LAJMI I FUNDIT:

Partitë politike vazhdojnë me fushatën parazgjedhore

Partitë politike vazhdojnë me fushatën parazgjedhore

Partitë politike dhe koalicionet që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 15 korrikut, i kanë vazhduar aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës parazgjedhore.

Telegrafi Maqedoni jua sjell të përmbledhura në një vend, takimet të cilat ata i realizuan me qytetarët.


Kandidati për kryeministër nga radhët e BDI-së, Naser Ziberi premtoi mbështetje për çiftet e reja deri në moshën 35 vjet.

“Angazhimet tona në këtë drejtim janë shumë serioze, ne duhet ti plasojmë idetë tona në drejtim të planeve për mbështetjen e të rinjve, respektivisht mbështetje për çiftet e rinj deri në moshën 35 vjet, të cilët kërkojnë përkrahje më serioze, saktësisht, për çiftet të cilët akoma nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit, të ju ofrojmë atyre ndihmë, me kredi pa kamatë deri në 20,000 euro”, tha Ziberi.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela bashkërisht me Alternativën ua shpalosën ofertën zgjedhore dibranëve.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela para dibranëve foli mbi fenomenin e ikjes së të rinjve e sidomos në Dibër. Mërgimi është një plagë e hershme dhe e thellë për dibranët. Ai kërkoi që dibranët ta përkrahin koalicionin “Tash është Koha”, duke theksuar se rinia e Dibrës dhe e gjithë qyteteve tjera, tashmë e kanë marrë në dorë ndryshimin e madh që do të ndodhë më 15 korrik.

“Dëgjojmë shpesh fjalime politike në të cilat thuhet se rinia është e ardhmja. Rinia është e tashmja vëllezër e motra të nderuara. Rinia e munguar është realiteti ynë i hidhur, ajo që nuk i shohim të rinjtë”, tha mes tjerash Ziadin Sela.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev nga Koçani tha se gjatë dy viteve e gjysmë kanë marrë vendime të guximshme që gjatë 27 viteve nuk ka pasur guxim të merren dhe se falë këtij guximi, sot vendi është anëtar në NATO dhe ka vendim për nisjen e bisedimeve.

“I përmbushëm qëllimet strategjike dhe sot jemi vend i pranuar nga e gjithë bota ku jetojnë maqedonas, që flasin gjuhë maqedonase të pranuar nga e gjithë bota, krijuam miq rreth nesh dhe hapën perspektiva për gjeneratat e ardhshme. Tani nuk kthehemi në regjim”, tha Zaev.

Kreu i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski në Tetovë, Gostivar dhe Mavrovë u premtoi qytetarëve shtet të së drejtës dhe zero tolerancë. Sipas tij, duhet të ketë një sistem të fuqishëm juridik ku do të kontrollohet prona e politikanëve dhe se politikanët duhet të jenë shembull dhe duhet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet.

“Këto nuk janë zgjedhje të zakonshme, është moment i rëndësishëm dhe zgjedhje mes dy koncepteve, nëse do të zgjedhim padrejtësinë, nënçmimet, turpin, krimin, korrupsionin, apo nderin, njerëzit e ndershëm që e duan atdheun, që e duan Maqedoninë dhe që respektojnë dallimet”, tha mes tjerash Mickoski./Telegrafi/