LAJMI I FUNDIT:

“Ostpolitika” e re koreane

“Ostpolitika” e re koreane

Jorgji Kote

Samiti i pritshëm i Presidentit amerikan, Donald Trump me atë koreano-verior, Kim Jong Un dhe përgatitjet për këtë ngjarje historike për sigurinë dhe stabilitetin në Gadishullin Korean dhe më gjerë po shoqërohen dhe me pohime, reagime, hamendësime dhe dyshimet e rastit.

Kjo me të drejtë, për shkak të kompleksitetit të jashtëzakonshëm të kësaj dosjeje tejet të nxehtë dhe përvojës negative në të kaluarën, kur regjimi koreano-verior i shfrytëzoi politikat tolerante ndaj tij për lehtësimin e gjendjes së mjeruar ekonomike, për propagandë të brendshme dhe për të vijuar shtimin e potencialit/shantazhit bërthamor.

Megjithatë, në vijim të përcaktimit të një strategjie cilësisht të re dhe efektive dhe panënvleftësuar sa më sipër, realpolitika dhe diplomacia në procesin e tanishëm po ndalet dhe në rivlerësimin e aspekteve pozitive të politikave dhe programeve të mëparshme; me synimin që mungesat dhe mangësitë t’i kthejë në mundësi për të ardhmen. Le të jemi më konkretë.

Në prag të shembjes së Murit të Berlinit, ish-presidenti koreano-jugor Roh Tae Woo shpalli “Nord Politik” si një version të “Ostpolitik” të famshme gjermane. 10 vjet më vonë, presidenti tjetër koreano-jugor Kim – Dae Jung, shkoi më tej duke e riemërtuar atë “Sunshine Policy” ose “Politika Diellore”. Ky term i ri, i huazuar nga fabula e Ezopit “Era e Veriut dhe Dielli” mbështetej në parimin “jepi dhurata armikut që të mos të të bëjë keq”. Ndaj u quajt ndryshe dhe “politika e përqafimit” (Embrace Policy).

Sipas modelit të “Ostpolitik”, gjatë viteve 1988- 2008 qeveria e Koresë së Jugut vuri në zbatim paketa të tëra masash për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë dhe popullsisë së fqinjës së Veriut, ku varfëria dhe uria po bënte kërdinë si dhe në drejtim të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, kontakteve njerëzore, ribashkimin familjar, etj. Kulmi i kësaj politike ishte në vitin 2000, kur presidenti koreano-jugor u takua me homologun e vet verior.

Gjithsesi, ndryshe nga “Ostpolitik” që pas 20 vitesh i dha frytet e veta me ribashkimin e Berlinit, Gjermanisë dhe Evropës, “dielli koreano-jugor” nuk mundi t’i shkrinte akujt e “Luftës së Ftohtë” në Gadishull, madje gjendja u acarua dhe më keq deri në shantazhe bërthamore nga Koreja e Veriut. Ndonëse ashtu si ish-kancelari gjerman Brandt i “Ostpolitik” në vitin 1971, edhe presidenti jug-korean Kim Dae – Jung në vitin 200O u laurua me çmimin “Nobel për Paqe”, kjo e fundit në Gadishullin Korean mbeti vetëm dëshirë e mirë.

Për pasojë, në vitin 2010, Koreja e Jugut hoqi dorë zyrtarisht nga “Politika Diellore” dhe gjatë tetë viteve të fundit, së bashku me SHBA-të, në përgjigje të provokimeve dhe kërcënimeve koreano-veriore përshkallëzuan sanksionet politike, ekonomike dhe manovrat ushtarake.

Mirëpo, siç pohojnë me të drejtë analistët dhe ekspertët, as strategjia e forcës gjatë 10 viteve të fundit nuk dha ndonjë gjë më shumë në drejtim të ndryshimit të statuskuosë, përkundrazi kërcënimi bërthamor u bë iminent deri sa Lojërat Olimpike Dimërore në Pjongçang sollën detantën tashmë të njohur dhe hapat e tjerë të mëdhenj nga palët e interesuara.

Në fakt, shkaku i vërtetë i këtij dështimi, veç sabotimit të këtyre përpjekjeve nga regjimi koreano-verior qëndron dhe te mungesa e kombinimit racional të komponentëve përbërës të “Ostpolitik” koreane. Këtë e dëshmoi qartë përvoja pozitive e tre muajve të fundit kur përshkallëzimi i presionit politik, ekonomik dhe ushtarak nga SHBA-të u shoqëruan efektivisht me dialogun politik, me diplomacinë sportive dhe atë të sharmit etj.

