LAJMI I FUNDIT:

Papunësia në Kosovë në tremujorin e parë të 2018-së ishte 26.5%

Papunësia në Kosovë në tremujorin e parë të 2018-së ishte 26.5%
Foto: Arkiv

Sipas të dhënave Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e parë të vitin 2018, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) del se në vendin tonë shkalla e papunësisë ishte 26.5 për qind, ku papunësia më e theksuar është te femrat me 28.7 për qind, krahasuar me meshkujt me 25.9 për qind, ku kjo shkallë më e theksuar është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 54 për qind.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rënie të shkallës së papunësisë me 4 për qind, ku kjo rënie te meshkujt ishte 3.4 për qind përderisa te femrat kemi rënie prej 5.9 për qind. Mirëpo, krahasuar me vitin 2016, në vitin 2017 kemi rritje të shkallës së papunësisë me 3 për qind. Derisa në vitin 2016 norma e papunësisë ishte 27.5 për qind, në vitin 2017 ishte 30.5 për qind.

Rritet shkalla e papunësisë për 3% në Kosovë
Lexo po ashtu Rritet shkalla e papunësisë për 3% në Kosovë

Rezultatet e dala nga ky publikim tregojnë se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune të grupmoshës 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës dhe shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.2 për qind.

“Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore, për tremujorin e parë 2018 është 28.8 për qind. Punësimi më i lartë është te meshkujt me 45.5 për qind, ndërsa punësimi te femrat është 11.8 për qind. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 51.2 për qind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe të prodhimit me 42.4 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së, shkruan Telegrafi.

Sektorët që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 17.2 për qind, ndërtimtaria me 11.7 për qind, arsimi me 11.5 për qind, si dhe prodhimi me 10.1 për qind.

Sa u përket të punësuarve me kontrata del se 18.9 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 81.1 për qind kanë kontratë të përkohshme.

Në këtë raport tregohet se fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.8 për qind me fokus të veçantë te femrat me 83.4 për qind krahasuar me meshkujt me 38.6 për qind.

Anketa ka pasur shtrirje në 598 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3,531 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës. /Telegrafi/