LAJMI I FUNDIT:

Papa me origjinë shqiptare dhe ikona e famshme në Çenstohova të Polonisë

Papa me origjinë shqiptare dhe ikona e famshme në Çenstohova të Polonisë

Leonard Zissi

Në pjesën perëndimore të qytetit Çenstohova (Czestochowa) që ndodhet në jug të Polonisë, është
një kodër 293 metra e lartë mbi nivelin e detit, që quhet Jasna Gura (Jasna Gora). Në këtë kodër, që polakët e konsiderojnë si Sankturium (vend i shenjtë), mbi themelet e një kishe të vjetër që quhej “Virgjëresha e Bamirësisë Shumë e Shenjta Shën Mëri”, nga Urdhri katolik i Paulinëve që erdhën në Poloni nga Hungaria, në vitin 1382 u ndërtua një Manastir, bashkë me komplekset e tij. Në këtë Manastir ndodhen shumë vepra arti të bukura kishtare, por më e rëndësishme është Ikona e Shën Mërisë që mban Jezu Krishtin në krahun e majtë. Për shkak të ngjyrës bronz të errët të fytyrës së Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit, si rrjedhojë e përdorimit të vernikëve gjatë restaurimeve të shpeshte që i janë bërë Ikonës ndër vite, ajo ndryshe quhet “Madonna e Zezë”.

Ikona ka përmasat 122×82 centimetra dhe është shkruar mbi një dërrasë prej trungu bliri. Ajo paraqet Shën Mërinë të veshur me një fustan ngjyrë blu të errët, të mbuluar me një pelerinë, veshur me një astar të kuq, duke mbajtur në krahun e majtë Jezu Krishtin fëmijë. Pamjen e fytyrës ajo e drejton drejt qendrës, ndërsa gishtërinjtë e dorës së djathtë i drejton tek Jezu Krishti, si për të treguar se Ai është burim shpëtimi. Nga ana e tij Jezu Krishti dorën e djathtë e drejton drejt qiellit si shenjë e bekimit nga Perëndia, ndërsa në dorën e majtë mban librin e Biblës.

Në historinë e krishterimit thuhet se ikonat e para me fytyrën e Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit, janë shkruar (për ikonat thuhet se shkruhen dhe jo pikturohen) nga Shën Lluka Evangjelisti, që ka jetuar në shekullin e I-rë. Ai shkroi shtatëdhjetë ikona, një prej të cilave ndodhet në Bolonjë të Italisë, ndërsa ikona e dytë në Jerusalem. Në shekullin e I-rë atë e gjetën të fshehur në një guvë dhe pastaj e vendosën në një kishëz të Jerusalemit. Në vitin 326 atë e gjeti Shën Elena, nëna e Perandorit Konstantini i Madh (274-337) një prej perandorëve më të shquar të Perandorisë Romake, themeluesi i Kostandinopojës në vitin 330, të cilit ia dhuroi atij. Konstantini dëshironte që këtë Ikonë ta vendoste në ndonjë kishë të sapondërtuar në Kostandinopojë, por për shkak të luftërave që zhvilloheshin atë kohë, nuk u bë e mundur dhe Ikona u vendos në muret e qytetit, prej së cilës thuhet se armiqtë tmerroheshin dhe nuk mundën ta pushtonin. Kjo mund të konsiderohet “mrekullia” e parë e kësaj Ikone.

Kronikat ruse thonë se Ikona, nga Kostandinopoja, fillimisht në vitin 1270, ka mbërritur në qytetin polak Lvov (sot ndodhet në territorin e Ukrainës) dhe pastaj në kështjellën e princit polak Vlladisllav Opolczyk, që ndodhej në qytetin Bellza, që edhe ai bënte pjesë në Mbretërinë Polake. Gjatë transportit të saj për në kryeqytetin e mbretërve polakë të Krakovit, kuajt e karrocës ndaluan në qytetin e Çenstohovës dhe nuk donin të lëviznin nga vendi. Legjenda thotë se kjo ishte shenjë e Shën Mërisë që ikona e saj donte të kishte shtëpinë e qëndrimit të përhershëm aty. Për këtë arsye, princi Opolczyk, më 11 gusht 1384, ikonën ia dhuroi Urdhrit të Paulinëve që kishin ndërtuar kishën e tyre në kodrën në Jasna Gura, ku ndodhet edhe sot e kësaj dite.

