LAJMI I FUNDIT:

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, krizë institucionale – Kushtetuta nuk ofron zgjidhje  

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, krizë institucionale – Kushtetuta nuk ofron zgjidhje  

Për të pestën herë me radhë më 14 gusht ka dështuar zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat u mbajtën më 11 qershor.

Tashmë dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe një muaji pas certifikimit të rezultatit  zgjedhor, partitë politike ende nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e kryeparlamentarit, pastaj formimit të qeverisë.


Derisa në seancën konstituive nuk po merr pjesë koalicioni PAN me arsyetimin se nuk po konsultohen paraprakisht për mbajtjen e kësaj seance, në anën tjetër Vetëvendosje nuk po merr pjesë në takimet konsultative, të kërkuara nga PAN-i.

Takimi konsultativ i mbajtur sot e që ishte kërkuar nga PAN-i është mbajtur pa prezencën e Vetëvendosjes, ndërkohë që me gjithë kritikat e ashpra për PAN-in, në këtë takim u aprovua kërkesa e tyre për seancë më 24 gusht, ndonëse javën e kaluar kishin kërkuar që seanca të mbahet më 17 ose 18 gusht.

Kështu PAN-i fitoi më shumë se një javë kohë për t’i shtyrë para proceset.

Por, çfarë mund të ndodh më 24 gusht nëse bojkotojnë seancën deputetët e LAA-së dhe Vetëvendosjes, apo nëse PAN-i nuk arrin t’i bëjë numrat.

Lidhur me situatën e krijuar, mundësinë që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bllokohet edhe më tej dhe si mund të vazhdohet më tutje kanë folur për Telegrafin njohësit e çështjeve kushtetuese, Vigan Qorrolli dhe Flamur Hyseni.

Të dy njohësit e çështjeve kushtetuese theksuan për Telegrafin se në Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk sqarohen mundësitë se si mund të procedohet tutje nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konstituohet.

Profesori Vigan Qorolli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e heshtur në këtë pikë, pasi nuk sqaron se si duhet të veprohet tutje nëse nuk konstituohet Kuvendi.

Sipas tij, do duhej të shterohen të gjitha mundësitë juridike deri në përzgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe të konstituimit të Kuvendit.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e heshtur në këtë pikë”, ka thënë ai.

I pyetur se a mundet Presidenti i vendit të jap një zgjidhje duke shpall kështu zgjedhjet e jashtëzakonshme ai tha: “Sa i përket shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga ana e Presidentit, kjo nuk mund të ndodh pasi Presidenti duhet së pari të shpërndaj Kuvendin dhe të shpall zgjedhje të jashtëzakonshme, dhe në këtë rast nuk kemi një Kuvend të konstituuar për të shkuar tek zgjedhjet e jashtëzakonshme”.

Edhe ligjëruesi i së drejtës në Universitetin e Prishtinës, Flamur Hyseni, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk ka ndonjë të dhënë të saktë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për  përcaktimin e afatit për konstituim të Kuvendit.

Hyseni tha se situata aktuale ku procesi është ndalë te zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit nuk paraqet asnjë problem kushtetues – juridik, por politik.

“Të njëjtat dispozita kushtetuese janë që nga koha e themelimit të Kuvendit për herë të parë më 2001, përfshirë atë kohë kur në fuqi ishte Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme. Asnjëherë nuk ka qenë problem as Korniza Kushtetuese (2001-2008) dhe as Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 2008. Asnjëhere nuk ka pas fitues absolutë të zgjedhjeve, por vetëm fitues relativ. Gjithherë ka pas qeveri të koalicionit”, ka thënë ai për Telegrafin.

Hyseni shpjegoi se për tu zbatuar dispozitat Kushtetuese për mbarimin e procesit konstitutiv të Kuvendit, duhet të plotësohen kushtet paraprakisht.

“Kjo do të thotë se një normë kushtetuese është e mundshme të zbatohet, në rastin konkret të konstituimit të Kuvendit kur arrihet një marrëveshje koalicioni për qeverisje që mundëson shumicën parlamentare prej së paku 51 %, përkatësisht 61 deputetë”, u shpreh Hyseni.

Mirëpo, sipas tij derisa nuk ka ndonjë marrëveshje politike për vazhdimin e procesit të konstituimit,  gjendja do të mbetet e tillë.

“Askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë fazë në procesin e konstituimit. Përgjegjësit e vetëm aktualisht janë partitë politike. Rezultati i zgjedhjeve ka tregu se duhet të ketë marrëveshje koalicioni për të mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe pastaj zgjedhjen e qeverisë së koalicionit që ka së paku 51 %, përkatësisht 61 deputetë që e votojnë ‘për’”, tha tutje ai.

Ligjëruesi i së drejtës, tregoi po ashtu se nuk duhet kërkuar zgjidhja përmes Gjykatës Kushtetuese, pasi nuk ka nevojë inkuadrimi i Gjykatës në raste të tilla.

“Ndryshimi i Kushtetutës nuk ka nevojë të ndodhë. Nuk mund të ndryshohet Kushtetuta sa herë që një partie politike apo disa partive politike nuk u pëlqen gjendja aktuale e krijuar si rezultat i procesit zgjedhor demokratik dhe rezultatit zgjedhor sepse ndryshimet e shpeshta kushtetuese krijojnë jo stabilitet institucional dhe praktika të rrezikshme për funksionimin e shtetit. Është për të habit fakti se rezultati i zgjedhjeve pranohet, ndërsa nuk veprohet sipas tij”, u shpreh tutje ai.

“Po të ishte kultura politike më e ngritur kjo situatë nuk do të ndodhte. Është interesante se te ne ndodhë që të ekzistojë përvoja parlamentare, por të mungojë kultura politike dhe përgjegjësia politike. Prandaj, po rikonfirmohet edhe njëherë (2014, 2017) se, duhet shtuar edhe një dispozitë në Kushtetutë për ta përcaktu saktë afatin për konstituim të Kuvendit prej momentit të thirrjes së seancës Konstitutive nga Presidenti. Me këtë nivel papërgjegjësie politike dhe mungesës së kulturës politike, procesin duhet ta bëjmë të tërin të mekanizuar – normuar sepse si të tillë partitë politike nuk po e respektojnë dhe nuk po duan ta kuptojnë”, ka thënë Hyseni. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Lajme
Britania e Madhe reagon për protestën para Bashkisë së Tiranës: Molotovi nuk ka vend në demokraci

Britania e Madhe reagon për protestën para Bashkisë së Tiranës: Molotovi nuk ka vend në demokraci

Lajme
11-vjet nga marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq, deklarohet Stano: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

11-vjet nga marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq, deklarohet Stano: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

Lajme
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
SHBA-ja synon ta

SHBA-ja synon ta "fortifikojë" Ballkanin Perëndimor

Lajme
Haradinaj kritikon ashpër Kurtin: Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet herëdokur

Haradinaj kritikon ashpër Kurtin: Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet herëdokur

Politikë
Kalo në kategori