LAJMI I FUNDIT:

“Pas sulmit në Banjskë, pasoja të mundshme për Serbinë nëse ndërmerren veprime ndaj Kosovës?” – analizë e njohësve të sigurisë

“Pas sulmit në Banjskë, pasoja të mundshme për Serbinë nëse ndërmerren veprime ndaj Kosovës?” – analizë e njohësve të sigurisë

Një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, situata në veri raportohet të jetë e qetë.

Gjatë këtyre ditëve, policia ka sekuestruar sasi të madhe armatimi, ndërsa zyrtarë shtetërore kanë theksuar se sulmi terrorist është organizuar dhe financuar nga shteti serb.


Megjithatë, deri tani nuk ka pasur asnjë masë ndëshkuese për Serbinë, përveç thirrjeve që u bënë që të dorëzojnë para drejtësisë ata që kanë marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës.

Para pak ditësh, KFOR-i ka njoftuar për një takim me një delegacion të ushtrisë serbe.

Siç u bë e ditur nga KFOR-i, në fokus të takimit ishte koordinimi dhe planifikimi i patrullave të ardhshme të sinkronizuara dhe diskutimi i të gjitha problemeve përgjatë “vijës kufitare administrative”.

E javë më parë në krye të KFOR-it ka ardhur komandanti i ri, turku Ozkan Ulutas.

Njohësit e sigurisë kanë komentuar ardhjen e komandantit të ri të KFOR-it në Kosovë dhe se çfarë pasojash mund të ketë Serbia nëse merr ndonjë veprim ndaj Kosovës.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë ka thënë për Telegrafin, se komandanti i ri ka deklaruar qartazi se do të veprojë sipas Rezolutës 1244.

“Ky takim vjen pas marrjes së komandës së re nga komandanti i KFOR-it, i cili ishte i qartë në deklarimin e tij, që do të punojë sipas Rezolutës 1244, dhe jo siç ishte më herët nga komandantët e KFOR-it që gjithmonë kanë deklaruar se do të veprojnë sipas mandatit. Ky e specifikon Rezolutën 1244, që thotë që çdo forcë e huaj që hynë në territorin e Kosovës, sipas vendimit të Kumanovës do të përgjigjet me armë zjarri, duke mbrojtur Rezolutën 1244”, është shprehur ai.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Më tej, ai ka deklaruar se KFOR mund të ketë informacione nëse ushtria serbe është në përgatitje të ndonjë lëvizjeve në drejtim të Kosovës.

“Tani më vërehet se në terren mund të presim tensione… Nga shërbime informative që janë në kuadër të kompetentes ushtarake të KFOR-it, mund të kemi informacione relevante për përgatitje ushtarake të Serbisë në drejtim të cenimit territorial të Kosovës e cila mbrohet me Rezolutë 1244”.

Gjithashtu, Shala pohoi se komandanti serb do duhet të krijojë narracion të ri me presidentin serb lidhur me veprimet ndaj Kosovës.

“Ky takim është informues për të cilin komandanti serb do të duhet të krijojë një narracion të ri me presidentin serb, që çfarë do veprimi që do të ndërmarrë në drejtim të Kosovës do të pësojë reagim nga forcat ndërkombëtare që janë në Kosovë”, tha ndër tjera ai.

Sa i përket aspektit diplomatik, Shala u shpreh se po tentohet të shpëtohet Serbia nga masat ndëshkuese. “Në aspektin diplomatik vërehet një zbutje, tentohet të shpëtohet Serbia nga masat ndëshkuese”.

Në anën tjetër, eksperti Bedri Elezi tha se në takimin e komandantëve është diskutuar për çështjen e vijës kufitare.

“…Në këtë takim është biseduar për çështjen e vijës kufitare, përkatësisht përgjegjësive që kanë NATO për administrimin ruajtjeve e sovranitetit të Kosovës. Njëkohësisht është pjesa tjetër e Serbisë, në fakt edhe në të kaluarën ka pasur takime të tilla, KFOR-i dhe ushtria e Serbisë, mbajnë takime për çështjen e kufijve”, pohoi ai për Telegrafin.

