LAJMI I FUNDIT:

”Pa PSP nuk ka Maqedoni”

”Pa PSP nuk ka Maqedoni”

Kriza politike në Maqedoni u bë më e fortë kur u publikuan të ashtuquajtura ‘bomba’ e ashtuquajtura nga LSDM ku më pas politikanët u detyruan për krijimin e Prokurorisë Speciale Publike në krye me Katica Janevën, Prokurori e cila ishte në një ndër pikat e rëndësishme të Përzhinos. Marrëveshja e Përzhinos ishte marrëveshje kyçe për Maqedoninë që vendi të dalë nga kriza politike. Ajo u nënshkrua nga katër partitë politike më të mëdha në Maqedoni, OBRM-PDUK, LSDM, BDI dhe PDSH. Bisedimet gjatë marrëveshjes u zhvilluan nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve, gjegjësisht Peter Vanhoutte. PSP kishte mandat 18 mujor për shqyrtimin e rasteve që dolën nga aferat e përgjimeve, por ajo deri më tani është përballur me pengesa politike, veçanërisht nga OBRM-PDUKM, e cila nuk pajtohet që t’i vazhdohet mandati PSP-së.

Telegrafi Maqedoni në lidhje me vështirësitë dhe sfidat e PSP-së dhe epilogun politik të Maqedonisë pa këtë institucion, ka kontaktuar ekspertët juridik Besa Arifi, Bekim Kadriu dhe opinionistin Ramadan Ramadani.


Pushteti në Maqedoni sipas ekspertes dhe profesoreshës juridike, Besa Arifi, nuk ka treguar gatishmëri që të përballet me akuzat korruptive.

”PSP deri tash është përballë me shumë sfida që kanë treguar pagatishmerinë ndaj këtij institucioni, apo mungesën e gatishmerisë së këtij pushteti që të përballet me akuzat për format e rënda të kriminalitetit dhe të cilat lidhen në veçanti me korrupsionin dhe praktikat korruptive. Në një shoqëri përderisa nuk ekziston përgjegjësi penale për veprat e tilla penale, nuk mund të flitet për stabilitet dhe herë do kurdo përsëri do të paraqiten probleme të cilat lidhen me këto vepra dhe me papërgjeshmërinë e personave, veçanërisht të cilët janë në funksione të larta shteterore. Prandaj puna e PSP-së është shumë e rëndësishme dhe sigurisht që e njëjta të vazhdojë pa pengesa që janë bërë deri tani. Për tu bërë kjo, së pari duhet që të vazhdohet mandati i saj që të ngriten aktakuza dhe duhet të bëhen disa ndryshime në legjislacion për t’i mundësuar PSP-së që të mbrojë dëshmitarët e saj dhe të ketë hulumtime më të mira të rasteve të cilat i heton. Një qeveri stabile nuk mund të ekzistojë, në qoftë se nuk ekziston kjo përgjegjësi për të cilën flas”, deklaron Arifi për Telegrafi Maqedoni.

Arifi për Telegrafin sqaron arsyen pse u krijua PSP në Maqedoni, ku thotë se, ishte pikërisht mënyra e qeverisjes së deritanishme. Kështu që nuk mund të pritet në qoftë se e njëjta qeveri vazhdon të ekzistojë edhe me tej, që PSP nuk do të haset edhe në problemet tjera.

”OBRM-PDUKM u shpreh shumë qartë lidhur me atë se nuk do të lejojë të vazhdohet mandati i PSP-së, dhe ajo qartazi e shprehu pozitën e saj në këtë drejtim dhe me gjithë deklaratat e deritanishme nuk mundohet të bëj asgjë tjetër vetëm se ta diskreditojë këtë institucion shumë të rëndësishëm të drejtësisë në Maqedoni. Nga ana tjetër përkrahja që BDI ka treguar, ka qenë krejtësisht deklarative dhe mbetet të shihet nëse ajo përkrahje do të mbetet e tillë apo do të ndryshojë në të ardhmen”, vlerëson Arifi.

