Të martën ka përfunduar afati i përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për partitë politike që t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bën të ditur se katër parti politike nuk kanë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve të tyre. Ato janë: Yeniliçki Türk Haraket Partisi, Kosovski Savez, Partia Balliste - P.B dhe Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale.


"Gjatë periudhës 11-ditore, pra nga data 2 maj deri më 12 maj, KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga 23 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, një nismë qytetare dhe një kandidat i pavarur. Katër parti politike, të cilat më herët kishin njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje në zgjedhje, nuk kanë dorëzuar listat me emrat e tyre, pra të kandidatëve për deputetë", tha Elezi.

Ai bën të ditur se nga 23 subjekte, numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë është 917, prej të cilëve 603 janë burra dhe 314 gra.

Elezi po ashtu tha se: “Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një paraktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”. /Telegrafi/