Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, mbështetur nga United Hospital, ortopedi Cen Bytyqi ka hedhur dritë mbi një shqetësim të shpeshtë tek prindërit – shputat e rrafshëta të fëmijëve.

Ai theksoi se ky fenomen është i zakonshëm dhe në shumicën e rasteve kalimtar.


“Dua t’ju them se nuk ka nevojë të bëhet panik i madh, sepse 97 për qind e fëmijëve në moshën dyvjeçare i kanë shputat e rrafshëta. Shpesh vijnë prindër të shqetësuar, por kur fëmijët arrijnë moshën 10-vjeçare, vetëm tre deri në katër për qind vazhdojnë të kenë shputa të rrafshëta. Pra, pjesa më e madhe e shputave normalizohen vetvetiu”.

Sipas tij, ka mënyra të besueshme për të parashikuar zhvillimin e shputës.

“Ne kemi disa teste prognostike që i bëjmë dhe na ndihmojnë të dimë nëse ajo shputë ka gjasa të zhvillohet normalisht”, shtoi ai.

Një tjetër këshillë e rëndësishme që Bytyqi dha lidhet me përdorimin e këpucëve ortopedike.

“Para moshës 3 vjeçare nuk preferohet t’u punohen këpucë ortopedike për shputa të rrafshëta. Mund të përdoren këpucë të zakonshme nga fabrika”, deklaroi ai, duke theksuar se ndërhyrjet e parakohshme nuk janë gjithmonë të nevojshme. /Telegrafi/