jetës sime. Në asnjë uniformë tjetër nuk e kam ndjerë vetën më mirë, me krenar dhe më ngrohtë se sa në uniformën e UÇK-së.

Për arsye të fletarrestim serb jeni ndaluar dy herë nga polici të shteteve të huaja. Cila është ndjenja kur të ndalojnë policë të shteteve të huaja në bazë të një fletarrestim serb?

Arrestimet e mia janë bërë mbi bazën e disa akuzave absurde dhe të motivuara politikisht nga Serbia. Është shumë fyese edhe për mua por edhe për Kosovën që unë të ndalohem dhe arrestohem mbi bazën e një akuze të pabazë të nënshkruar nënshkruan nga njëfarë Danica Marinkoviq, një gjykatëse famëkeqe të cilën qytetarët e Kosovës e njohin për veprimet e saj antishqiptare dhe antinjerëzore.
Ndalimi im ka qenë ndjenjë e keqe dhe fyese jo vetëm për mua dhe familjen time, por edhe për institucionet e Kosovës dhe qytetarët të cilët kanë bashkëndjerë më mua dhe ka shprehur solidaritet për çka dua t’i falënderoj edhe një herë publikisht.
Besoj se këto çështje do të sqarohen shpejt dhe Interpoli nuk do të bie me në grackën e autoriteve serbe.

Çfarë ka ndryshuar nga Agimi ushtarak tek Agimi politikan?

Përveç gardërobës dhe natyrës se punës në thelb nuk ka shumë ndryshime nga Agimi ushtarak me Agim politikan. Përkushtimi dhe devotshmëria për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve kanë mbetur të njëjta.

Politika, është sakrificë apo privilegj?

Politika është edhe sakrificë edhe privilegj. Por unë politikën më shumë e kuptoj dhe e ndjej si mision. Si mision i mundshëm dhe si mjet për ndryshimin e gjërave për të mirën e qytetarëve dhe të vendit. Për këtë arsye edhe kam pranuar të vesh petkun e politikanit.

Përveç politikës, ç’pasione të tjera keni?

Pasioni im më i madh padyshim që mbetet uniforma. Pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar në uniformë dhe e kam dashur shumë këtë profesion. Jam ndjerë shumë komod në të. Puna e ushtarakut ka qenë profesioni dhe pasioni im. Të qenit ushtarak ma ka kultivuar ndjenjën e përgjegjësisë dhe shërbimit ndaj vendit. Dhe këtë e konsideroj si shumë të rëndësishme edhe në rrugën e re në të cilën kam hyrë.

Pushteti dhe suksesi…Sa ndihmohen?

Të qenët i pushtetshëm nuk të bën apriori të suksesshëm. Ata që e keqpërdorin pushtetin në dëm të interesave publike sado të fuqishëm të jenë nuk mund të quhen të suksesshëm. Pushteti dhe suksesi e ndihmojnë njëri-tjetrin vetëm kur i shërbejnë interesave të përgjithshme.

Pushteti ku fillon dhe ku mbaron për ju?

Pushteti për mua fillon të interesi i përgjithshëm dhe përfundon në të njëjtën pikë të interesi i përgjithshëm.

Kush ka pushtet mbi ty?

Si për të gjithë njerëzit i plotpushtetshëm për mua është vetëm Zoti. Natyrisht në punën time si politikan pushtet mbi mua mund të kenë vetëm qytetarët, ata për të cilët punojmë, dhe assesi individë dhe grupe të veçanta.

Çfarë keni mësuar duke qëndruar më pranë politikës dhe njerëzve të pushtetshëm?

Unë kam pasur fatin të njoh dhe punoj më shumë politikanë dhe ushtarakë të kalibrit botëror. Kam mësuar shumë prej tyre. Kam mësuar se sa më i madh që je aq më i thjeshtë je. Mbi të gjitha kam mësuar se si mbrohet interesi nacional, si duhet të sillet një burrështetas dhe më çfarë dinjiteti duhet të përfaqësohet vendi prej atyre që u është besuar ky përfaqësim.

Politikani që ju adhuroni?

