LAJMI I FUNDIT:

Ukraina po fiton: A po e synon Amerika disfatën më poshtëruese të Rusisë?

Ukraina po fiton: A po e synon Amerika disfatën më poshtëruese të Rusisë?

Nga: Anatol Lieven, analist politik, autor i librit “Ukraina dhe Rusia: Rivaliteti vëllazëror” / The Guardian
Titulli origjinal: Ukraina veçse po fiton: Fitorja mund të arrihet pa rrezikuar luftën bërthamore
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Me ndihmën e Perëndimit, Ukraina ka shënuar fitore të madhe. Është mposhtur krejtësisht synimi fillestar i pushtimit rus – për ta marrë Kievin dhe për ta zëvendësuar qeverinë ukrainase. Ushtria ruse është rigrupuar në lindje, në një objektiv shumë më të kufizuar: të marrjes së gjithë rajonit të Donbasit të populluar nga rusët, të cilin Moska tashmë e ka njohur si të pavarur.


Nëse ushtria ruse mund ta arrijë këtë synim në javët në vijim, atëherë nuk mund ta dimë me siguri se cila do të jetë lëvizja e ardhshme e Moskës. Megjithatë, Rusia ka pësuar viktima të mëdha në mesin e trupave të saj elitare. Madje, edhe marrja e qytetit relativisht të vogël të Mariupolit ka zgjatur dy muaj dhe për këtë qellim është dashur që qyteti të kthehet në gërmadhë. Duke pasur parasysh këtë, duket e pabesueshme fushata e mëtejshme ruse për t’i marrë qytetet shumë më të mëdha, si Odesa. Më shumë ka gjasa që Rusia të shkojë në mbrojtje e të ofrojë armëpushim dhe bisedime paqësore.

Putini do të pretendojë para popullit rus se marrja e një pjese të territorit shtesë në Donbas është fitore për Rusinë, por nuk është e nevojshme që Perëndimi të pajtohet me të. E vërteta është se kjo luftë na ka dëshmuar katastrofën ushtarake, politike dhe morale të Rusisë. Reputacioni i ushtrisë ruse është copëtuar; ekonomia e Rusisë është dëmtuar rëndë; ndërsa Bashkimi Evropian po lëviz me shpejtësi të habitshme drejt zgjidhjes për t’i dhënë fund varësisë nga nafta dhe – paksa më ngadalë – nga gazi rus. Kjo do thotë se për gazin e saj Rusia – në të ardhmen – do të jetë e varur nga tregu i Kinë, që do të thotë nënshtrim politik ndaj Kinës dhe ndaj aftësisë së saj për ta caktuar çmimin.

Cilat janë implikimet më të gjera të humbjes së Rusisë? E para është se për çështjen më të rëndësishme deri tani – atë të sovranitetit, të pavarësisë dhe rreshtimit properëndimor – Ukraina (dhe Perëndimi) veçse ka fituar. Kjo do të duhej ta lejonte një shkallë fleksibiliteti kur është fjala për kompromiset mbi çështjet territoriale, veçanërisht pasi shumica e territoreve në fjalë janë kontrolluar nga Rusia që nga viti 2014. Së dyti, nëse ka pasur ndonjëherë plan rus për ta përdorur Ukrainën si trampolinë për agresion të mëtejshëm, edhe kjo punë ka marrë fund. Nëse ushtria ruse nuk mund t’i pushtojë qytetet më pak se 20 milje larg Rusisë, vështirë se do ta pushtojë NATO-n.

Pa dyshim se Rusia do t’i mbrojë pozicionet që tashmë mban – mbrojtjen e territoreve të shkëputura në Moldavi, në Gjeorgji dhe Nagorno-Karabakh. Nëse lufta në Ukrainë vazhdon, do të shtohet rreziku që Gjeorgjia dhe Azerbajxhani të duan përsëri t’i rimarrin territoret e humbura me forcë. Rezultat i kësaj do ishte konflikti shumë më i gjerë dhe akoma më i rrezikshëm.

