LAJMI I FUNDIT:

Pas ankesës nga Avokati i Popullit, BQK-ja kërkon nga bankat t’u lejojë pensionistëve qasje të barabartë në kredi

Pas ankesës nga Avokati i Popullit, BQK-ja kërkon nga bankat t’u lejojë pensionistëve qasje të barabartë në kredi

Pensionistët e Kosovës nuk gëzojnë të drejtën që të marrin kredi nga bankat komerciale në vend. Për këtë Banka Qendrore e Kosovës, pas një nisme të Avokatit të Popullit i ka tërhequr vërejtjen bankave në vend që të  ndërmarrin masat për akreditimin e pensionistëve për kredi.

Faik Shaljani është njëri nga 206 mijë e 500 pensionistët në Kosovë që nuk ka të drejtën të marrë kredi nga bankat komerciale në vend. E sipas tij, kjo është një padrejtësi që po iu bëhet.

“Kjo është padrejtësi e madhe që po u bëhet pensionistëve të cilët kanë kontribuar mbi 40 vite. Edhe ata e marrin pensionin në baza mujore. Ata nuk duan të marrin kredi të mëdha 20 apo 30 mijë euro, por marrin 500 euro dhe i paguajnë nga pak”, shprehet për RTV Dukagjinin, Faik Shaljnai.

Për këtë institucioni i Avokatit të Popullit ka hartuar një raport sipas të cilit e sheh të pabarabartë trajtimin e pensionistëve dhe ka drejtuar disa rekomandime për Bankën Qendrore.

“Kjo sipas dispozitave kushtetuese dhe konventave evropiane është trajtim i pabarabartë apo diskriminim i drejtpërdrejt, pasi një grup i qytetarëve trajtohen në mënyrë të pabarabartë në krahasim me të tjerët pa ndonjë bazë ligjore…U jemi drejtuar Bankës Qendrore të Kosovës pasi që ushtron kontroll mbi bankat komerciale për trajtim të barabartë të qytetarëve”, shprehet Hilmi Jashari, përcjell Telegrafi.

Ndërsa nga Banka Qendrore e Kosovës thonë se pas nismës së Avokatit të Popullit kanë kërkuar nga bankat komerciale që të nisin me akreditimet e pensionistëve për kredi.

“Kemi njoftuar Zyrën e Avokatit të Popullit se do të marrim veprimet konform kompetencave tona që të kërkojmë prej të gjitha bankave komerciale në përgjithësi sidomos kreditimit të pensionerëve”, thotë Sokol Havolli.

Sipas Havollit disa nga bankat tashmë kanë ndërmarrë masat për t’u lejuar pensionistëve të marrin kredi bankare./RTV Dukagjini/Telegrafi/