LAJMI I FUNDIT:

Panxha: Është momenti i fundit që të zgjidhen problemet tregtare Kosovë-Shqipëri, në të kundërtën jemi të detyruar të protestojmë (Video)

Panxha: Është momenti i fundit që të zgjidhen problemet tregtare Kosovë-Shqipëri, në të kundërtën jemi të detyruar të protestojmë (Video)

Kryetari i Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, në një intervistë për emisionin “Përballje ditore” në Telegrafi.com me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur për pengesat tregtare që Shqipëria po iu bënë prodhuesve të Kosovës, si dhe për bashkëpunimin e mundshëm të prodhuesve nga të dy vendet.

Panxha ka thënë se është momenti i fundit që të zgjidhen problemet, sipas tij, në të kundërtën prodhuesit në shenjë proteste do ta bllokojnë kufirin.


“I kemi dy rrafshe që mund të veprojmë, i pari është ai institucional, ku mundet Qeveria e Kosovës të merr masa të reciprocitetit ndaj Shqipërisë. Kur t’i shikojmë ku janë eksportet më të larta, të kemi një presion dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne jemi të detyruar që ne si prodhues si shenjë proteste ta bllokojmë kufirin për një ditë. Besojmë se tash është koha e duhur që t’i zgjidhim këto probleme, pra duhet të ndërmarrim masa siç e kemi cekur se do të jetë bllokimi një ditor i kufirit me mundësi të përshkallëzimit, ku ky bllokim mund të zgjatet, sikurse që i bëjnë prodhuesit në Francë e Gjermani apo fermerët në Greqi”, tha Panxha.

Ai në këtë intervistë i ka numëruar problemet me të cilat po i hasin prodhuesit kosovar në tregun e Shqipërisë.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha gjatë intervistës për emisionin “Përballje ditore” në Telegrafi.com

“Barrierat fillojnë që nga starti i eksportit nga Kosova. Për shembull, në prodhues që ka nevojë për certifikatë duhet ta nxjerr origjinalin dhe ta noterizoj që të eksporton në Shqipëri, do të thotë se është një kosto e lartë. Këtu është problemi fillestar, pastaj është kufiri ku kemi vonesa të ndryshme, kemi kërkesa që të bëhet pagesa e skanerit dhe pjesë të tjera të brendshme. Gjithashtu kemi problemin e çmimeve referente, ku do të thotë se faturat e prodhuesve të Kosovës pranohen pa problem nga Maqedonia e Mali i Zi, si dhe në vendet e BE-së, në Shqipëri duhet të shkojmë përmes çmimeve referente. Pra në formë artificiale, Shqipëria rrit koston e produkteve të Kosovës duke i bërë jo konkurrente me tregun shqiptar. Ka kompani kosovare që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri, por janë duke hezituar për shkak të problemeve të shumta. Janë duke aplikuar politika dekurajuese karshi bizneseve kosovare”, theksoi kryetari i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha.

Përveç shkëmbimeve tregtare, Shqipëria dominon edhe me barriera ndaj Kosovës
Lexo po ashtu Përveç shkëmbimeve tregtare, Shqipëria dominon edhe me barriera ndaj Kosovës

Të hënën, Klubi i Prodhuesve dhe Oda Ekonomike e Kosovës në një konferencë të përbashkët për media kanë thënë se nuk ka vullnet politik nga ana e Qeverisë së Shqipërisë që të zgjidhen barrierat.

Sipas tyre, Shqipëria renditet e dyta, pas Serbisë me barriera për bizneset nga Kosova. /Telegrafi/