LAJMI I FUNDIT:

Opozita përplaset me Muratin për projektbuxhetin 2024, e akuzon se po përkrahen vetëm komunat e udhëhequra nga pushteti

Opozita përplaset me Muratin për projektbuxhetin 2024, e akuzon se po përkrahen vetëm komunat e udhëhequra nga pushteti

Gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024, pati përplasje mes deputetëve opozitarë dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Kritikat erdhën për shumën 1 miliard euro për subvencione dhe 200 mijë për investime kapitale, ku sipas opozitës, këto shifra janë në dëm të shtetit. Të njëjtit u ankuan që përkrahje nga qeveria po marrin vetëm komunat e udhëhequra nga pushteti.


Ndërsa, Murati gjatë prezantimit në detaje të projektbuxhetit, tha se buxheti në total për vitin e ardhshëm do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

“Buxheti për vitin e ardhshëm si tërësi i shpenzimeve, pra gjithsej shpenzimet buxhetore 3 miliardë 314 milionë euro. Kjo pastaj financohet nga të hyrat buxhetore që janë 3 miliardë e 28 milionë euro, ndërkaq pjesa tjetër parashihet që të jetë deficit dhe i cili financohet përmes huamarrjes së jashtme dhe të brendshme…Ne nuk është se kemi ndryshuar politikat fiskale, pra vazhdojnë të jenë të njëjta, megjithatë që jemi munduar të bëjmë gjatë këtyre viteve ka qenë luftimi i informalitetit dhe trajtimi i gjitha palëve në mënyrë të barabartë.

Në këtë rast përveç kësaj është luftuar edhe kontrabanda dhe janë mbyllur shumë kanale të kontrabandimit që kanë qenë të hapura ndër vite, dhe tani patjetër se ato mallra vazhdojnë të furnizohen, veçse tani përmes kanaleve zyrtare dhe figurojnë edhe si import zyrtar dhe paguajnë taksat dhe tatimet për këtë import”, tha Murati.

Për ndarjen e buxhetit kritika pati deputeti nga PDK, Ferat Shala. Ai tha se më tepër është ndarë buxhet për subvencione sesa për investime kapitale.

“Pajtohem sikur të ishte buxheti real, i shkruar mirë, i dizajnuar sipas kërkesave dhe nevojave të ekonomisë dhe shtetit, por asnjë afat nuk e arsyeton këtë buxhet. Në buxhet janë 26 për qind investime kapitale, ndërsa 32 për qind subvencione, unë nuk mund ta kuptoj se si ka mundësi mbi 1 miliard euro subvencione një shtet në rrethana paqe normale, dhe atë dihet qysh shkojnë. Ju personalisht e keni anashkaluar tash e dy vjet çështjet e monitorimit të subvencioneve duke e paralizuar zgjedhjen e Komisionit për Ndihmë Shtetërore.

Pra, në esencë 1 miliard janë në dorën tuaj personale dhe të nivelit politik, të bëni çfarë të doni në vitin e ardhshëm, ndërsa janë më pak se 200 milionë euro investime kapitale që do të ngrisin pozitivisht zhvillimin ekonomik të vendit, duke e zhvilluar infrastrukturën apo zhvillimet tjera. Pra, ky buxhet në për qindje, por edhe me shuma, janë jo vetëm diskriminuese, nëse është kështu është edhe jo humane me qytetarët… 1 miliard euro për vitin e ardhshëm subvencione, doni t’i bleni zgjedhjet, gabim, nuk ju duhen asgjë, i bleni besoj, por 1 miliard euro për vitin e ardhshëm është dëm për Kosovën dhe nuk ja shihni hairin kështu”, tha Shala.

Shala derisa kërkoi të përmirësohen shifrat e buxhetit, tha se Skenderaj ka zero investime të reja, ndërsa shtoi se kryeqyteti i vendit ka 2 milionë e 150 mijë euro për investime të reja. Ndërsa, sipas tij, Komunës së Shtimes i janë ndarë 2.3 milionë euro.

Ankesa për buxhetin e vitit të ardhshëm pati edhe nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

“Ka probleme bukur fondamentale në strukturë të buxhetit, kur e krahason këtë buxhet me programin e qeverisë mbi bazën që keni marrë mandatin, p.sh me këtë buxhet tek çerdhet, edhe me buxhetin e vitit 2024 nuk po ndërtohen as për së afërmi çerdhet e premtuara. Për banim social nuk figurojnë fare… Sigurimet shëndetësore nuk shihen as tek pjesa përshkruese që do të fillohet me këtë projekt të rëndësishëm…Pra, a qëndron kjo që në vitin 2024 nuk nisem me sigurime shëndetësore”, pyeti Hoti.