Gjatë periudhave që pasuan, ikona ka pasur historinë e saj. Ajo shpesh u grabit dhe u dëmtua, saqë në faqen e fytyrës së Shën Mërisë edhe sot e kësaj dite kanë mbetur shenjat e dy viaskave të shkaktuara nga goditjet me shpatë që i janë bërë asaj prej keqbërësve, kështu që iu nënshtruar restaurimeve të vazhdueshme. Restaurimi i parë është bërë pas dëmtimit të saj prej sektit të krishterëve të husëve në vitin 1430, ku u tentua të zëvendësohej ngjyra e zakonshme e fytyrës së Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit që përdorej në ikonat ortodokse bizantine, me ngjyrën e errët të vernikut. Kështu që ngjyrat e të dy fytyrave të tyre në ikonë u zbehën në ngjyrën bronz të errët. Restaurimi i fundit është bërë në vitin 1948 ku u përdorën edhe rrezet rëntgen. Analizat treguan se ngjyra e fytyrave të tyre fillimisht ishte e çelur dhe jo e ngjyrës bronz të errët të tanishme.
Rreth kësaj Ikone kanë ndodhur shumë ngjarje, por më e rëndësishmja që i ka dhënë famë të madhe jo vetëm brenda Polonisë, por edhe jashtë saj, është ajo që ka ndodhur në vitin 1655 kur Suedia kishte bërë plan për të pushtuar Poloninë. Më 21 korrik të atij viti, ushtritë suedeze kaluan kufirin polak, duke shtënë shpejt në dorë Varshavën, Poznanin dhe Krakovin. Në këto rrethana, fisnikëria polake nuk donte të luftonte dhe pothuajse i gjithë vendi ra në duart e suedezëve. Më 18 nëntor 1655, ushtria suedeze që numëronte tremijë ushtarë, u ndodh para mureve të Jasna Guras dhe kërkoi që fortesa të dorëzohej. Por, administratori i fortesës vendosi të mbrojë vendin e Shenjtë dhe të mos e dorëzonte, duke patur në dispozicion vetëm 170 ushtarë, 20 oficerë dhe 70 murgj. Në krahasim me ushtrinë suedeze, forca mbrojtëse e fortesës së Jasna Gurës ishte rreth pesëmbëdhjetë herë më e vogël. Sulmin ndaj manastirit ata e konsideronin si fyerje të ndjenjave të tyre fetare, sepse kështu përdhunosej vendi i Shenjtë që Shën Mëria kishte zgjedhur për të qëndruar. Prandaj, çdo ditë faleshin para ikonës dhe i luteshin Shën Mërisë për t’i mbrojtur nga suedezët. Dhe, kështu ndodhi. Luftimet zgjatën dyzet ditë dhe, për mrekulli, përfunduan me fitoren e kalorësve të Manastirit. Kjo fitore pati një rëndësi të jashtëzakonshme , jo vetëm fetare, por edhe politike, që konsiderohej se ishte arritur nëpërmjet ndërhyrjes dhe përkujdesit të Shën Mërisë për të mbrojtur vendin e vet të shenjtë. Që nga ky çast i gjithë vendi u ngrit në luftë dhe fitorja anoi nga ana e polakëve, të cilën edhe sot e kësaj dite e konsiderojnë si një “Mrekulli” të dhuruar nga Shën Mëria. Për këtë arsye, mbreti i Polonisë në atë kohë, Jan Kazhimiezhi i I-rë, në qershor të vitit 1656 pushtetin e vet mbretëror e dorëzoi tek Shën Mëria, duke e konsideruar Atë si Patronen dhe Mbretëreshën e Polonisë, vlerësim fetar që ka mbetur deri në ditët tona.

Duke parë rëndësinë e kësaj Ikone dhe pas vendosjes së paqes në Poloni me mbarimin e luftërave me Suedinë, në vitin 1711 filloi një fushatë për kurorëzimin me kurorën papnore të Ikonës. Për këtë u shfrytëzua vizita e Nuncit Apostolik të Vatikanit të asaj kohe dhe, me miratimin e tij, ata iu drejtuan zyrtarisht Vatikanit për këtë çështje. Në vitin 1716, Papa i Vatikanit nënshkroi Aktin Kanonik të kurorëzimit të Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit me kurorën Papnore. Mbi bazën e këtij akti, mbi kokën e Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit u vu kurora Papnore, ku ceremonia e këtij kurorëzimi u zhvillua më 8 shtator 1717, me pjesëmarrjen e rreth 200 mijë besimtarëve polakë. Aktin e kurorëzimit të kësaj Ikone e nënshkroi Papa me origjinë shqiptare, Klementi i XI-të (1649-1721), duke u bërë kështu një pikë e rëndësishme takimi në historinë e marrëdhënieve midis dy popujve tanë, shqiptar dhe polak.

