LAJMI I FUNDIT:

Organizohet Kampionati Botëror i Ndërmarrësisë – Kosova pjesëmarrëse

Organizohet Kampionati Botëror i Ndërmarrësisë – Kosova pjesëmarrëse

Për të dytin vit me radhë, bizneset startup dhe ndërmarrësit nga Kosova e kanë mundësinë që të garojnë në Kampionatin Botëror të Ndërmarrësisë (Entrepreneurship World Cup), për çmimet prej 1 milion dollarë me para të gatshme dhe mbështetje deri në 75 milionë dollarë.

Innovation Centre Kosovo (ICK) si nikoqir i garës për Kosovë, fton të gjithë ndërmarrësit e rinj që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë deri më 2 gusht 2020.

Kampionati Botëror i Ndërmarrësisë 2020 (EWC), finalja e së cilit mbahet në Riad (Arabi Saudite), në muajin tetor, me 198 shtete pjesëmarrëse, konsiderohet si një ndër ngjarjet më të mëdha globale, në fushën e ndërmarrësisë.

E organizuar nga Misk Global Forum dhe Global Entrepreneurship Network, EWC ka hapur aplikimet online, me synim përzgjedhjen e 100 finalistëve për ngjarjen e madhe të tetorit, nga të nominuarit e secilit shtet pjesëmarrës.

Për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia, gara dhe përzgjedhja në nivel kombëtar do të mbahet online, gjatë muajit gusht-shtator. Innovation Centre Kosovo (ICK), fton ndërmarrësit e rinj dhe bizneset inovative startup që të garojnë për vendet që do ta përfaqësojnë Kosovën në nivel global.

Drejtori ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu, shprehet i lumtur me mundësinë për të rinjtë Kosovar.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për të rinjtë dhe bizneset startup nga Kosova, që të konkurojnë dhe t’a përfaqësojnë shtetin në garën ku marrin pjesë ekonomitë më të zhvilluara të botës. Ju bëjmë thirrje atyre që bizneset dhe produktet inovative t’i ndajnë me botën, meqë Kosova ka shumë për të ofruar”, theksoi Begu.

Afati i fundit për regjistrim është më 2 Gusht 2020. Për më shumë informata klikoni këtu.