LAJMI I FUNDIT:

Osmani pritet me nderime të larta nga presidenti austriak

Osmani pritet me nderime të larta nga presidenti austriak

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime të larta nga homologu i saj austriak, Alexander Van der Bellen, në Vjenë.

Alexander Van der Bellen ka publikuar pamje në rrjetin e tij social në Twitter, nga pritja që i është bërë Osmanit, duke konfirmuar edhe një herë mbështetjen për Kosovën, transmeton Telegrafi.


“Mirësevini në Vjenë, Presidente Vjosa Osmani. Vizita juaj nënvizon marrëdhëniet e mira midis dy vendeve tona. Dhe nuk dyshoj që marrëdhëniet tona do të bëhen edhe më të afërta ndërsa Kosova po përparon në rrugën e saj evropiane”, ka shkrur Van der Bellen.

Presidenca e Kosovës, ka njoftuar se Osmani do të takohet edhe me kancelarin Sebastian Kurz, sikurse edhe me ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji Leonore Gewessler me të cilët përveç diskutimit të aspekteve politike do të shqyrtohet edhe mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore.

Gjatë qëndrimit në Austri, Osmani do të takojë edhe zyrtarë të tjerë shtetëror e institucional.

Është paraparë një takim me Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare, si dhe me Odën Ekonomike Austriake. Ndërkaq në Akademinë Diplomatike të Vjenës, Presidentja Osmani do të mbajë një ligjëratë me temën: Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storjet e Suksesit. /Telegrafi/