Panairi i Teknologjisë në Shtime promovon inovacionin dhe kreativitetin e të rinjve

Në Shtime është mbajtur Panairi i Teknologjisë, një aktivitet i organizuar nga Qendra Alfa Omega, i cili ka shërbyer si platformë për prezantimin e ideve inovative dhe projekteve teknologjike të të rinjve.
Sipas njoftimit të komunës, panairi i zhvilluar më 12 prill ka përmbledhur një sërë aktivitetesh të fokusuara në zhvillimin e aftësive në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Nxënësit e shkollave të komunës kanë prezantuar projekte kreative, përfshirë eksperimente praktike, robotikë, lojëra interaktive dhe zgjidhje inovative të realizuara nga vetë ata.
Ky aktivitet ka shënuar gjithashtu përmbylljen e Javës së Teknologjisë, e cila u karakterizua nga një program i pasur me aktivitete edukative dhe praktike. Gjatë kësaj jave janë organizuar laboratorë teknologjikë, gara në kodim, vizita studimore në Observatorin Kombëtar në Rashincë, si dhe një mbrëmje karriere për orientimin profesional të të rinjve.
Në kuadër të panairit është zhvilluar edhe një aktivitet i veçantë për vrojtimin e qiellit, në bashkëpunim me organizatën Astronomy Outreach of Kosovo.
Nga Komuna e Shtimes është theksuar se përmes këtyre aktiviteteve synohet të nxitet kureshtja shkencore, të zhvillohen aftësitë praktike dhe të promovohet orientimi i të rinjve drejt fushave të inovacionit dhe teknologjisë. /Telegrafi/




















