Nuk kam ndonjë idol të veçantë apo dikë që adhuroj nga politikanët. Megjithatë respektoj dhe vlerësoj shumë politikanë dhe burrështetas që kanë bërë ndryshime jo vetëm për vendin e tyre por edhe me gjerë. Personalisht me impresion rruga e disa politikanëve që kanë hyrë në politikë pasi kanë pasur karrierë të ndritshme ushtarake. Përmend këtu gjeneralin Ajzenhauer, gjeneralin De Gol, gjeneralin amerikan Pauell etj.

Kë personazh të njohur shqiptar apo të huaj do të ftoje në një mbrëmje?

Kam shume miq të huaj dhe ndërkombëtar me të cilët do te rrija dhe bisedoja me kënaqësi. Nga të huajt më pëlqen të rri me miqtë e mi ushtarak Gjeneralin Uesli Klark dhe gjeneralin Xhekson me të cilët kam bashkëpunuar në periudha të vështira. Kam çka të bisedoj me ta dhe çka të mësoj prej tyre. Nga miqtë shqiptar e kam të vështirë të veçoj ndonjërin, sepse kam shumë të cilët i nderoj dhe i respektoj.
Më shumë kënaqësi do t’i ftoja në mbrëmje Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin apo Sabri Godon. Janë mendje brilante.

Jeni personalitet shumë i vlerësuar, ç’ju mungon?

Është ndjenjë e mirë të jesh i vlerësuar dhe i respektuar nga njerëzit. Ky është një tregues i besimit dhe shenjë se ke punuar mirë dhe ju ke shërbyer ndershmërisht interesave të publikut. Unë mundohem që me çdo sjellje dhe veprim timin ta arsyetoj këtë besim dhe respekt që kanë qytetarët tek unë dhe të mos i zhgënjej.

Kujtimi që ju trishton kur e risillni ndërmend?

Kam shumë kujtime të hidhura që më sjellin dhembje sa herë që i kujtoj. Një nga kujtimet e hidhura ka qenë lajmi për vdekjen e nënës, të cilën e kam dashur shumë dhe të cilës i kam munguar shumë. Por, kujtimi më i dhimbshëm i jetës sime është lajmi për masakrimin e babait tim Hasanit dhe dhjetëra të afërmeve dhe bashkëfshatarëve të mi në Qyshk, në maj të vitit 1999.

Si e ndihmon veten të jesh optimist?

Besimi në punën që bën dhe qëllimin që do të arrish dhe ndjenja se je duke punua mirë me bën të jem optimist. Por, kurrë në jetën time nuk kam qenë optimist i pamatur. Gjithmonë jam munduar të jem optimist racional. Përvoja më ka mësuar se pesimizmi dhe optimizmi i pamatur nuk janë kurrë këshilltarë të mirë..

Armiqtë dhe miqtë…Si fitohen?

Unë mundohem të mos krijoj armiq, kurse miqtë mundohem t’i respektoj dhe t’i ruaj. Është lehtë të krijosh armiq, por vështirë është të gjesh miq të vërtetë. Fatbardhësisht, unë kam shumë miq të tillë të cilët i vlerësoj dhe me vlerësojnë. Përderisa jemi miq ndajmë vlera të përbashkëta dhe për shumë gjëra mendojmë dhe veprojmë njëjtë.

A ka kufij dhe mure që ju duhet të shtyni çdo ditë?

Padyshim që ka pengesa të shumta të cilat duhet t’i kapërcejmë çdo ditë. Por jo të gjithë arrijnë t’i kapërcejnë të gjitha pengesat dhe të mbërrijnë në cak. Dikush ndalet të pengesat e para, dikush në mes dhe vetëm ata që janë përgatitur mirë dhe kanë besim arrijnë t’i kalojnë të gjitha pengesat dhe të mbërrijnë të qëllimi.

Z. Çeku cila është familja e juaj, bashkëshortja, fëmijët…

Unë kam familje të madhe më shumë vëllezër dhe motra të cilët i dua, i respektoj dhe i vizitoj shpesh. Familja ime e ngushtë siç jemi mësuar të themi janë gruaja ime, 2 djem dhe vajza, të cilët jetojnë aktualisht në Zarë. Unë i vizitoj shpesh ata shpesh në Zarë dhe ata vijnë shpesh në Kosovë. Jemi të ndarë dhe të bashkuar mes Prishtinës dhe Zarës. Prishtinë – Pejë (Qyshk) – Zarë. Ky është trekëndëshi ku lëvizi më së shpeshti.

