LAJMI I FUNDIT:

Parashikohen sanksione ndaj Arabisë Saudite

Parashikohen sanksione ndaj Arabisë Saudite

Çmimet e naftës janë kthyer në territor negativ në orët e pasdites, pas një fillimi pozitiv, për shkak të tensioneve mbi vdekjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi dhe çmimet po gjenden nën presion edhe për shkak të rritjes së rezervave të naftës në SHBA.

Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 69 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 79.2 dollarë për fuçi.


Referuar të dhënave të Administratës amerikane për Informimin mbi Energjinë, rezervat e naftës u rritën me 6.5 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, rreth trefish më shumë se parashikimet e analistëve. Megjithatë, në treg ka edhe informacione kontradiktore, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të vendosin sanksione ndaj Arabisë Saudite, për shkak të vrasjes së gazetarit saudit, që ishte edhe rezident amerikan, brenda konsullatës së këtij vendi në Stamboll.

Për këtë arsye, analistët mendojnë se çmimet mund të rriten, nëse vendet e tjera nuk rrisin prodhimin. Në anën tjetër, prodhimi në SHBA ra me 300 mijë fuçi, gjatë javës së kaluar, në totalin e 10.9 milionë fuçive, kryesisht për shkak të uraganit Michael.

Ligjvënësit në SHBA e kanë drejtuar gishtin nga Arabia Saudite për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Megjithatë, ky vend ka mohuar të ketë gisht në këtë vrasje. /Telegrafi/