LAJMI I FUNDIT:

Pacolli: Dialogu në Bruksel nuk po zhvillohet për territore

Pacolli: Dialogu në Bruksel nuk po zhvillohet për territore

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se dialogu me Serbinë është i domosdoshëm për të gjetur zgjidhje për qytetarët e të dyja shteteve dhe drejt integrimeve evropiane.

Siç ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook, dialogu në Bruksel nuk zhvillohet për territore e popuj, por për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe hapjes së rrugës së integrimeve.


“E kam vlerësuar në drekën e përbashkët të punës me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ministrave të Gjermanisë e Polonisë si bashkë-organizatore të takimit në Varshavë në kuadër të Procesit të Berlinit, se bashkëpunimi rajonal është thelbi i ecjes përpara dhe ky bashkëpunim duhet të mbështetet në marrëveshje, dialog dhe në zgjidhje paqësore”, ka shkruar Pacolli, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu, Pacolli ka thënë se procesi i Berlinit është një nismë e rëndësishme që po ndihmon gjithë rajonin në vendosjen e lidhjeve infrastrukturore, zhvillimin ekonomik dhe mbi të gjitha lehtësimin e marrëdhënieve në Ballkan dhe përmirësimin e tyre.

Dhe që, sipas tij, Kosova është pjesë e pandashme e këtij procesi dhe që po ecet drejt dhe me hapa të sigurt për një të ardhme paqësore.

Në fund të shkrimit, Pacolli ka thënë se keqpërdorimi që po bën Serbia duke manipuluar me procesin e dialogut po dëmton perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. /Telegrafi/