LAJMI I FUNDIT:

Osmani flet për takimin me Macron: Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin kundër Kosovës

Osmani flet për takimin me Macron: Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin kundër Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të enjten me homologun e saj francez, Emmanuel Macron, në Samitin e Liderëve Evropianë që po mbahet në Granada të Spanjës.

Në një shkrim në llogarinë zyrtare në rrjetin social “X”, Osmani tha se ka qenë një takim i rëndësishëm mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë.


Ajo tha se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për agresionin kundër Kosovës.

“Një diskutim i rëndësishëm me presidentin francez @EmmanuelMacron mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë dhe angazhimin tonë të përbashkët për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm. Theksova rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës sonë”, shkroi Osmani.

Gjatë këtij samiti, presidentja ka takuar edhe kryeministri britanik Rishi Sunak.

Osmani shprehu mirënjohje që forcat e Mbretërisë së Bashkuar po ndihmojnë në mbajtjen e sigurt të kufirit të Kosovës, në mënyrë që të parandalohen akte të mëtejshme agresioni./Telegrafi/