LAJMI I FUNDIT:

Pandemia COVID-19 rëndoi gjendjen e industrisë së qumështit në Kosovë

Pandemia COVID-19 rëndoi gjendjen e industrisë së qumështit në Kosovë

Industria prodhuese dhe përpunuese e qumështit në Kosovë është në gjendje mjaft të rëndë, pas situatës së krijuar në vend nga Coronavirusi dhe krahas kësaj gjendjen e këtij sektori po e vështirëson edhe shitja e produkteve me vaj palme në tregun vendor.

Ramadan Memaj nga Shoqata e Industrisë së Qumështit në Kosovë, ka thënë se gjendja aktualisht në industrinë e qumështit është rënduar edhe më shumë për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19.


Sipas tij, problem për qumështarët është teprica e qumështit, e cila është edhe më prezentë tani.

“Shumë fermerë dhe pika grumbulluese kanë hall se çfarë të bëjnë me qumështin e tyre, ndërkohë që fabrikat e përpunimit janë stërmbushur me produkte që nuk mund t’i shesin. Duke mos pasur zgjidhje tjetër qumështorët kanë filluar t’i shesin produktet e tyre nën koston e prodhimit”, tregoi Memaj për Gazeta Stop, duke shtuar se, nëse vazhdon shitja nën kosto, shumë përpunues mund të falimentojnë nga pamundësia e përballimit të gjendjes.

“Gjendja e tillë e krijuar vit pas viti është pasojë e produkteve me vaj palme, të cilat vijnë nga importi dhe pjesërisht prodhohen edhe në Kosovë. Ka shumë vite që shoqatat e qumështit kanë ngritur zërin kundër këtyre produkteve duke argumentuar rrezikun që i kanoset konsumatorëve dhe industrisë së qumështit, por institucionet përgjegjëse asnjëherë deri më sot nuk ishin në nivel të obligimeve dhe përgjegjësive të tyre”, tha ai.

Por, problem për industrinë e qumështit në vendin tonë, vazhdon të jetë shitja e produkteve me vaj palme.

“Është me rëndësi të përsëritet edhe njëherë se problemi kryesor i sektorit janë produktet ilegale mashtruese dhe të dëmshme me vaj palme, kurse problemet tjera janë sekondare. Pa u ndaluar këto produkte, industria e qumështit në Kosovë nuk do të mund të mbijetoj”, tha Memaj.

Ndryshe, sasia ditore e prodhimit vendor të qumështit është 140 mijë litra, që i bie rreth 40 për qind e sasisë totale të konsumit në Kosovë. Kurse në vitin 2015, prodhimi vendor i qumështit ka mbuluar rreth 60 për qind të tregut.