Oftalmologu Salihu: Operacioni i kataraktës zgjat vetëm pak minuta, kryhet me metoda minimale invazive


Operacioni i kataraktës, i njohur në popull si “perdja e syrit”, sot konsiderohet një nga ndërhyrjet më të suksesshme dhe më të shpejta në kirurgjinë okulare. Falë zhvillimit të teknologjisë, kjo procedurë tashmë kryhet me metoda minimale invazive dhe me rikuperim të shpejtë për pacientin.
Për këtë temë ka folur oftalmologu dhe kirurgu i syrit, Naser Salihu gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital.
Duke folur për kohëzgjatjen e ndërhyrjes, Salihu tha se operacioni i kataraktës në shumicën e rasteve përfundon shumë shpejt.
“Zakonisht operacionet e kataraktës zgjasin më pak se 15 minuta. Për pesë-gjashtë minuta, prej momentit kur filloj unë me operu, në shumicën e rasteve përfundon”, tha ai.
Sipas tij, përjashtim bëjnë vetëm rastet më të komplikuara, kur katarakta shoqërohet edhe me sëmundje të tjera të syrit dhe mund të kërkohen procedura shtesë.
“Përveç në disa raste ku janë kataraktat e komplikuara me disa sëmundje shoqëruese, që duhet edhe disa operacione shtesë me i bo, përndryshe pjesa tjetër shkon shumë shpejt”, Salihu.
Ai theksoi se pacienti gjatë ndërhyrjes është i zgjuar dhe e dëgjon ekipin mjekësor, ndërsa zakonisht nuk përjeton shqetësime të veçanta.
“Pacienti është i zgjuar, pacienti na dëgjon neve duke biseduar dhe nuk ndien ndonjë shqetësim të veçantë”, tha ai.
Edhe procesi i shërimit, sipas oftalmologut, është i shpejtë dhe i thjeshtë. Pacienti trajtohet me pika dhe operacioni zakonisht kryhet si procedurë ambulantore.
“Shërimi është shumë i shpejtë, vetëm me pika. Praktikisht është kirurgji ambulantore”, deklaroi Salihu.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
- YouTube www.youtube.com





