Edhe Ramadan Ramadani, opinionist pranë Institutit për mendim të lirë “Nisma” në Shkup, për Telegrafi Maqedoni është shprehur decid se pa PSP nuk ka Maqedoni.

”Duke marrë parasysh se PSP u krijua me aq konsensus shoqëror e politik dhe është institucioni i parë në Maqedoni që ka përkrahje aq të gjerë sa që është i pari institucion që u bënë protesta përkrahëse për të. Të mos harrojmë se nisja e parë e “Revolucionit Laraman” ishte përkrahja e kësaj prokurorie. Poashtu duke ditur varjen e shpresave për drejtësi në Maqedoni të shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë tek PSP-ja mund të konstatojmë se pa PSP-në nuk ka Maqedoni. Kjo edhe shkaku se esenca e shtetit është drejtësia. Nëse ajo ende do mungojë, Maqedonia do të vazhdojë të ekzistojë si term gjeografik, por pa drejtësi qytetarët nuk do e njohin për shtet”, thekson Ramadani.
Profesori i juridikut, Bekim Kadriu thotë se PSP u krijua si shkak i mosbesimit te institucionet gjyqësore por ajo kërkon ndryshime rrënjësore.

”Nëse flasim hipotetikisht, Prokuroria Speciale është themeluar për shkak të mosbesimit te institucionet gjyqësore, tek Prokuroria edhe te gjykata, por nuk kishte shumë guxim që subjektet politike të krijojnë Gjykatë speciale por vetëm Prokurori speciale dhe rezultatet tani shihen te Prokuroria speciale. Natyrisht i proceson lëndët deri te Gjykata dhe ajo përsëri bën pengesa. PSP është themeluar për një gjendje të caktuar, të përkohshme sepse edhe mandati i saj është i përkohshëm dhe supozohet se do t’i përfundojë mandati dhe institucionet gjyqësore do e vazhdojnë punën e tyre. Ajo kërkon ndryshime rrënjësore. Mos-ekzistimi i Prokurorisë Speciale nënkupton punën e saj që e ka bërë, ta vazhdojë me të njëjtin kapacitet, me të njëjtat aftësi, me të njëjtin seriozitet, Prokuroria e Pergjithshme. Dhe situatë të këtillë momentalisht nuk kemi dhe derisa nuk kemi situate të këtillë, zgjidhja më e mirë e momentit është që t’i vazhdohet mandati PSP-së”, deklarohet Kadriu për Telegrafi Maqedoni.

Kadriu thotë se PSP mund edhe të mos ekzistojë por sipas kthetrave politike, zgjidhje tjetër nuk ka, përveç se t’i vazhdohet mandati.

”Në një situatë ‘normale’ Prokuroria Speciale mos të ketë nevojë të ekzistojë dhe natyrisht të gjitha lëndët që ajo i ka inicuar por edhe raste tjera që dalin nga përgjimet të mund të inicohen dhe të vazhdohen nga Prokuroria e Pergjithshme. Kjo ështe tendenca, mirëpo momentalisht ajo gjë nuk është e mundur përshkak se ende Prokuroria e Përgjithshme, edhe Gjykata, Këshilli gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve, shihet qartë se janë të ndikuara nga politika dhe kjo gjë do të vazhdojë nëse OBRM-PDUKM do të formojë qeveri dhe rreziku është që obstruksionet ndaj PSP-së të vazhdojnë edhe më tutje’, potencon Kadriu.

PSP-ja deri më tani, përveç OBRM-PDUKM-së, të gjitha partitë tjera politike në Maqedoni si dhe nga ana e ndërkombëtarëve është përkrahur që të vazhdojë punën e saj pa pengesa. Në qeverinë e ardhshme pritet që këtij institucioni t’i vazhdohet mandati për hetimin e rasteve që i ka marrë në dorë, përndryshe Marrëveshja e Përzhinos mbetet vetëm në letër. /Telegrafi/