Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se një operator ekonomik është ndëshkuar nga Drejtoria e Inspekcionit pasi hodhi mbetje inerte nga një objekt në ndërtim në rrugën "Ukshin Kovaçica", duke ndotur ambientin dhe shkaktuar shqetësim te banorët.

Sipas njoftimit, rasti është evidentuar përmes një video-incizimi të dërguar nga një qytetar. Menjëherë pas pranimit të rastit, Drejtoria e Inspekcionit ka ndërhyrë duke shqiptuar gjoba ndaj investitorit dhe punëkryesit.


Komuna ka kërkuar falje për shqetësimin e shkaktuar qytetarëve, duke theksuar se raste të tilla nuk do të tolerohen. Gjithashtu, është bërë e ditur se ndaj operatorëve që përsërisin shkelje të ngjashme do të ndërmerren masa edhe më të rrepta, deri në pezullimin e punimeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, qytetarët janë ftuar të raportojnë çdo rast të ngjashëm përmes numrit zyrtar të telefonit të komunës, ndërsa është theksuar se askush nuk është mbi ligjin. /Telegrafi/