LAJMI I FUNDIT:

Parisi përuron kishën ortodokse mes tensioneve diplomatike, mungon Putin

Parisi përuron kishën ortodokse mes tensioneve diplomatike, mungon Putin

Një kishë e re ortodokse ruse do të përurohet në kryeqytetin francez të Parisit, por pa praninë e presidentit Vladimir Putin, i cili anuloi pjesëmarrjen pas deklaratës së Francois Hollande, se do ta ftonte udhëheqësin e Kremlinit vetëm për diskutime mbi Sirinë.

E pozicionuar buzë lumit të Senës, kisha do të jetë monumenti më i rëndësishëm rus në Paris. Ajo do të përfshijë një qendër kulturore dhe një shkollë fillore për 150 nxënës.


E ndërtuar me gur gëlqeror e xhama, si dhe me kubenë tradicionale ngjyrë ari në majë, ajo reflekton rigjallërimin e Ortodoksisë ruse, kisha e dytë më e madhe në botë e Krishterimit.

Kur nisi ndërtimi i godinës në vitin 2014, ambasadori rus në Francë, Alexander Orlov u ankua se pavarësisht numrit të lartë prej 10 mijë rusësh që jetojnë në Paris e në rrethina, e mijëra të tjerë të shpërndarë rreth Francës, ata kishin vetëm 20 kisha.

Moska e bleu tokën buzë lumit ku do të ndërtohej kisha, në një marrëveshje të arritur në vitin 2010, mes presidentëve të atëhershëm Nicolas Sarkozy dhe Dmitry Medvedev. Kostoja e ndërtimit të saj shkon në 187 milionë dollarë.