LAJMI I FUNDIT:

Pak rusë e donin luftën në Ukrainë, por ata nuk do e duan as disfatën e Rusisë

Pak rusë e donin luftën në Ukrainë, por ata nuk do e duan as disfatën e Rusisë

Nga: Anatol Lieven / The Guardin
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Ka shumë të ngjarë që ne kurrë saktësisht nuk do ta dimë se si dhe pse u vra Yevgeny Prigozhini – udhëheqësi i grupit mercenar rus Wagner. Ka gjithashtu shumë të ngjarë që ai, me shumë gjasë, të jetë vrarë me urdhër të Vladimir Putinit, por ndoshta edhe me urdhër të armiqve të tij në Ministrinë ruse të Mbrojtjes të cilët, mbase për një kohë të gjatë, e kanë ëndërruar këtë moment dhe besonin se pa u ndëshkuar ata, më në fund do të mund ta vrasin.


Shumica e komenteve perëndimore mbi këtë vrasje, janë përqendruar në frikën e Putinit se mes e elitave ruse, ose në bazën e tij të brishtë, vdekja e Prigozhinit demaskon regjimin rus.

Kjo nuk është krejtësisht e gabuar, por i mungojnë disa ndrojtje të kahershme që janë përhapur brenda establishmentit rus dhe, në fakt, në popullatën e gjerë ruse – e që do të ndikojnë në mënyrën se si do të zhvillohen ngjarjet: frika nga disfata, kaosi dhe anasjelltas. Ajo që me të vërtetë shqetësonte shumicën e anëtarëve të elitës, ishte dështimi i Putinit për të vepruar shumë më herët për t’ia dhënë fundin grindjes publike midis Prigozhinit dhe ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe se demonstrata e armatosur e Prigozhinit rrezikoi ndarjen shkatërrimtare të brendshme në Rusi, duke çuar kjo në disfatën në Ukrainë.

Rezultati i luftës është thelbësor në mendimet e secilit. Nëse gjykojmë nga dështimet e fundit të operacioneve sulmuese ukrainase, nëse regjimi dhe shteti rus mbeten të bashkuara, atëherë ushtria ruse ka shanse të mira për t’i mbrojtur linjat e veta ekzistuese. Nga bisedat që kam pasur, duket se një shumicë e madhe e elitës dhe e rusëve të zakonshëm do ta pranojnë armëpushimin përgjatë linjave aktuale të betejave, dhe se nuk do të sfidonin nëse Putini propozon ose pranon armëpushim të tillë dhe nëse atë e paraqet si fitore të mjaftueshme ruse.

Thellësisht të pakënaqur do të ishin elementët nacionalistë të linjës së ashpër, në pushtet dhe në ushtri; por, ata janë dobësuar nga rënia e Prigozhinit dhe nga masat që Putini ka ndërmarrë për ta frenuar ndikimin e tyre, përfshirë këtu shkarkimin e dy gjeneralëve dhe arrestimin e liderit ultra-nacionalist dhe ish-komandantin e milicisë në Donbas, Igor Girkin. Megjithatë, Putini ashiqare është ende i frikësuar nga ndikimi i tyre dhe nga admirimi i tyre i vazhdueshëm për Prigozhinin; kjo pa dyshim është arsyeja se pse donte që funerali i Prigozhin të jetë krejtësisht privat.

Programi i preferuar i nacionalistëve të vijës së ashpër, që është fitorja e përgjithshme në Ukrainë dhe që do të sillte mobilizimin e plotë të popullsisë dhe të ekonomisë si gjatë vitit 1942, do të ishte thellësisht jopopullor në mesin e shumicës së popullsisë dhe do të përbënte kërcënim vdekjeprurës për pronën e elitave ekonomike – që pa dyshim është arsyeja se pse Putini këtë e ka refuzuar, deri sot.

Sidoqoftë, aversioni i përgjithshëm i elitës për ta ndjekur fitoren totale në Ukrainë, nuk është e njëjta gjë me gatishmërinë për ta pranuar humbjen ruse – që aktualisht është gjithçka që qeveritë e Ukrainës dhe të ShBA-së po ofrojnë. Asnjëri nga ata me të cilët kam folur përbrenda elitës së Moskës, dhe me të vërtetë shumë më pak në popullatën e gjerë, nuk ka thënë se Rusia duhet ta dorëzojë Krimenë dhe Donbasin lindor. Nëse sovraniteti rus mbi këto territore nuk njihet zyrtarisht nga Ukraina – diçka që Kievi kategorikisht ka përjashtuar – rusët që kanë këtë pikëpamje besojnë se Rusia duhet të mbajë territoret shtesë që ka marrë që nga pushtimi i vitit të kaluar, për ta parandaluar çdo sulm të ardhshëm ukrainas në Krime dhe në Donbas.