Ndaj, nuk ka pse “Ostpolitik” të mos rikthehet në Gadishullin Korean, natyrisht me një emër, format, përmbajtje dhe objektiva cilësisht të reja mbi bazën e analizës së shkaqeve të dështimit të “Politika Diellore” nxjerrjen e mësimeve përkatëse dhe rinovimin e saj cilësor.

Së pari, edhe mbi të gjitha “Politika Diellore” dështoi sepse ndryshe nga “Ostpolitik” ajo nuk pati mbështetjen e SHBA-ve dhe Japonisë, veç sabotimit të heshtur nga Rusia dhe Kina. Për pasojë, pati mungesë të theksuar bashkërendimi, pasi SHBA-të i mëshonte kryesisht për të mos thënë tërësisht presionit me përdorimin e forcës ushtarake, ndërsa Koreja e Jugut kryesisht “fuqisë së butë”, afrimit dhe bashkëpunimit. Për rrjedhojë, tani ky proces do të fuqizohet ndjeshëm sepse do të ketë mbështetjen e SHBA-ve, Japonisë, por edhe Rusisë e Kinës, me gjithë kufizimet e tyre.

Së dyti, në kuadrin e “Ostpolitik”, “Evropa&SHBA” akorduan ndihma të mëdha financiare dhe materiale në miliarda dollarë për vendet lindore dhe ish-RDGJ-në, por këto ndihma dhe ky bashkëpunim u kushtëzuan qartë me shumë kërkesa dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut etj. Madje, në vitin 1975 u krijua dhe OSBE-ja me tri “shportat” e njohura- demokracia, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimi ekonomik e tregtar, ku anëtarë të saj u bënë dhe regjimet ish-lindore.

E kundërta ndodhi me Korenë e Jugut, e cila akordoi ndihma ekonomike dhe humanitare me tepri, por që u mungoi komponenti kryesor për sukses – kushtëzimi politik. Pikërisht ky komponent jetik do të mbahet mirë parasysh tani në prag të samitit në fjalë, duke filluar me kërkesën paraprake për ndërprerjen nga Koreja e Veriut të provave bërthamore, lëshimit të raketave balistike etj., për të kaluar shkallë- shkallë dhe pa lëshime në kushte/kërkesa të tjera që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e njeriut, hapjen e Koresë së Veriut nëpërmjet intensifikimit të kontakteve njerëzore, kulturore, artistike sportive etj.

Kjo do t’i shërbente dhe krijimit e forcimit të një disidence dhe opozite që mungon në Phenian; sepse “Ostpolitik” u zbatua në kushtet kur sidomos Polonia, Çekosllovakia dhe Hungaria kishin një disidencë dhe opozitë të konsiderueshme politike, letrare dhe fetare.

Gjithashtu, ndryshe nga “Ostpolitik”, “dielli” koreano-jugor nuk arriti të “ngrohte” publikun e gjerë, median, artin dhe kulturën, sidomos në Korenë e Veriut. Ndërsa në pjesën jugore ajo u shoqërua me kritika, skepticizëm dhe oponencë të vazhdueshme që dëmtoi seriozisht efektivitetin e kësaj politike. Ndaj nuk u bë e mundur që Seuli të kthehej në një vitrinë të vërtetë të demokracisë dhe begatisë për Korenë e Veriut, si në rastin e Berlinit Perëndimor.

Veç sa më sipër, ajo çka e detyron “Ostpolitik” koreano-jugore të anojë detyrimisht më shumë në aspektin e forcës ushtarake dhe ekonomike është rrezikshmëria shumë më e madhe e Koresë së Veriut, për shkak të zotërimit të arsenalit bërthamor në një “pellg megafuqish” të vërteta ndërkombëtare. Për më tepër, aleatët e saj, Kina dhe Rusia janë sot shumë më të fuqishme politikisht dhe ushtarakisht se në vitet ‘70-‘80.

Nisur nga sa sipër, duke i shtuar dhe shumë elementë të tjerë, “Ostpolitik” koreane mund të kthehet në një histori suksesi; me kusht që tanimë të mos zbatohen më veç e veç, por të ndërthurura organikisht “fuqia e butë” dhe ajo e “ashpër” ose siç i themi në shqip “kulaçi dhe kërbaçi”. Këtë po bën me mençuri politika aktuale amerikane në bashkëpunim të ngushtë me aleatin e saj koreano-jugor dhe Japoninë.