Elezi tha se ky takim mund të konsiderohet më i veçantë pasi kishim një situatë të rëndë më 24 shtator, ku Serbia ka bërë agresion ndaj Kosovës, dhe se po hetohet një çështje e tillë.

“Ajo që dihet deri tani është që të gjithë ata persona që kanë kryer agresion ndaj Kosovës, kanë kaluar përmes pjesës që kontrollohet nga KFOR-i dhe sigurisht ky shqetësim ka bërë që ky takim të jetë më i veçantë, në mënyrë që të kërkohet përgjegjësi apo raport, nëse kanë parë lëvizjet apo kanë lejuar”, potencoi ai.

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi

Tutje, Elezi tha se e vërteta dihet se Serbia ka qenë në dijeni lidhur me sulmin terrorist në veri.

“Ne e dimë të vërtetën që Serbisë nuk i kanë kaluar lëvizjet pa u vërejtur, dhe në fakt janë mbështetur nga Serbia, por në procedurat standarde KFOR do të kërkojë sqarime rreth asaj se çfarë ka të gjetura nga ushtria e Serbisë, për të ardhë në një përfundim. Ajo çfarë ne kemi marrë informacion nga burimet brenda KFOR-it në fakt, ky takim ka pas momente jo të mira, ka pasur edhe akuza nga ana e KFOR-it për bashkëpunimin e ushtrisë serbe me rastin konkret, edhe se nuk ka pasur veprime konkrete të autoriteteve të Serbisë, për të mbështetur KFOR-in në hulumtim në rastin në fjalë”, u shpreh ai.

Elezi po ashtu tha se në takim është diskutuar edhe çështja e marrjeve të veprimeve, pasi KFOR ka dërguar rreth 200 trupa shtesë në veri.

“Është trajtuar edhe çështja e marrjeve të veprime, pasi KFOR-i ka dërgua diku 200 trupa shtesë të këmbësorisë nga ushtria britanike, e cila është e profesionalizuar në çështjen e kufijve. Në rastin konkret do të ketë pajtim, dhe komandanti i KFOR-it do t’i tregojë për pasoja në rast që shkel marrëveshjen, e cila është e përcaktuar perimetri që Serbia t’i afrohet territorit të Kosovës”, theksoi mes tjerash ai.

Ndryshe, në njoftimin e bërë nga KFOR-i thuhej se mbesin të përkushtuar për paqe në Kosovë.

“KFOR-i është gjithmonë i përkushtuar për të mbështetur paqen, bashkëpunimin dhe përparimin për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, sepse mandati i tij bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga viti 1999, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhej në njoftim. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Lajme
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Anëtarësimi i Kosovës në KiE dhe çështja e Asociacionit - si e parasheh Tahiri procesin në Komitetin e Ministrave?

Anëtarësimi i Kosovës në KiE dhe çështja e Asociacionit - si e parasheh Tahiri procesin në Komitetin e Ministrave?

Lajme
Reshjet e shiut vështirësojnë komunikacionin në magjistralen Prishtinë - Ferizaj, Policia apelon për kujdes gjatë vozitjes

Reshjet e shiut vështirësojnë komunikacionin në magjistralen Prishtinë - Ferizaj, Policia apelon për kujdes gjatë vozitjes

Lajme
“5 euro për një kafe”, arrestohet shtetasi i Maqedonisë pasi tentoi ta korruptonte policin në Vërmicë

“5 euro për një kafe”, arrestohet shtetasi i Maqedonisë pasi tentoi ta korruptonte policin në Vërmicë

Kronika e Zezë
Vdes një grua në Repartin e Gjinekologjisë në Prizren

Vdes një grua në Repartin e Gjinekologjisë në Prizren

Kronika e Zezë
Kalo në kategori