Nuk kishte asnjë provë se elita ruse, dhe në të vërtetë rusët e rregullt, donin që në radhë të parë pushtimi të ndodhte. Ky vendim u mor nga Putin dhe nga ekipi i tij i afërt. Por, ende ka mosgatishmëri të përgjithshme për ta parë Rusinë të mposhtur dhe të poshtëruar në Ukrainë. Këtu mund të bëhet një krahasim me disa ushtarë amerikanë që unë njoh, të cilët nuk e kanë dashur pushtimin e Irakut, por që gjithashtu – pasi ushtria amerikane u angazhua atje – nuk donin ta shihnin atë të mundur.

Kjo shkakton dilema të rënda për liberalët rusë: si ta kundërshtojnë luftën, pa mbështetur palën ukrainase në luftën në të cilën ushtarët rusë po vdesin dhe që Rusinë po e kërcënon me humbje shkatërrimtare. Kjo ta kujton intervistën me veteranin e plagosur në Vietnam, John Musgrave, që u bë kundërshtar i zjarrtë i luftës, por që megjithatë zëshëm reagoi kur [aktorja] Jane Fonda udhëtoi për në Vietnamin e Veriut dhe kur u fotografua me ushtarët e Viet Kongut. Shumë liberalë rusë në Perëndim, në thelb kanë marrë qasjen Fondës për mbështetje të hapur ndaj armiqve të Rusisë. Kjo moralisht mund të jetë e saktë, por ka shumë pak gjasa t’i ndihmojë ata që t’i fitojnë zgjedhjet e ardhshme të lira në Rusi, nëse ato mbahen ndonjëherë.

Frika e elitës, për humbjen ruse, lidhet me frikën përfundimtare nga anarkia ruse të cilën në përgjithësi e ka pjesa më e madhe e popullsisë. Ata në fakt pajtohen me disa nga elementët më të ashpër anti-rusë në ShBA dhe në Evropën Lindore: se disfata e plotë në Ukrainë do të çonte në rënien e regjimit të Putinit dhe se kjo, nga ana tjetër, mund të çonte në një periudhë kaosi që do ta dobësonte rëndë ose madje do ta shkatërronte Federatën e Rusisë.

Frika nga një Kohë e re e Trazirave [term që ndërlidhet me ngritjen në pushtet, më 1613 në Rusi, të dinastisë Romanov] ka rrënjë shumë të thella në kulturën ruse dhe kjo fuqishëm u ringjall nga përvojat katastrofale të viteve 1990. Duke folur nga këndvështrimi i komunitetit më të vogël të biznesit, pronarja e një zinxhiri të kafeneve më tha se, pavarësisht zemërimit të konsiderueshëm për korrupsionin e miqve të Putinit, shumica e biznesmenëve që njeh ajo janë ende besnikë ndaj Putinit, sepse ai ia dha fundin zhvatjeve mafioze dhe konflikteve të viteve 1990 të cilat zhvillimin e biznesit të suksesshëm e bënin jo vetëm të vështirë, por ndonjëherë edhe fatal.

Në qendër të kësaj frike të elitave është edhe frika nga njëri-tjetri ose, mund të thuhet, frika për vetveten. Kaosi i viteve 1990 përfshiu betejat e egra midis të ashtuquajturve oligarkë, duke përfshirë, në disa raste, edhe vrasjet. Duket se elitat e sotme besojnë se pa një udhëheqës të fortë si Putini, për t’i mbajtur ata në kontroll, nuk do të ishin në gjendje të ndërmjetësonin mosmarrëveshjet e tyre dhe ta mbanin shtetin të bashkuar.

Pavarësisht nga gjithë këta faktorë që favorizojnë vazhdimin e Putinit në pushtet, një tjetër humbje e rëndë në Ukrainë ka shumë të ngjarë ta dënojë regjimin e tij. Përsëri, rivalët e mundshëm të Putinit, brenda sistemit, nuk kanë nevojë ta dinë historinë melankolike të Gjermanisë së Vajmarit, për të kuptuar se regjimi që merr pushtetin nën hijen e një disfate shkatërrimtare, nuk ka gjasa të jetë i qëndrueshëm apo i suksesshëm. /Telegrafi/