LAJMI I FUNDIT:

Parku i miqësisë së dy popujve

Parku i miqësisë së dy popujve

Nga: Daut Dauti

Dy përmendore në foton kryesore gjenden në Parkun e Miqësisë Turko-Hungareze afër Budapestit. Këta dy tipat sot qëndrojnë afër njëri-tjetrit si dy miq, por dikur kanë qenë armiq të përbetuar të njëri-tjetrit. I pari, në të majtë, është Miklos Zrínyi (1620-1664) kurse ai në të djathë, Sulltan Sylejmani II. Përkthyer në shqip kjo do të ishte sikur Skënderbeut dhe Sulltan Muratit II t’iu bëhen përmendoret bashkë në një park që do të quhej Parku i Miqësisë Shqiptaro-Turke.

Prijësi hungarez Miklus Zrínyi është edhe autor i poemës së parë epike në literaturën hungareze. Poema ka të bëjë me luftën e hungarezëve kundër otomanëve në mbrojtjen e Shigetvarit, të cilin qytet e sulmuan forcat otomane. Pra, qëllimi kryesor i Zrinyit ka qenë dëbimi i otomanëve nga Hungaria. Ai u angazhua edhe kundër Habsburgëve që e sundonin pjesën tjetër të Hungarisë. Edhe pse ishte strateg ushtarak, nuk ia arriti ta realizojë qëllimin në tërësi. Përkundër faktit që ishte luftëtar, nuk vdiq në fushëbetejë: vdiq gjatë një gjuetie kur e sulmoi një derr i egër dhe e mbyti në vend. Vdekje jo edhe aq heroike të cilën ai me siguri nuk do ta dëshironte!

Sulltan Sylejmani II (1642-1691) nuk sundoi gjatë, por ishte relativisht i suksesshëm. Pas tij filloi epoka e Çuprilinjëve (vezirëve shqiptarë). Sidoqoftë, kjo ishte periudha e armiqësisë në mes hungarezëve dhe otomanëve. Tanimë nuk është ashtu dhe pas disa shekujve, Turqia dhe Hungaria kanë vendosur miqësi. E kanë ndërtuar parkun e miqësisë dhe ish armiqtë i kanë bërë miq dhe i kanë vendosur bashkë në bronz. Parku praktikisht është territor i Turqisë pasi që qeveria turke e ka blerë vendin dhe ka bërë ndërtime që vazhdojnë ende në bashkëpunim me pallë hungareze.

Viktor Orbani publikisht llafet i ka anti-turke, por privatisht ka tjetër qëndrim. Në fotografinë e dytë shihet Erdogani para varrit të Gul Babës që gjendet në tyrben e Budapestit. Pos njërit prej tyre, të gjithë, turq e hungarez, janë duke bërë amin para varrit të Gul Babës, dervishit dhe udhëheqësit të njohur të jeniçerëve. Ai që shihet në të djathtë të fotografisë dhe me kokë të kthyer anash e që nuk është duke bërë amin, është Viktor Orbani, kryeministri i Hungarisë dhe vëllai i Erdoganit nga gjaku. Megjithatë, Orban nuk e ka lënë vetëm vëllain e tij dhe e ka shoqëruar në teqe.

Në rast se nuk e keni ditur, apo keni harruar, turqit dhe hungarezët janë një popull me prejardhje të përbashkët dhe edhe gjuhën të së njëjtës degë. I dallon më shumë religjioni. Prandaj, miqësia e tyre e re nuk është aspak e çuditshme. Natyrisht, është normale. /Telegrafi/