Shtrirja e tillë e luftës do të inkurajohet nëse Ukraina bëhet përfaqësuese e luftës së ShBA-së kundër Rusisë, siç me sa duket po synon administrata e Biden. Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se ShBA-ja duhet ta përdor luftën në Ukrainë për ta “dobësuar” Rusinë, në mënyrë që ta parandalojë pushtimin e saj në më shumë vende tjera. Zëra të rëndësishëm në ShBA dhe në Britani kanë thënë se duhet ta ndihmojmë Ukrainën të arrijë fitore të plotë, me të cilën duket se e nënkuptojnë dëbimin e Rusisë nga të gjitha territoret që i ka marrë që nga viti 2014 dhe imponimi i disfatës aq poshtëruese sa të përmbyset regjimi i Putinit. Duket e çuditshme, por është thënë se mbështetja e ShBA-së për muxhahidinët në Afganistan në vitet 1980 – me të gjitha pasojat e saj të tmerrshme për Afganistanin, për ShBA-në dhe për Lindjen e Mesme – është modeli që po përdoret për këtë.

Pajtimi publik perëndimor për vuajtjet ekonomike – të krijuara nga sanksionet – është nxitur përmes argumentit se kjo është e domosdoshme për ta mbrojtur Ukrainën dhe për ta ndaluar agresionin rus. Dobësimi i përhershëm apo edhe shkatërrimi i Rusisë është çështje shumë më ndryshe. Mbështetja për Ukrainën është legjitime dhe e nevojshme, por ajo gjithashtu e ka arritur qëllimin e saj më të rëndësishëm: të ruajtjes së pavarësisë dhe të sovranitetit të Ukrainës mbi pjesën më të madhe të territorit ukrainas dhe frenimin e mëtejshëm agresionit të rus.

Kjo po ashtu është shumë e rrezikshme. Në radhë të parë, që ukrainasit t’i sulmojnë pozicionet ruse në gjithë vendin, kjo do të ishte çështje shumë ndryshe nga mbrojtja e qyteteve të Ukrainës. Avantazhi taktik në mënyrë të pashmangshme do të zhvendosej në Rusi. Kështu, Ukraina mund të pësojë humbje të mëdha dhe ta kthejë fitoren në humbje.

Nëse, nga ana tjetër, Ukraina – me mbështetjen perëndimore – duket se është në prag të fitores së plotë, kërcënimi për regjimin e Putinit dhe për interesat jetike ruse do të ishte i tillë sa të duket e mundshme që Rusia të përshkallëzohet me sulmet raketore kundër furnizimeve të NATO-s në linjat në Poloni – përpjekje për ta tmerruar Francën dhe Gjermaninë për të bërë paqe të veçantë.

Sapo një anëtar i NATO-s sulmohet, do të ketë presion të jashtëzakonshëm në ShBA për ta shpallur zonën e ndalim-fluturimit në Ukrainë – me fjalë të tjera, për ta dërguar forcën ajrore amerikane në veprim, për t’i mbështetur forcat ukrainase në terren. Disa nga këta aeroplanë më pas do të rrëzohen nga raketat e stacionuara në vetë Rusinë. Për sa kohë do t’i pranonte ShBA-ja këto viktima përpara se t’i niste sulmet në territorin rus?

Atëherë do të përballeshim me perspektivën të cilën – gjatë Luftës së Ftohtë – tetë presidentë amerikanë u kujdesën shumë për ta shmangur: Rusia dhe NATO-ja t’i lëshonin raketat në territorin e njëri-tjetrit, si dhe konflikti i drejtpërdrejtë në Evropë mes dy superfuqive bërthamore, me aftësinë e tyre për ta shkatërruar njerëzimin. Presidentët e ShBA-së nuk u përmbajtën nga kjo për shkak të simpatisë ndaj Bashkimit Sovjetik, por nga llogaritjet e ftohta për rreziqet e tmerrshme që kjo përfshinte. Ndaj, është e panevojshme të shkosh drejtë këtyre rreziqeve, duke pasur parasysh disfatën strategjike që kemi ndihmuar për t’ia shkaktuar tashmë Rusisë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
E çuditur nga komentet negative, Era Istrefi reagon e revoltuar: Dikush qëllimshëm po mi shkruan

E çuditur nga komentet negative, Era Istrefi reagon e revoltuar: Dikush qëllimshëm po mi shkruan

Magazina
“Jam tifozi i tij më i madh” – Rakitic emëron ikonën e Barçës si lojtarin e tij të preferuar, nuk është Messi

“Jam tifozi i tij më i madh” – Rakitic emëron ikonën e Barçës si lojtarin e tij të preferuar, nuk është Messi

La Liga
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme
Aeroplani gjigant u “përplas” dy herë në pistën e aeroportit të Kalifornisë – rrotat nxirrnin tym – pastaj u ngrit përsëri

Aeroplani gjigant u “përplas” dy herë në pistën e aeroportit të Kalifornisë – rrotat nxirrnin tym – pastaj u ngrit përsëri

Amerika
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Kalo në kategori