LAJMI I FUNDIT:

Pas arrestimit, bosi kolumbian i drogës Otoniel do të ekstradohet në SHBA

Pas arrestimit, bosi kolumbian i drogës Otoniel do të ekstradohet në SHBA

Kolumbia ka njoftuar se trafikanti më i kërkuar i drogës në vend do të ekstradohet në SHBA pas kapjes së tij të shtunën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Dairo Antonio Usuga, i njohur më mirë si Otoniel, u kap pas një operacioni të përbashkët të ushtrisë, forcave ajrore dhe policisë.


Ai drejtoi bandën më të madhe kriminale në vend dhe ka qenë prej vitesh në listën e më të kërkuarve të Agjencisë Amerikane të Zbatimit të Drogës.

Zyrtarët amerikanë kishin vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kokën e tij.

Ata e akuzuan atë për importimin e dhjetëra tonë kokainë në vend midis 2003 dhe 2014.

Ministri i Mbrojtjes i Kolumbisë, Diego Molano, i tha gazetës El Tiempo se hapi tjetër për zyrtarët ishte respektimi i urdhrit të ekstradimit në SHBA.

Autoritetet tani e kanë çuar Otonielin në një bazë ushtarake në kryeqytetin Bogotá përpara ekstradimit të tij, sipas gazetës El Nuevo Siglo. /Telegrafi/