LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Kosova ka kryer me sukses operacione kundër kontrabandës

Osmani: Kosova ka kryer me sukses operacione kundër kontrabandës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim sekretarin e përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikuriya.

Në takim me Mikuriya, Osmani, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar të punojë ngushtë me Organizatën Botërore të Doganave për partneritet në dobi të të dy palëve, rritje të performancës doganore nëpërmjet luftimit të kontrabandës dhe lehtësimeve tregtare.


Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë më tej me WCO në arritjen e standardeve më të larta ndërkombëtare në operacionet e saj doganore, duke përfshirë ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve të saj doganor dhe përdorimin e teknologjisë.

“Kosova, sipas Presidentes Osmani ka arritur ta rrisë mbledhjen e të hyrave tatimore dhe doganore, teksa agjencitë e rendit, përfshirë Doganën e Kosovës, kanë kryer me sukses operacione të mëdha kundër kontrabandës në të gjithë territorin e shtetit”, është bërë e ditur në komunikatë.

Në takim me Sekretarin e Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për t’u bërë kampion rajonal për sundimin e ligjit dhe ka përmendur se po zbatohen reformat që rrjedhin nga direktivat përkatëse të BE-së. /Telegrafi/