Ekstravaganca juaj është pjesë e karakterit apo pasojë e pushtetit?

Unë nuk e konsideroj veten ekstravagant dhe nuk jam sjellë kurrë si i tillë pavarësisht detyrave dhe posteve që kam pasur. Pjesë e karakterit tim nuk është ekstravaganca, por është thjeshtësia dhe mendoj se kjo është vlera të cilën të tjerët e çmojnë më së shumti të unë.

Bëni shumë komplimente?

Nuk jam prej atyre njerëzve që bëjnë komplimente vend e pavend. Po ashtu nuk jam shumë dorëlirë në shpërndarjen e epiteteve. Unë mundohem tua them njerëzve të vërtetën në sy dhe t’i quaj me emrin e vërtetë. Unë e vlerësoj punën e mirë që bëjnë të tjerët dhe nuk hezitoj të lavdërojë kontributin e njerëzve. Jap vlerësime dhe komplimente, por më masë.

Kur nxeheni, si reagoni?

Nuk ndodh të nxehem shpesh. Por, nëse me ndodh ndonjëherë, mundohem të jem sa më i përmbajtur. Ka raste të rralla kur shpërthej, por shpejt kthehem.

Çfarë të bën të mos rezistosh?

Kur sheh dikë që vuan dhe nuk kam mundësi t’i dalë në ndihmë ndjehem i pafuqishëm. Për nga natyra jam solidar dhe dëshiroj që t’i shoh të gjithë njerëzit mirë dhe ndjehem tepër keq kur shoh dikë që jeton keq dhe nuk ka mundësi të bëjë një jetë normale.

A je inatçi?

Nuk jam inatçi në kuptimin klasik të kësaj fjale. Këmbëngulës jam. Kur i hyj një punë jam i vendosur ta qoj deri në fund.

Çfarë gatuan vetë?

Nuk mund të krenohem shumë në këtë fushë. Lista e atyre që di të gatuaj nuk është shumë e gjatë. Vetëm gjëra të vogla. Gjatë kohës sa kam shërbyer në ushtri dhe gjatë kohës së luftës më shumë kemi konsumuar më shumë ushqim të konservuar dhe nuk kam pasur shumë kohë për të mësuar artin e gatimit.

Çfarë ha zakonisht dhe cili është ushqimi më i preferuar? Çfarë pije të pëlqen mbi të tjerat?

Nuk jam shumë “nazeli” në ushqim. Unë jam rritur me ushqim tradicional dhe e pëlqej shumë këtë lloj ushqimi. I preferoj shumë edhe ushqimet e detit, sepse jam mësuar me to gjatë kohës sa kam jetuar në Kroaci. Nga pijet më së shumti e pëlqej verën. E konsideroj vetën njohës të mirë të kësaj pijeje dhe përveçse e shijoj, jam edhe një koleksionist modest i verërave.

Çka ju pëlqen te bota femërore…

Ajo që më pëlqen më së shumti të bota femërore është kombinimi i bukurisë me inteligjencën.

Pas botimit të kësaj interviste, a mund të shpresojmë se do të fitojmë një lexues të ri?

Edhe para botimit të kësaj interviste unë e kam lexuar me kënaqësi uebfaqen e Juaj, sepse është një portal shumë i pastër në të cilën ke mundësi të marrësh informacion të freskëta dhe saktë për çka ndodh në Kosovë dhe me gjerë. Po ashtu e vlerësoj shumë edhe hapësirën që i keni dhënë debatit dhe zërit të qytetarëve. Tashmë e keni një lexues më shumë.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Botë
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Laporta shumë nervoz pas humbjes me Gironan – ai bërtiti vetëm me pesë fjalë, humbja mund t'i kushtojë miliona euro Barcelonës

Laporta shumë nervoz pas humbjes me Gironan – ai bërtiti vetëm me pesë fjalë, humbja mund t'i kushtojë miliona euro Barcelonës

La Liga
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Lajme
Xabi Alonso mund të prishë planet e Barcelonës në Ligën e Kampionëve 2024/25

Xabi Alonso mund të prishë planet e Barcelonës në Ligën e Kampionëve 2024/25

Liga e Kampionëve
Zbulohet finalisti i parë i Big Brother VIP Albania

Zbulohet finalisti i parë i Big Brother VIP Albania

Magazina
Kalo në kategori