Për këtë, Murati tha se tek subvencionet përfshihen, pensionet, skemat sociale, shtesat për fëmijë dhe për gra lehona, bujqësia, mbështetja për ndërmarrje publike.

“U tha që subvencionet janë rrit dhe janë si për qindje shumë e lartë, megjithatë është fjala për kategorinë subvencione dhe trasnfere, ku janë pensionet, skemat sociale, shtesat për fëmijë dhe për gra lehona, bujqësia, mbështetja për ndërmarrje publike. Kështu që, cila nga to do t’i shkurtonit ju, sepse ne kemi buxhetuar sipas prioriteteve që kemi paraparë… Nëse shohim rrugën Komoran-Drenas-Skenderaj, buxheti për tri vitet e ardhshme është paraparë 25 milionë, kanë qenë 2 milion euro”, tha Murati.

Reagime gjatë diskutimit pati sërish deputeti Shala, pasi sipas tij, ministri Murati është duke manipuluar opinionin me shifra.

Ai tha se nuk ka projekte të reja në komunat ku nuk qeverisë pozita.

“Mos e manipulo opinionin me Mitrovicën kur realisht ato janë mjete të Ministrisë së Brendshme. Po flasim për projekte të reja, nuk ka projekte të reja në komunat ku nuk qeverisë VV-ja”, tha Shala.

Për këtë pati përplasje mes ministrit Murati dhe deputetit Shala.

Murati tha se gjatë deklaratave nga deputeti ka pasaktësi.

“Pat edhe shumë dezinformata apo pasaktësi. Thuhet që s’ka asgjë për Mitrovicën, megjithatë janë 16 milionë euro për stadiumin që e keni lënë gërmadhë. Është impianti 30 milionë euro projekt i ri”, tha Murati.

Ndërkaq, kryetari i këtij Komisionit për Buxhet, Armend Muja pyeti ministrin Murati për shtesën e buxhetit për komunat krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa ka kërkuar sqarim për TVSH-në, pasi sipas tij, ka supozime se mund të ketë lëvizje për qëllime turizmi dhe ato sipas tij, mund të afektojnë.

Për këtë, Murati tha se shtesat për komunat krahasuar me vitin e kaluar janë mbi 90 milion euro. Ndërsa, sa i përket, TVSH-së, ai tha se stafi nga Departamenti i Makroekonomisë kanë bërë llogaritjet e nevojshme në këtë drejtim.

“Krahasuar me vitin e kaluar është rreth 90 milionë euro më tepër sesa viti paraprak. Mirëpo, nëse krahasojmë si trend, kemi një kapërcim goxha të madh, sidomos dy viteve të fundit…(Sa i përket TVSH) Konsideroj që ekipi apo stafi nga Departamenti Makroekonomisë kanë bërë llogaritjet e nevojshme dhe kanë paraparë të gjithë skenarët. Megjithatë, konsideroj që të hyrat që janë paraqitur janë mjaft reale”, u përgjigj Murati.

Po ashtu në këtë komision është bërë shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin, “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”.

Në trend Ekonomi

Më shumë
Nga qershori Aeroportit të Prishtinës i shtohet edhe një linjë e re fluturimi

Nga qershori Aeroportit të Prishtinës i shtohet edhe një linjë e re fluturimi

Ekonomi
Një epokë e re e transformimit digjital:  IPKO prezanton pakot PRIMA dhe aplikacionin IPKO TV

Një epokë e re e transformimit digjital: IPKO prezanton pakot PRIMA dhe aplikacionin IPKO TV

IPKO
Relaksim në përjetësi, me “Holiday In 2” t’gjitha i ki

Relaksim në përjetësi, me “Holiday In 2” t’gjitha i ki

Edil Project
Fito udhëtim në çift me IP Petrol!

Fito udhëtim në çift me IP Petrol!

IP Petrol
Respekti dhe vlerësimi i punëtorëve refletojnë në suksesin e Emona Center

Respekti dhe vlerësimi i punëtorëve refletojnë në suksesin e Emona Center

Emona Center
Klinika Amerikane “Dr. Behar Kusari” për herë të parë sjellë në rajon trajtimin pa dhimbje me Laser të Hemorroideve, Fistulave dhe Sinuseve Pilonidalis

Klinika Amerikane “Dr. Behar Kusari” për herë të parë sjellë në rajon trajtimin pa dhimbje me Laser të Hemorroideve, Fistulave dhe Sinuseve Pilonidalis

American Clinic
Kalo në kategori