Papërgjegjësia

Byzylykja e mbajti të fshehur vdekjen e të shoqit, derisa ta kryente një dasmë, ku ajo do ta hidhte vallen. Vetëm pasi u krye dasma ajo e qau, vajtoi dhe mbajti zi për të shoqin. Ndonëse e donte shumë të shoqin, megjithatë ajo e vuri interesin për dasmë përmbi tragjedinë që i kishte ndodhur.
Edhe disa pushtetarë duket se listën e prioriteteve e hartojnë sipas logjikës së Byzylykes.
Tri ditë radhazi mediat hungareze flasin për një tragjedi të ndodhur në lumin Tisa, ku dyshohet për mbytjen e 15 qytetarëve të Kosovës. Ministria e Jashtme, si mbrojtësja e qytetarëve të Kosovës në botë, nuk e ka konfirmuar lajmin e kobshëm dhe të gjithë urojnë që të përgënjeshtrohet ai lajm.
Asnjë veprim nuk është marrë, të paktën publikisht, sepse vallja e fushatës "hidhet" me të madhe, ndërsa këtë valle e hedh edhe kryediplomati. Në rastin më të keq, po të konfirmohet ky lajm, atëherë do të duhet të ketë, të paktën, një ditë zie, sepse është vërtet tragjedi e njerëzve të cilët kishin ndërmarrë aventurën e rrezikshme për të siguruar ekzistencën. Por, edhe pas tre ditësh mbrojtësja e interesave të qytetarëve në botë nuk gjen kohë, në rastin më të mirë, për ta përgënjeshtruar lajmin kobzi.
Përderisa ikjet masive për një jetë më të mirë në Perëndim vazhdojnë, madje, edhe në rrugë që tragjedia u del përpara, në anën tjetër, këto ditë ka filluar edhe kthimi i detyrueshëm i mijëra qytetarëve nga vendet perëndimore.
Në kulmin e fushatës jo vetëm mjerimi shfaqet si kafshatë e hidhur dhe tragjeditë që shkakton ai. Një pjesë e veriut të Kosovës para dy ditësh u lidh me rrjetin elektrik të Serbisë. Edhe kjo nuk ndal hovin e fushatës, që paraqet një konsolidim të sovranitetit të huaj brenda shtetit të Kosovës. Edhe këtu asnjë shqetësim, në pritje të përfundimit të fushatës.
Po në sektorin e energjetikës, Bashkimi Evropian jep vlerësim shumë të zymtë për të ardhmen dhe mirëqenien e vendit. "Furnizimi me energji elektrike është pengesa më e madhe e zhvillimit ekonomik dhe e rritjes së investimeve të huaja direkte në Kosovë. Pa një mbështetje të sigurt të energjisë, zhvillimi ekonomik i Kosovës do të jetë i kufizuar", thekson Raporti i Progresit.
Dhe, "fatmirësisht" ky raport përkoi në kohë me fillimin e fushatës zgjedhore dhe të paktën për një muaj fushatë dhe një muaj tjetër balotazh do të amortizohet sadopak ky shqetësim, pa u llogaritur këtu zhvendosja e vëmendjes nga ankesat e mëpastajme për zgjedhjet.
Më pas vjen debati i nxehtë për buxhetin dhe fillojnë pushimet e fundvitit. Mbetet viti tjetër që shqetësimet e ngritura të fillojnë të analizohen "me seriozitetin më të madh", ashtu siç u menaxhua dështimi i "Kosovës së Re" me 2100 megavate. Dhe, mozaiku i dëshpërimit social vazhdon të pasurohet me nuanca të reja, rritja ekonomike të stagnojë, anarkia të forcojë rrënjët, sistemi gjyqësor të vazhdojë kalbjen, ndërsa vrima buxhetore të plotësohet duke i shpenzuar përnjëherë paratë e gatshme të mbledhura ndër vite nga PTK-ja.





































