Pakoja e skaduar
I gjithë opinioni në Kosovë, me të drejtë e sheh ardhjen e Tadiqit si një provokim dhe vazhdimësi e politikës destabilizuese të Beogradit ndaj fqinjit të saj më të ri. Nuk kanë munguar edhe akuzat në drejtim të krerëve institucionalë të Kosovës që e dhanë lejen për ardhjen e tij, të cilët shpesh kanë lëshuar deklarata të paqëndrueshme për konsum politik.
Problemi paraqitet te Pakoja Ahtisaari, e cila ua njeh manastireve serbe në Kosovë ekstraterritorialitet si prona të Kishës serbe, pra tokë e huaj brenda shtetit të Kosovës. Në Aneksin V të këtij dokumenti thuhet se “Kosova nuk do të ndalojë në mënyrë arbitrare hyrjen në Kosovë…të personave laikë apo të ftuarve të tjerë dhe pjesëtarëve të Kishës Ortodokse Serbe”. Kjo i ka shtyrë drejt zgripit hapat politikë të krerëve shtetërorë të Kosovës, të cilët në heshtje e pranojnë të japin leje për vizita të tilla destabilizuese.
Në anën tjetër, tashmë gjithkush e ka të qartë se Beogradi edhe më tej vazhdon t’i shfrytëzojë serbët kosovarë thjesht si mjet për qëllimet politike dhe të interesave partiake në Serbi. Mbase për këtë arsye, thelbësore do të ishte momenti i duhur që Kosova ta rishikonte qëndrimin ndaj zbatimit të pa rezervë të Pakos Ahtisaari. Serbia, e cila nuk e njeh këtë Pako, i shfrytëzon vetëm të drejtat, por jo edhe detyrimet që ka nga ky dokument. Me përmbajtjen që ka, Pakoja u hartua si e tillë me qëllim që të ishte e pranueshme për mbarë botën, pasi ishte neutrale ndaj palëve dhe e hartuar nga një emisar i ngarkuar nga OKB-ja.
Pakoja u hartua për të qenë e pranueshme edhe nga Serbia dhe për ta nxitur fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Por, shteti serb vazhdon të investojë shumë energji, qindra miliona euro për destabilizimin e Kosovës dhe ndërhyn në punët e saj të brendshme, duke arritur ta dëmtojë praktikisht funksionalizimin e shtetit jo vetëm në veri, por edhe në thellësi të territorit të saj. Edhe njohjet për Kosovën, në bazë të këtij dokumenti, rezultuan të pasuksesshme, ndërsa shumë njohje të akorduara nuk i referohen aspak dokumentit Ahtisaari.
Decentralizimi dhe të drejtat e mëdha të komunave serbe do ta shtojnë anarkinë, por njëherësh do ta çintegrojnë pakicën serbe. Çintegrimi i tyre vjen si pasojë e politikës destabilizuese të Beogradit dhe qëndrimit jokonstruktiv ndaj sanksionimeve të Pakos. Mënyra e tanishme e Pakos me decentralizimin që parashikohet të bëhet i diskriminon serbët në dy aspekte: i izolon ata në shoqëri një etnike dhe i diskriminon, duke u krijuar një lidhje direkte me Beogradin dhe distancim me kryeqytetin e shtetit të vendit, ku jetojnë.
Komunat serbe, duke pasur kompetenca të mëdha, si një barrë e rëndë përtej mundësive të tyre reale ekonomike dhe potencialit njerëzor, do t’ua vështirësojë atyre jetën në organizimin e sferës së arsimit, zhvillimit ekonomik, shëndetësisë, kulturës etj., të cilat parashikohen me procesin e decentralizimit.
Serbët kosovarë, të cilët shfrytëzohen vetëm si mjet për qëllimet politike të partive në Beograd, shumë shpejt do të dëshpërohen, sepse realisht ata nuk do të mund të përfitojnë për kohë të gjatë nga kryeqyteti serb.
Serbët lokalë do ta kuptojnë pas një kohe dhe tashmë kanë filluar ta kuptojnë se mbajtja e syve drejt Beogradit ka qenë humbje kohe për ta. Atyre do t’u mbeteshin dy alternativa: t’i kthejnë sytë nga Prishtina dhe të integrohen në shoqërinë e shtetit të ri, duke përfituar nëpërmjet diskriminimit të pashembullt pozitiv; ose duke i mbajtur sytë nga Beogradi dhe duke e refuzuar ofertën e Prishtinës, ata pas një kohe, të dëshpëruar, do të detyrohen vullnetarisht ta braktisin Kosovën dhe në Serbi të përballen me injorim, përbuzje dhe mosintegrim.
Serbët kosovarë vetëm atëherë do ta pranonin se askund në botë nuk paskan mundur të jenë më të përkëdhelur dhe më me perspektivë se në Kosovë.
Rishikimi i qëndrimit për zbatimin e verbër të Pakos nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me shkurtimin e të drejtave të minoriteteve, por, përkundrazi, me krijimin e mundësive praktike për përfitimet e tyre.
Prandaj, rishikimi i zbatimit të Pakos në radhë të parë është në të mirën e serbëve, si pasojë e mosintegrimit të tyre, mosbashkëpunimit të Beogradit dhe mosprodhimit të efekteve të dëshiruara në njohjet e shtetit të Kosovës dhe interesit të përgjithshëm të shtetit të ri.





