Një mrekulli tjetër që polakët ia atribuojnë kësaj ikone, është edhe fitorja e Ushtrisë polake nën komandën e Mareshalit Jozef Pillsudski ndaj ushtrisë bolshevike ruse në vitin 1920. Atë vit, kjo ushtri e krijuar mbas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917, synonte të eksportonte revolucionin proletar në Gjermani, ku vepronte një lëvizje e fuqishme komuniste. Me këtë synim ajo depërtoi deri në dyert e Varshavës, buzë lumit Vistula. Ajo ishte në numër shumë më të madh nga ushtria polake, e cila sapo ishte formuar mbas rifitimit të pavarësisë së Polonisë më 1 nëntor të vitit 1918. Ndodhur në këtë situatë të pafavorshme ushtarake, polakët i faleshin vazhdimisht ikonës së Shën Mërisë në Manastirin e Çenstohovës dhe i luteshin asaj që ushtria polake të përzinte ushtritë bolshevike nga Polonia. Edhe në këtë rast ndodhi mrekullia. Ushtria polake zmbrapsi repartet bolshevike, çliroi Poloninë nga invasioni bolshevik dhe avancoi deri në dyert e Kievit. Me këtë fitore, ushtria polake shmangu avancimin e ushtrisë bolshevike drejt Evropës Perëndimore, fatet e së cilës nuk dihet sesi do të ishin po të ndodhte okupimi i saj nga kjo ushtri. Edhe këtë mrekulli që ndodhi, polakët ia atribuojnë faljeve para ikonës së Shën Mërisë dhe e quajnë Mrekullia mbi lumin e Vistullës.

Ndonëse kjo Ikonë me origjinë ortodokse bizantine është transformuar në ikonë katolike, nderohet dhe vlerësohet shumë edhe nga të krishterët ortodoksë, veçanërisht nga ata të Ukrainës, Bjellorusisë dhe Rusisë. Në atë kohë, asaj i ishin bërë kopje të cilat qarkullonin në vende të ndryshme të Evropës. Siç shkruan prifti jezuit polak Marçin Çerminjski në veprën e tij të rëndërishme “Shqipëria – përshkrime historike, etnografike, kulturore dhe fetare”, botuar në vitin 1893 në Krakov, përkthyer në shqip dhe botuar në Tiranë në vitin 2014, një kopje e kësaj Ikone është sjellë edhe në Shqipëri në shekullin XIX nga një prift polak nga Galicia, e cila në atë periudhë ishte pushtuar nga Austria. Ajo ka qenë vendosur në altarin e kishës së Kallmetit prej peshkopit polak, Françishek Mallçinjski, i cili në atë kohë shërbente në Lesh.

Ikona dhe manastiri në Jasna Gura sot janë vende të shenjta jo vetëm për polakët, por edhe nga pelegrinë të shumtë dhe vizitorë që vijnë nga e gjithë bota. Ata bëjnë lutje të zakonshme, por edhe lutje për t’u shëruar nga sëmundje të ndryshme dhe për të patur fat në jetë. Me këtë rast ata japin edhe dhurata të ndryshme, si gurë të çmuar, prodhime prej ari dhe argjendi, të cilat i vendosin në vende të caktuara të Manastirit. Numri i vizitorëve të përvitshëm arrin në 4-6 milionë vetë, prej të cilëve rreth 300 mijë pelegrinë polakë shkojnë në këmbë çdo vit nga e gjithë Polonia, një traditë e hershme kjo që nga shekulli XVIII. Sot ky pelegrinazh është nga më të mëdhenjtë në të gjithë botën. Shën Mëria e Çenstohovës festohet më 26 gusht të çdo viti.

Për lidhjen e ngushtë të kësaj Ikone me papën me origjinë shqiptare, Klementin XI dhe për numrin e madh të pelegrinëve dhe vizitorëve që e vizitojnë atë nga e gjithë bota, do të ishte mirë që atyre t’u bëhej i njohur fakti se pikërisht ky Papë ka miratuar kurorëzimin e saj me kurorën Papnore të Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit. Kjo do bënte shumë përshtypje pozitive tek të gjithë vizitorët, veçanërisht tek populli polak që është shumë besimtar katolik. Mendoj se Kisha Katolike në Shqipëri do të ishte mirë të kontaktonte me organet përkatëse të Kishës Katolike polake dhe të mundësonte ekspozimin e portretit në pikturë të Papa Klementit XI, si dhuratë e saj për këtë manastir.